Genc Tomori: “Rasti, për të përmirësuar imazhin në Europë”

593
Sigal

Flet ish-lojtari i Partizanit dhe i Kombëtares: “Shorti më i mirë që, kanë pasur ekipet tona”

Genc Tomori, drejtori sportiv i Partizanit dhe një nga specialistët e njohur të futbollit, tha për gazetën “Telegraf” se shorti i Ligës së Europës i favorizoi ekipet shqiptare, ndërkohë që Skënderbeu nuk do ta ketë të lehtë me azerbajxhanasit e Nefçi Baku. “Futbolli ynë është jo shumë i suksesshëm në Europë, dhe ndoshta këtë edicion, me shortin e favorshëm që ra i ka të gjitha shanset ta përmirësojë disi imazhin. Ashtu, siç ne themi se na ra fati që të luajmë me ato ekipe, të mos harrojmë se të njëjtën gjë thonë dhe ata, teksa shohin statistikat e skuadrave tona në Europë”. Genc Tomori është autori i golit të 50-të të Kombëtares shqiptare, pikërisht në ndeshjen e humbur 2-1 kundër Gjermanisë, në Sarbryken, takim i vlefshëm për eliminatoret e Euro 1984.

  – Zoti Tomori, katër ekipet shqiptare që do të marrin pjesë në Europë, tashmë u njohën me kundërshtarët e tyre. Cili është mendimi juaj?

– Mendoj se, fati ishte me ekipet tona që, do të marrin pjesë në Ligën e Europës, Teutën, Laçin dhe Kukësin, që do të përballen me ekipe nga Moldavia, Luksemburgu dhe Estonia, ndërkohë që për Skënderbeun shorti ishte më i vështirë, pasi do të përballet me azerbajxhanasit e Nefçit në Ligën e Kampioneve, një skuadër që është në rritje e sipër. Futbolli ynë është jo shumë i suksesshëm në Europë, dhe ndoshta këtë edicion, me shortin e favorshëm që ra i ka të gjitha shanset ta përmirësojë disi imazhin. Ashtu, siç ne themi se na ra fati që të luajmë me ato ekipe, të mos harrojmë se të njëjtën gjë thonë dhe ata, teksa shohin statistikat e skuadrave tona në Europë. Kur bie shorti, pyetja e parë që bën kundërshtari, ka të bëjë me buxhetin që ka një klub, pasi kështu përcakton disi edhe grupin e lojtarëve që mund të ketë. Ekipi më i mirë shqiptar ka rreth 1 milion euro buxhet, kur kundërshtarët tanë mund ta kenë edhe deri pesëfishin. Sigurisht, kjo ndoshta nuk tregon forcën e ekipit, por bazën mbi të cilën është ndërtuar ai ekip.

– Skënderbeu, në dy paraqitjet e parë në Ligën e Kampioneve nuk ka mundur të kualifikohet. A mendoni se tashmë e ka fituar përvojën e duhur në këtë kompeticion?

– Sigurisht, tani është një skuadër më e pjekur, për më tepër që ka ruajtur edhe një pjesë të mirë të grupit. Në dy edicionet e para u përball me ekipe dukshëm më të mira, si APOEL-i i Qipros, që arriti deri të kalojë dhe fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, si dhe me hungarezët e Debrecenit, të cilët i mundi në ndeshjen në Korçë. Skënderbeu ka dalë tri herë rresht kampion i Shqipërisë dhe kjo nuk është gjë e vogël. Tashmë do të përballet me kampionen e Azerbajxhanit, një skuadër me një buxhet më të madh sesa Skënderbeu dhe që ka luksin të ketë edhe lojtarë të mirë. I shoh shanset 50 me 50.

– Laçi do të përballet me luksemburgasit e Diferdanzhit. Sezonin e kaluar, Tirana eliminoi Grevenmakerin….

– Laçi ishte skuadra më me fat. Nuk besoj se, do të ketë probleme me kualifikimin në turin e parë. Skuadër më të lehtë nuk mund t’i binte, pasi ekipet e Luksemburgut janë në përgjithësi me nivel të ulët, ose të barabarta me ne. Nëse Laçi nuk kualifikohet është faji i tij dhe jo meritë e kundërshtarit. Laçi e ka herën e dytë që del në Europë dhe mendoj se, tani e ka shansin të përmirësojë edhe imazhin e tij, pasi në ballafaqimin me bjellorusët e Dniepri Mogilevit u eliminua në mënyrë të turpshme, teksa në Bjellorusi humbi 7-1.

– Teuta do të përballet me Daçia Kishinaun, një ekip moldav që është me Partizanin në Kupën Intertoto. Si e mbani mend?

