Gazsjellësi TAP do të mbyll 30 minierat e gurit në Urë-Vajgurore

594
Sigal

Banorët: “Do të shpëtojmë nga shpërthimet”. Kryebashkiaku Ormenaj: “Pyllëzimi i zonës, prioriteti ynë”

Minierat që kryejnë aktivitetin në Urë-Vajgurore së shpejti do të largohen që aty. Lajmi i mirë ka ditë që ka gëzuar banorët e qytetit, të cilët prej dy dekadash kanë jetuar mes shpërthimeve dhe ndotjes së madhe.

Situata

Protestat për mbylljen e minierave kanë qenë të vazhdueshme, por asnjëherë nuk u morën masa për bllokimin e aktivitetit të tyre, përveçse u shtuan në numër. Por atë që nuk e bëri dot shteti prej 23 vjetësh e bëri Gazsjellësi TAP. Në atë zonë do të shtrihen tubacionet që do të transportojnë gazin që do të hyjë në vendin tonë nga Greqia. Burimet bëjnë me dije se projekti TAP do të kaloj afër malit, ku janë vendosur prej 23 vjetësh minierat e gurit. Pronarët e minierave u shprehën për gazetën se këtë lajmë e prisnin, që tubacionet do të kalonin në zonën e minierave. “Sipas ligjit guroret duhet të jenë 3 kilometër larg tubacionit të gazit. Kjo për arsye se tubacionet në brendësi transportojnë gazë, i cili nga shpërthimet e lëndëve plasës që përdoren nga pronarët e minierave shkakton shpërthimin e gazit”. Sipas informacioneve të marra Gazsjellësi TAP kalon 250 metra larg minierave. Kjo distancë tregon fare mirë që duhet të merren masa për postimin nga ky vend. Ende nuk dihet destinacioni se ku do të përfundojnë. Lajmin e kanë përshëndetur banorët e këtij qyteti, të cilët jetojnë në një ambient të ndotur nga pluhurat që krijohen nga përpunimi i gurit në mokrrat gjigande.

Bashkia

Ndërsa punonjësit e bashkisë shprehen, se atë që nuk e bëri qeveria e bëri TAP. Për gazetën “Telegraf”, Kryebashkiaku i Urës- Vajgurore, Syrja Ormenaj tha: “TAP bëri që ky qytet të gjejë qetësinë e tij në shumë drejtime, atë të ndotjes nga pluhuri, tronditjet nga shpërthimi i lëndëve plasëse si dhe do të shpëtojë kurora e pishave, e cila prej vitesh është masakruar nga firmat e minierave. Pas largimit të minierave nga ana jonë do të rehabilitohet kjo zonë, e cila i ngjanë një shkretëtire të vërtet. Me gropa të përmasave të mëdha, që janë krijuar nga nxjerrja e gurit”. Për firmat që nuk kanë zbatuar ligjin Ormenaj u shpreh: “Të gjitha firmat, kur kanë marrë licencat e kanë të shënuar se pas përpunimit të sektorit duke marrë gurët atë sipërfaqe toke që kanë përdoruar duhet ta kthehet në gjendjen e mëparshme duke e mbjellë me pisha. Këtë veprim pronarët e firmave nuk e kanë bërë. Ne si bashki pas largimit të 30 firmave të minierave do të bëjmë pyllëzimin e zonës”. Ndërsa pronarët e minierave janë shprehur për gazetën se TAP do t’u japë dëmshpërblimin për minierat që do të mbyllen, pasi sipas pronarëve për ta kjo është një humbje e madhe.

Minierat

30 minierat që kryejnë aktivitetin prej dy dekadash në qytetin e Urës-Vajgurore së shpejti do të mbyllen pasi vetëm 250 metra larg tyre do të shtrihen tubacionet e Gazsjellësit TAP

 Ligji

Sipas ligjit minierat duhet të jenë larg deri në 3 kilometra, për shkak të shpërthimeve që ndodhin gjatë aktivitetit të tyre. Pronarët nga ana e tyre kanë kërkuar dëmshpërblim për mbylljen e tyre