Gazeta Telegraf/ Viti mësimor 2016-2017, nis me “firo” të 88 mijë nxënësve në sistemin parauniversitar

490
Sigal

Gazeta Telegraf/

Ministria e Arsimit, përveç bilancit që përmend në këtë ditë fillimi të
shkollës, padyshim që ka realizuar suksesshëm edhe punë të tjera, të cilat kanë
lidhje me gjëra teknike brenda strategjisë së saj, në funksion të rilindjes së
arsimit. Por ka edhe një fakt, që ky bilanc i publikuar si “arritje e nisjes
normale” të vitit shkollor 2016-2017, ka prapa “dekorit” shumë probleme të
tjera, të cilat, që të jemi të saktë, duhet thënë se jo të gjitha varen prej
punës së Ministrisë së Arsimit, por që janë pjesë e arsimit para-universitar.
Sot, po publikojmë një realitet që “Telegraf” e disponon me të dhëna krahasuese
me vitin mësimor 2015-2016. Gjithsej, sipas shifrës së deklaruar prej
Ministrisë së Arsimit, në shkollat e sistemit para-universitar, në vitin mësimor
2015-2016 ishin regjistruar 488 mijë e 938 nxënës. Nga këta, 58 mijë e 32 mijë
kanë qenë të regjistruar në arsimin parashkollor, 319 mijë e 66 nxënës në
arsimin bazë 9-vjeçar, ndërsa 108 mijë e 636 nxënës kanë qenë të regjistruar në
arsimin e mesëm me kohë të plotë. Por, ka pasur edhe një kontingjent tjetër
prej 3204 nxënësish, që u regjistruan në arsimin e mesëm, me kohë të pjesshme.
Ajo që nuk thuhet është fakti, që këtë vit mësimor 2016-2017, ka firo të nxënësve
të regjistruar në sistemin arsimor parauniversitar, pra nga kopshtet e fëmijëve
e deri në klasën e 12 të shkollës së mesme. Ja shifra e deklaruar nga Ministria
e Arsimit, në ditën e parë të fillimit të këtij viti mësimor: “Sot nis viti i
ri shkollor 2016-2017 në të gjitha shkollat në Shqipëri. Janë 392 mijë nxënës
që do të ulen në bankat e shkollës, nga të cilët rreth 27 mijë nxënës do të
nisin klasën e parë. Për 392 mijë djem e vajza, që i drejtohen shkollës dhe që
në këto çaste po bëjnë përgatitjet me prindërit e tyre. Për 30 mijë mësues dhe
edukatorë që, po ashtu, tashmë kanë përfunduar me përgatitjet e orarit, planeve
mësimore e klasave…”. Por një tjetër plagë e cila nuk është “mjekuar” dot as
këtë vit mësimor që nisi është infrastruktura e arsimit. Në shumë zona të
vendit mungojnë shkollat, të cilat ose janë rrafshuar, ose janë jashtë
funksionit. Kjo gjendje e cila tashmë dihet se ekziston në 30% të zonave të e
vendit, prej vitesh ka krijuar kontingjentin e analfabetëve të moshës 3-12
vjeçar, të cilët që prej lindjes e deri në këtë moshë nuk kanë pasur e nuk kanë
kontakt me librin, aq sa e njohin si objekt “letër”! Sipas statistikave që
pushteti lokal në zonat pa shkolla ose me shkolla deri në 5-8 kilometër larg
qendrës së banuar ku fëmijët nuk mund të shkojnë dot, rezulton se 17% e
fëmijëve të moshës deri në 14 vjeç nuk frekuentojnë shkollën. Pse? Nuk ka
shkolla nëpër zona. Mbyllja e shkollave fillore e 9 vjeçare nëpër fshatra dhe
“kolektivizimi” i nxënësve dhjetëra kilometra larg qendrave të banuara të tyre
në shkollat në qendër të ish-kooperativave, ua mbylli atyre mundësinë për
shkollim, mbasi viti shkollor nga 9 muaj proces mësimor, 5 muaj i ka dimër.
Por, të mos harrojmë edhe faktin, që 70% e zonave rurale nuk janë të lidhura me
rrugë makine e kjo krijon atë që quhet: Pamundësi fizike moshore e kohore, për
të përballuar dy herë në ditë “marshimin” drejt shkollës që ndodhet atje ku e
ka çuar ministria”!