– Daçia ishte një ekip i ri, i krijuar në vitin 1999. Partizani dhe Daçia u përballën në Kupën Intertoto në korrik të vitit 2003. Humbëm 2-0 në Moldavi, por duhet ta theksoj se, i patëm të gjitha mundësitë ta barazonim takimin, kur dhe goditëm shtyllën në minutat e fundit, përpara se të pësonim golin në minutat shtesë. Gjithsesi, dua të theksoj se Partizani ishte me një ekip të ri, shumë larg atij që ishte prezantuar dikur në Europë. Nën mesataren. Në ndeshjen e kthimit humbëm 3-0, por ekipin e drejtoi jo Perlat Musta, por Ilir Spahiu. Përsa i përket Teutës, mendoj se durrsakët kanë bërë një sezon të mirë dhe mund ta përballojë me sukses dhe ta kalojë Daçian.

– Ekipet shqiptare po stërviten jashtë: Skënderbeu në Austri, Tueta në Bullgari, Laçi dhe Kukësi në Maqedoni, ku po zhvillojnë dhe ndeshje miqësore. Duket se po përgatiten shumë seriozisht, apo jo?

– Pa dyshim. I kanë kushtuar shumë rëndësi paraqitjes në Europë. Kushtet, sigurisht janë më të mira dhe fakti që, kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore u jep mundësi të kualidojnë sa më mirë skuadrat.

– Tomori, ju keni qenë pjesë e Partizanit, në disa ndeshje ndërkmbëtare të tij në Europë. Si i kujtoni?

– Kam marrë pjesë në disa ndeshje ndërkombëtare me të, si në Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Kupave. Me Partizanin kam luajtur kundër Malmoen, finaliste e Kupës së Kupave; Austrinë e Vjenës apo Benfikën që ka shkuar deri në katërshen e Kupës së Kupave. Atëherë nuk ishte ky sistem në ndarjen e shortit, pasi mund të kishe kundërshtar Bajernin e Munihut, siç i ra Tiranës, Olimpikun e Marsejës me Dinamon, Barcelonën me Flamurtarin apo Partizanin me Sëlltikun. Kemi luajtur me elitën e futbollit europian, pra me Kristiano Ronaldot apo Lionel Mesët e asaj kohe. Mos harrojmë se, Benfika ka pasur disa lojtarë të kombëtares së Brazilit, Austria e Vjenës kishte disa futbollistë të përfaqësueses, apo Advitabergu në Suedi, plus faktit tjetër që ne kemi pasur një futboll të izoluar nga Europa, pasi në atë kohë nuk lejoheshin as transferimet e lojtarëve të huaj në vendin tonë.

– Ndeshja kundër Benfikës ka hyrë në histori, pasi ju bëtë për shumë minuta dhe rolin e portierit në vend të Perlat Mustës.

– Po, është e vërtetë. Në ndeshjen e Benfika-Partizani 4-0, të vlefshme për Ligën e Kampioneve (edicioni 1987-1988), Perlat Musta u ndëshkua me të kuqe me fillimin e pjesës së dytë, me një vendim të nxituar të gjyqtarit. Dhe qysh nga minuta e 53-të unë luajta si portier, në një takim që Partizani e mbylli me shtatë lojtarë. Mos harrojmë se, tre golat e fundit Partizani i pësoi në dhjetë minutat e fundit, kur mbeti me shtatë lojtarë, pas kartonëve të kuq të Mustës, Frashërit, Ahmetajt dhe Ocellit. Mbaj mend disa pritje të mija, madje edhe me planzhon si një portier i vërtetë.

– Një karrierë thuajse e shpenzuar te Partizani, çfarë do të veçonit?

– Kam shumë ngjarje sportive në kujtesë, pasi kemi bërë kampionate të bukura, pasi objektivat e Partizanit ishin ose për të dalë kampion ose për fitimin e Kupës. Kam luajtur edhe një vit me Besën, ku kemi bërë një sezon me të vërtetë të mirë, pasi kavajasit atë vit u futën në gjashtëshe. Më ka ngelë pishman, pasi kemi humbur në ndeshjet e fundit dy kampionate, si dhe kemi humbur dy finale të Kupës së Shqipërisë, një në Shkodër dhe një në Elbasan.

   Portier, kundër Benfikës

 Në ndeshjen e Benfika-Partizani 4-0, të vlefshme për Ligën e Kampioneve (edicioni 1987-1988), Tomori luajti si portier në vend të Mustës të ndëshkuar me karton të kuq.

