Gazetari i huaj në 1912: “Asnjë popull nuk i është ngjitur kalvarit të përuljeve sa raca shqiptare…”

708
Gëzim LLOJDIA

Një gazetar i huaj në 1912: “Asnjë popull në histori nuk i është ngjitur kalvarit të përuljeve lëndore, politike e morale sa raca shqiptare…”
Pa mbërritur mesdita e 28 nëntorit 1912 ose, më saktë, rreth dy javë më parë asaj kohe, shumë shqiptarë psherëtinin, se halli i Shqipërisë ishte shumë i madh. Por kombi ynë mbeti dhe nuk u rrokullis si shumë kombet të tjerë që u rrokullisën në humnerë. Ndërsa fqinji në veri synon Shkodrën me male deri në det, serbët po hapnin një shteg të gjatë deri në Durrës,kurse grekët donin të kapnin Shkumbinin. Pashiç-kryeministri serb rreth datës 7 nëntor 12 është shprehur kështu: “Shqipëria do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte të zbatohej për shqiptarët trajtimi që kishin në kohën e mesme kur bënin pjesë te shtetet bizantinë e serbe pa pasur privilegje të veçantë, por duke iu respektuar individualiteti dhe gjuha e tyre. Diku aty nga 14 dhjetori 1912, kryegjenerali grek ka pohuar “Ne kemi ndërmend ta ndajmë Shqipërinë mes grekëve dhe Serbëvet, mbasi autonomia shqiptare është e parealizueshme”. Kjo ishte atmosfera e vitit ’12, kur Ismail Qemali nga deti, Mithati me shokë nga toka u mblodhën në Vlorë duke sjellë shpresën dhe premtimin se “Shqipëria nuk kishte mbaruar”. Në 1912 ndriçimi shqiptar solli shpresën shqiptare duke i thënë botës, se ka një komb me histori, gjuhë dhe vullnet. Por ujqëria ballkanase e solli në udhëkryq çështjen me prerjen kirurgjikale të Kosovës. Një gazetar i huaj shkruan në periodiken “Flamuri” ku është shprehur “Asnjë popull në histori nuk i është ngjitur kalvarit të përuljeve lëndore, politike e morale sa raca shqiptare. Në qoftë se duhet të çuditemi për ndonjë gjë kjo është se ekziston gjithnjë në Shqipëri një ndenjë edhe pse e zbehtë dhe shpërndarë që priret nga pohimi, kahe drejt rilindjes së kombit.”

Ka një shqyrtim të hollësishëm të rrjedhojave mbi të cilat ka ecur historia jonë. Sa herë përhapeshin fuqimisht kryengritjet, aq herë nxirrej në pah rreziku i pavarësisë dhe lirisë.

