Gazetari i Bild: Isha vetë në Shqipëri

697
Sigal

Peter Tiede është reporteri i gazetës me tirazhin më të madh në Europë, të tabloidit të famshëm gjerman Bild, i cili një ditë më parë publikoi një artikull të gjatë lidhur me atë që po ndodh në vendin tonë dhe shkaqet që sollën këtë situatë.U soll i  përkthyer në shqip reportazhi e Tiede i cili hodhi dritë mbi dosjen 184, atë të blerjes së votave në Dibër gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale, ku rezulton i përfshirë, dhe kjo faktohet nga përgjimet, vetë kryeministri Edi Rama.

Gjithashtu, gazetari gjerman e konsideron Shqipërinë një shtet mafioz. Në shkrimin e prestigjiozes gjermane, thuhej se Shqipëria është shembulli kryesor, i një vendi kaotik në duar gangsterësh. Gazetari habitej sesi kancelarja Angela Merkel pret në Berlin kryeministrin Edi Rama, në një kohë kur vendi është i zhytur në kriminalitet, me përfshirjen edhe të personazheve të dhe pranë qeverisë.

Reagimet pas këtij artikulli janë të shumta, me maxhorancën që e konsideron të sponsorizuar dhe opozitën si tregues të realitetit. Vetë gazetari Peter Tiede ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se gjërat në Shqipëri, ku ai ka qenë i pranishëm vetë, nuk duken mirë. Kam shkruar njëherë diçka për Shqipërinë. Isha vetë atje. Gjërat nuk duken mirë në atë vend të bukur, shkruan Tiede.

“Shqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duar gangsterësh: Për më pak se një vit, opozita është tërhequr nga parlamenti- në protestë kundër korrupsionit dhe blerjes së votave nga qeveria. Prej dy vitesh, vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese- Kushtetuta e vjetër është shfuqizuar, e reja nuk është akoma në zbatim”, niste shkrimin për Shqipërinë në tabloidin Bild, gazetari Peter Tiede.

Mirëpo, pas këtij shkrimi, reagimet ishin të ashpra nga PS. Deputetja Blerina Gjylameti, doli sot në një deklaratë për shtyp nga selia e partisë, duke hedhur akuza të rënda në drejtim të opozitës, se ka paguar para, për artikuj në media të huaja, duke iu referuar pikërisht artikullit të Bild, shkruar nga reporteri kryesor i politikës, Peter Tiede.

Gjylameti tha ndër të tjera se “Ata që paguajnë para për të nxirë imazhin e Shqipërisë në botë, për të goditur ekonominë dhe turizmin, sot dalin dhe rrahin gjoksin krenarë për zullumet që i bëjnë Shqipërisë. Është e vërtetë, artikuj si ai i djeshmi në gazetën gjermane, i bëjnë dëm imazhit të vendit jashtë“.

Autori i shkrimit, Peter Tiede, i kontaktuar nga TPZ.al, u shpreh se deklarata e Gjylametit mbështetet në teori konspirative dhe sulme personale dhe se aludimi se ai ka marrë para është thjesht një çmenduri.

Ajo sigurisht bën të njëjtin gabim që bëjnë ‘politikanë’ të tillë: ata vendosin vetë që të tjerët e kanë gabim. Shpresoj, për të mirën e saj, që ky të mos jetë rasti dhe që thjesht të ketë tymosur gjëra të gabuara, siç themi ne në Gjermani. Ka shumë nga këto “gjëra të gabuara”. Më vjen keq që zonjës i janë shteruar argumentat që në fjalinë e parë – dhe se i duhet të mbështetet në teori konsipirative dhe sulme personale. Aludimi se unë kam pranuar para, është thjesht një çmenduri”, u shpreh Peter Tiede.

Para se maxhoranca të shigjetojë edhe gazetarët e huaj njësoj si ata shqiptarë të cilët i quan “kazan” pse raportojnë të vërtetën, duhet të kthejë njëherë sytë nga vetja, jo për të korrigjuar gabimet, sepse tashmë s’ka më kohë, por për t’i dhënë fund kësaj situate kaotike ku kemi mbërritur dhe ta pranojë realitetin ashtu siç është./Gazeta Mapo