   Drejtori teknik i klubit të kuq: “Po përgatitemi seriozisht, dhe këtë po e tregon merkatoja”

 “Partizani hyn për trofe”

 Genc Tomori nuk është ndarë asnjë ditë nga Partizani, në të mirë dhe në të keqe, siç thotë drejtori teknik i skuadrës së kuqe. “Jam rritur te Partizani, nga para të rinjtë, të rinjtë dhe deri te skuadra e parë, ndërsa më pas u bëra pjesë e stafit teknik dhe drejtues i Akademisë. E quaj veten me fat, që jam pjesë e klubit prej më shumë se tridhjetë vjetësh”, – tha Tomori. “Partizani po përgatitet shumë seriozisht, për të bërë një prezantim dinjitoz pas rikthimit në Kategorinë Superiore. Të mos harrojmë se, kemi luajtur edhe në Kategorinë e Dytë, por tifozët nuk na braktisën kurrë, kështu që kemi detyrime ndaj tyre. Po bëjmë një merkato intensive, kjo dhe falë mbështetjes financiare të dy bashkëpresidentëve, Lulzim Sallaku dhe Gazmend Demi. Tani po ndërtojmë terrenet dhe infrastrukturën e nevojshme, ashtu siç i ka hije skuadrës dhe një klubi moderne. Ne presim një kampionat shumë të fortë, dhe një sezon të vështirë, pasi nga 12 skuadra do të bien direkt katër. Ne i kemi financat e duhura, po ndërtojmë skuadrën, por ke dhe një staf të mirë teknik, duke filluar me trajnerin Hasan Lika, atë të portierëve Perlat Musta dhe pjesën e tjetër të stafit”, – shtoi ai. “Kemi pasur Akademinë e moshave më të mirë në Shqipëri, një akademi që ka prodhuar disa lojtarë dhe këtë jemi dukë bërë. Do të kemi një infrastrukturë moderne dhe kjo do ta na mundësojë që të përgatitemi në kushte optimale”.

 Gol dhe karton i kuq kundër Gjermanisë

 Genc Tomori është autori i golit të 50-të të Kombëtares shqiptare, pikërisht në ndeshjen e humbur 2-1 kundër Gjermanisë, në Sarbryken, takim i vlefshëm për eliminatoret e Euro 1984. Takimi u luajt, më 20 nëntor 1983. Shqipëria shënoi e parë me anë të Tomorit në minutën e 23-të, barazoi pas një minute, Karl-Heinc Rumenige (24’) dhe më pas fatin e ndeshjes e vulosi Shtrak (80’).

Ish-mesfushori i avancuar i Partizanit doli me karton të kuq në minutën e 48-të, kur rezultati ishte 1-1. “Për hir të së vërtetës, ne bëmë një ndeshje shumë të mirë kundër Gjermanisë dhe e vumë jo pak në presion atë. Pata fatin të shënoja kundër tyre, pavarësisht se Rumenige, një nga emrat më të mëdhenj që ka nxjerrë futbolli gjerman barazoi shumë shpejt dhe dhjetë minuta nga fundi shënoi golin e fitores që e çoi në Europianin e Francës. Ishte një humbje me dinjitet. Të mos harrojmë se, atëherë futbollistët shqiptare nuk luanin si tani në Europë, por vetëm në kampionatin tonë, për më tepër që vinim pas një mungesë ndërkombëtare disavjeçare. Lojtarët tanë kishin zhvilluar shumë pak ndeshje”, – tha Tomori. Sipas tij, Shqipëria ka pasur shansin për të shkuar në Botërorin “Meksikë 1986”, kur barazoi me Poloninë dhe fitoi me Belgjikën, por humbje ma Greqinë dhe ndë ndeshjen e dytë më Poloninë ia mohoi të drejtën. “Tani, me Kombëtaren aktuale kemi sërish shpresa, pasi jemi në vend të dytë. Mendoj se, kemi shans, mjafton të dimë të interpretojmë mirë ndeshjet në transfertë me Slloveninë dhe Islandën”.

Kampion i Ballkanit me Shpresat

 Genci ka qenë dhe kampion i Ballkanit me ekipin Shpresa. “Dolëm në Greqi në vitin 1981, me trajner Shyqyri Rrelin- kujton Tomori,

Dolëm kampion të Ballkanit në Vollos të Greqisë, në vitin 1981 me Shyqyri Rrelin. Fituam me Rumaninë 4-1 dhe në finale me Bullgarinë, fituam 2-1”. Tomori kujton se në ato vite, kampionati ynë ishte shumë i fortë, pasi bëri një hop cilësor, ku përveç Partizanit, Dinamos dhe Tiranës, u forcuan Vllaznia dhe Flamurtari, me këto të fundit që fituan kampionate dhe kupa, por mos harrojmë dhe ekipe të konsoliduara si Teuta, Luftëtari, Besa. Rrallë kishte fitore me mbi 2-3 gola”.