Ka edhe një fakt tjetër që citohet në gazetën periodike “Flamuri”: Kryengritjet e vona të ballkanasve ndihmoheshin e zmadhoheshin dhe në kuvende ndërkombëtare shpërbleheshin. Përpjekjet shqiptare fillonin me guxim e përfundonin me frikë, sepse nuk kishte një fuqi e madhe si Rusia për sllavët, bullgarët dhe grekët, që t’i përkrahte të drejtat e ttyre aq sa përkraheshin padrejtësitë e fqinjëve. Lidhja e Prizrenit qe një kuvendim i madh dhe një kryengritje, ndërsa më vonë koha solli kirurgjinë më të madhe të kombit tonë nga jugu dhe veriu. Në 1912 Kosova humbi atdheun, Shqipëria humbi gjysmën e vetvetes shprehet periodiku “Flamuri”. Gjatë Luftës së Parë të Botërore nuk kanë munguar sërish kasapët që janë paraqitur me harta për të bërë një tjetër kirurgji, për t’u dhënë copa fqinjëve ardhacakë dhe në hartë të mbetej një Shqipëri e vockël. Por parimet e Ëilsonit dhe përpjekjet shqiptare kanë triumfuar. Ndërkaq në Luftën e Dytë të Botërore aeroplanë të huaj deshën të ndihmonin kryengritjen jugosllave duke hedhur trakte dhe harta gjeografike alla Karagjorgjoviç e çonin kufirin serb nga Shkodra deri në Drin. Mirëpo edhe pse u derdh aq gjak, shekulli XX ishte shekulli që regjistroi humbjen e madhe shqiptare, 1913-n, por edhe shekulli që solli dritëzën e parë me bombat e NATO-s në Kosovë. Ndërkaq shekulli XXI duhet të jetë shekulli shqiptar dhe kronika historike ku regjistrohet bashkëjetesa me fqinjët. Pas një historie të dhimbshme ku për 500 vjet Shqipëria u mbështoll nga guaska e rëndë e perandorisë osmane. Pas një errësire shekullore pritej ringritja, por rreziku i asimilimit, i zhdukjes, përzënies dhe gjenocidit duket se nuk kish kaluar. Ne prag të ndërrimit të shekujve barbaria e fqinjëve risolli vërshimin çnjerëzor serb, si në skenarët e hershëm ballkanas. Harta pushtuese lexohet: Në veri-shkjau serb, jug-grekët e pabesë. Zënia e luftës së përbotshme ishte më tepër se llahtari. Flamuj shtetesh pollën motet. Pasqyra e pushtimeve: përveçse sulme e pushtime varre të hapura, mortje të rënduar, arkëmorte të rëndë. Fytyra e tyre, pasqyronte:ushtri që infektonin vdekjen. Në këtë Babiloni pushtuesish, pushtimet do të klasifikoheshin, përveçse të egra, të përbindshme pushtime. Ata,që janë të pushtuar e dinë se ç’farë ngjyre ka në të vërtetë, pushtimi. Një shkrim i hedhur në internet thoshte se Zoti është shqiptar. Dhe nuk ka më bukur dhe më mirë. Zoti tashmë është shqiptar. Naimi, do ta deshifronte në këtë mënyrë, syrin e Zotit, që vrojtonte ligësitë e fqinjëve, para një shekulli: 

“Ç’sheh,është Zot i vërtetë,
ç’dëgjon është zëri i tija..

Pra, nëse besoni në Zot, nëse keni një fe, hiquni, zmbrapsuni nga ligësitë, ngase një ditë do të merrni të rëndat ndëshkime. Shqiptarët e Kosovës e vijuan rezistencën pas Luftës së Dytë të Botërore. Përpara këtyre katastrofave, riparimi bëhej gjithmonë e më i vështirë. E shtuan qëndresën duke shtuar edhe shumëzimin. Por momenti fund-fillesë shekulli 19-20, solli një zgjidhje të përkohshme: shkumëzoheni, për të përballuar pushtimet e rënda, për të siguruar si hap të parë, mbijetesën tonë. Në këtë mënyrë, ndryshoi grafiku i ekzistencës së shqiptarëve. Kështu nga përndritja e madhe, që ishte Rilindja kombëtare, pas kataklizmës ballkanike, shqiptarët kanë ndjerë se Zoti ka ndikim (një lloj dore), e përkthyer-mirësie- në çështjet tona kombëtare. Këto fjalë përbënin diagramën e rrahjeve të zemrës shqiptare, por në kohë të përndritjes sonë kombëtare. Kështu është vrojtuar se kombi ynë, ka edhe një grumbullim cilësish të mira. Kështu, që nuk mundet të merret si rastësi e historisë që na flet se ne kemi qenë ndër kombet e parë që kemi prejardhje nga pellazget dhe iliret janë paraardhësit tanë te njohur me ADN. Rilindësit ngrohën venat e ngrira të kombit. Një dervish shqiptar ka thënë këtë pasazh dashurie për vendin e tij: 

“Neve s’na sos Perëndia, 
se na ka ngjizur vetë 
Do të rrojë Shqipëria, 
sa të përmbyset kjo jetë.” 

