Gazmir Tahiri:Mbi 300 marinarë shqiptarë punësohen jashtë vendit. Ja kërkesat dhe kriteret

369

Flet për “Telegraf”, Gazmir Tahiri, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare: “Deri në 2014, do të punësohen 5 mijë veta”

Plotësimi i standardeve të kërkuara nga Organizata Ndërkombëtare e Detarisë (IMO) për kualifikimin e marinarëve ka bërë që atyre t’u hapet rruga për t’u punësuar kudo në botë. Para pak muajsh, Shqipëria u hoq nga “lista e zezë” e IMO sa i përket zbatimit të kushteve të Konventës Ndërkombëtare për Standardet e Kualifikimit, Atestimit dhe të Shërbimit për Detarët 1978, dhe kjo menjëherë dha impakt. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, mbi 300 marinarë shqiptarë janë tashmë të punësuar në anijet e vendeve të rajonit duke përfshirë këtu Italinë, Spanjën, Francën etj.. “Impakti i parë ishte i menjëhershëm në fushën e ekuipazhimit, ku rreth 300 vetë janë punësuar, ndërkohë që grup tjetër prej 200 vetësh është në mbyllje të formaliteteve për t’u nisur drejt trageteve që operojnë në Itali dhe Spanjë”, – tha Gazmir Tahiri, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare. “Deri në fillim të verës, ky numër parashikohet të mbërrijë në mbi 1 000 vetë. Administrata detare është e bindur që, brenda fundit të vitit 2014, numri i detarëve të punësuar jashtë vendit do të mbërrijë në afro 5 000,” – ka shtuar Tahiri. Para pak muajsh, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, gjatë një vizite në Kapitenerinë e Portit të Durrësit, njoftoi vendimin e IMO për njohjen e kualifikimeve të detarëve që lëshojnë autoritetet shqiptare.

Ofertat për punë

Mësohet se, deri tani, mjaft kompani të huaja lundrimi, kryesisht ato që operojnë me tragete dhe kroçera turistike, kanë kërkuar personel të ri në ekipazhet e tyre. Ofertat e tyre për punë nisin që nga punonjësit e thjeshtë për hoteleri e kuzhinë dhe deri tek profesionet specifike të elektriçistit, saldatorit, marinarit, navigatorit, etj.. Madje, ka patur edhe kërkesa për njerëz me përgatitjen e nevojshme ushtarake, për të shoqëruar anijet që lundrojnë në zona, ku bëhen objekt i sulmeve pirate.

Reformimi i administratës detare

Vendimi i IMO erdhi pas reformës së thellë të iniciuar në administratën detare të vendit tonë, përmes miratimit të ligjit nr. 10109, datë 02.04.2099 “Për administratën detare të Republikës së Shqipërisë”. Reformimi solli zbatimin e një serie kushtesh që përcaktohen në konventat dhe marrëveshjet e ndryshme, duke bërë që vendi ynë të nisë e të dalë nga “listat e zeza”. Kualifikimet e detarëve shqiptarë tashmë njihen në të gjithë botën, duke u hapur rrugën atyre për t’u punësuar kudo. Ndërkohë, ende mbetet problemi i anijeve që lundrojnë me flamur shqiptar. Memorandumi i Mirëkuptimit i Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual 1982, në të cilin vendi ynë ka aderuar në vitin 2007, ende i përfshin anijet me flamur shqiptar në “listën e zezë”, sa i përket standardeve të sigurisë. Në këtë pikë, nevojitet edhe reformimi i Regjistrit Detar, i cili është autoriteti që çdo vit certifikon aftësitë lundruese dhe kushtet e sigurisë së një anije me flamur shqiptar. Regjistrit Detar i Shqipërisë ende kategorizohet si autoriteti me performancën më të keqe në Evropë. Kjo ka bërë që biznesi vendas t’u drejtohet anijeve të huaja për transport mallrash, ndërkohë që numri i anijeve me flamur shqiptar është gati përgjysmuar. Aktualisht kanë mbetur vetëm 14 të tilla.

 Çfarë është IMO dhe standardet që duhen plotësuar

Konventa Ndërkombëtare për Standardet e Kualifikimit, Atestimit dhe të Shërbimit për Detarët 1978. I gjithë aktiviteti lundrues në detra rregullohet, standardizohet dhe kontrollohet nga Organizata Ndërkombëtare e Detarisë (IMO), që është një agjenci e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Anëtarë të IMO janë aktualisht 170 shtete, mes tyre edhe Shqipëria, që prej vitit 1993. IMO, zyrat qendrore të së cilës janë vendosur në Londër, kryen aktivitetin e vet përmes afro 60 instrumenteve të ndryshëm ligjorë, që janë zakonisht traktate, marrëveshje dhe memorandume ndërkombëtare. Një nga këto instrumente ligjorë është edhe Konventa Ndërkombëtare për Standardet e Kualifikimit, Atestimit dhe të Shërbimit për Detarët 1978, e njohur ndryshe edhe si Konventa Ndërkombëtare STCË 1978, në të cilën vendi ynë ka aderuar në vitin 2000. Qëllimi i konventës është si sigurimi i një niveli të duhur përgatitje për marinarët, ashtu edhe krijimi i një tregu të hapur punësimi për marinarët kudo në botë.

Anijet me flamur shqiptar, ende në “listën e zezë”

Anijet me flamur shqiptar janë ende në “listën e zezë”, duke e bërë të vështirë ankorimin normal të tyre në portet evropiane. Krahas ekuipazhit, edhe vetë anijet duhet të plotësojnë disa standarde, që kryesisht kanë të bëjnë me nivelin e sigurisë, për të qenë të afta për të lundruar. Standardet teknike dhe të sigurisë të mjeteve të lundrimit rregullohen nga instrumente ligjorë rajonalë, që kryesisht kanë formën e memorandumeve. Gjatë tre viteve të fundit, është ushtruar kontroll në 24 anije të ndryshme me flamur shqiptar, kryesisht kur janë ankoruar në portet italiane dhe greke dhe gjithnjë janë konstatuar mangësi. Madje, në 38 raste janë lëshuar edhe urdhra bllokimi, që për disa anije kanë qenë të përsëritura dhe në një rast edhe urdhri i pengimit për të hyrë në port. Rasti më i fundit është ai i para pak ditëve, kur më 28 janar anija “Koravi” u bllokua në Otranto, në Itali. Vendi, flamurin e të cilit mban një anije, është përgjegjës për certifikimin e kushteve teknike dhe të sigurisë së saj, dhe për këtë Shqipëria gjendet në vendet e fundit të “listës së zezë”.