Kjo nuk është thjesht muzë, ajo është përpjekja e atyre rilindësve, që në çdo ditë e çdo stinë, plotësuan kronikën e madhe të përndritjes kombëtare shqiptare. Ajo është “vula”, për kombin tonë. Jemi këtu, thotë ky dervish, që kur s’mbahet mend. Ky dervish është baba Meleq Shëmbërdhenji, rilindas i shquar. Nga thellësia e kohës dëgjojmë klithmën e dervishit rilindas. Duket, se prej andej ka mbërritur aksioma: “Pa atdhe, s’ka fe”‘, rubin i parë në këto themele, ishte libri i këtij dervishi, “Besim e fe”. Këtu jemi, që kur dielli e hëna s’kishte lerë, është shprehur poeti bektashi, Naimi ynë. Por përpara se tek poeti ynë të ndriçonte ora e territ, Naimi, i ishte adresuar me një lutje shenjtorësh Zotit: 

“Jepi shqiptarit dritë, 
Zot i vërtetë të shohë 
të marrë vesh mirësitë, 
të vërtetën ta njohë.” 

Midis atij trazimi të jashtëzakonshëm shpirtëror, që kishte ndodhur në Ballkan e kishte bërë, jo vetëm poetin tonë, por edhe rilindës të tjerë të kërkonin për ndihmë edhe rrugën e frymës së shënjtë, sepse nga të gjithë ballkanasit, popull më i sfilitur se shqiptarët nuk besoj të kishte. Sillen për këtë kohë shumë faktorë përcaktues, por lihet në hije, vetë tharmi i saj, vullneti i krijuesit tonë. Rrjedhat, që do të shoqërojnë zhvillimet shqiptare kanë edhe dorën e Perëndisë. Ndërkaq kjo nuk predispozonte se kombi ynë ishte i zgjedhuri i Perëndisë. Por urën e mbarësisë e qëroi vetë Perëndia. Po përse Zoti i dha këtë dorë mirësie kombit tonë ?Ishim një popull i vajtur në mes fqinjëve tinzar-pushtues. Nëse ky bekim nuk do të kishte ardhur asnjëherë,a do të kishte jetuar kombi ynë? Nëse, jetuam është edhe fryma shpirtërore dhe qëndresa e kahershme e jona. Kanë ardhur shumë kombe. Jetuan një pjesë, tek të tjerët zbriti nata. 

“Shumë kombe janë shuar, 
por shqiptarët kanë pasur
uratën e Zotit, që mbenë 
e kombi ynë, s`ka rënë poshtë.” 

Me këtë gjuhë zemre, me këtë pendë të florinjtë ka shkruar Naimi ynë, për ekzistencën e kombit tonë. Në fytyrën e tokës shqiptare, shfaqet fryma e një bukurie ballkanase, por me fytyrë mesdhetare, brenda suazës së Evropës. Ka parametra gjeografikë të mrekullueshëm vendi ynë. Me qindra germa plumbi kanë derdhur poetët, për të ravijëzuar natyrën e bukur. Por thellë, më tepër në padukshmëri, atje ku pamja është ngulitur fort, ishte ka parë fytyrën e Zotit. Për bektashinjtë dhe për Naimin panteist, kjo botë ka në gji krijuesin e saj. Edhe dëshira, aspirata e shqiptarëve për të ruajtur trojet e tyre u “magazinua” në formë lutjeje në “memorien hyjnore” një ditë. Kishte mundësi, që pas ndonjë kataklizmi ballkanike, përpara syve të shqiptareve të kryhej copëtimi i plotë. 

“_Çoniu shqiptare prej gjumit, çoniu…!”
Vikama e Pashko Vasës, ishte preludi, për të gjithë rilindësit. Më e kthjelluar, më brilante do të qe: “çohuni prej gjumit, sundimi i ëndrrës, po e humbet pushtetin!”. Kjo do të thoshte se koha e ëndrrës kishte përfunduar. Zhvillime të reja, priteshin në skajin tjetër. Kishte kaluar faza e parë. Prandaj u zhduk ëndrra. Fjala tani qëndronte në “tavolinën supreme. Dhe verdikti u dha qartazi: në 17 mars 2008 që do të shprehej se numrat 1 dhe 7 janë mistikë, kurse numrat p.sh numri tek 2-mund të lexohet, dy kombe shqiptare në Ballkan. Ndërsa dikur kanë qenë një dhe i pandarë.
Sigal