Gazeta Telegraf/ Veliaj: “Kopshtet e reja me fluks kërkesash, kuota të rezervuara për fëmijët e familjeve në nevojë”

485
Përfundon rikonstruksioni i kopshtit “Bob Ndërtuesi” në Njësinë 8
Kopshti “Bob ndërtuesi” në Njësinë Administrative nr. 8 është kopshti i 22 që rikonstruktohet plotësisht   nga   Bashkia   e   Tiranës   dhe   ofron   ambiente  dinjitoze   për më   të   vegjlit   që   e frekuentojnë atë. Këto ambiente u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili deklaroi se investimi për fëmijët e qytetit është investim për të ardhmen e Tiranës. “Ndonjëherë të rriturit marrin më shumë kohë në vëmendje se sa fëmijët, por harrojmë se në një qytet me 1 milionë banorë, 250 mijë prej tyre janë fëmijë. Është më mirë kur dëgjojmë fëmijët dhe kur punojmë për ta, ashtu si çdo familje e cila së pari, kujdeset për fëmijët e vet”, u shpreh Veliaj gjatë përurimit të kopshtit. Ai tha se puna e kryer me kopshtet ka rritur ndjeshëm kërkesën e prindërve për të siguruar një vend për fëmijët e tyre në to, ndaj edhe bashkia, për të menaxhuar situatën, ka vendosur që të respektojë të gjitha grupet sociale duke përcaktuar kuota për shtresat në nevojë. “Do të kemi një sistem kuotash të rezervuara, sidomos për fëmijët që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, në nevojë, që kanë persona me aftësi të kufizuar, për t’u siguruar që edhe kopshti është një mikro-qytet ku përfaqësohen të gjithë, sidomos ata që janë nevojtarë. Tani që reputacioni i kopshteve publike është rritur, statistikisht kemi 11 aplikime për çdo vend që kemi në kopësht”, deklaroi Veliaj. Ai bëri të ditur se nisur nga kjo nevojë e madhe bashkia po punon edhe për zgjerimin e hapësirave të tyre. “Kjo flet mirë për punën, por do të thotë që kemi nevojë të zgjerohemi. Mënyra se si do të funksionojmë është se do të  respektojmë sistemin e kuotave për familjet  në  nevojë, për personat me aftësi të kufizuar, nga komuniteti rom, egjiptian etj”, shtoi ai. Kryetari i Bashkisësë Tiranës vlerësoi mbështetjen e madhe që dha komuniteti për rikonstruksionin e kopshtit nr. 6. “Falenderoj banorët sepse ka qenë një punë e përbashkët në komunitet. Bashkia ka bërë rolin e vet, por më vjen mirë që për herë të parë të gjithë banorët janë përfshirë në një aksion vullnetar për të ndihmuar, rregulluar, pastruar apo dhuruar diçka nga familja e tyre”, tha ai. Kryebashkiaku  Veliaj   tha   se   brenda javës   tjetër   përfundon   rikonstruksioni   i   të   gjitha kopshteve. “Për herë të parë Tirana do të ketë mundësi të thotë se kopshtet publike kanë përfunduar, janë moderne edhe në lagje të cilat kanë nevojë për më shumë vëmendje, por të paktën e themi me krenari që, çështjet e fëmijëve në këtë qytet kemi filluar t’i zgjidhim me çerdhet, me kopshtet, me këndet e lojërave dhe me shkollat që kemi filluar të ndërtojmë”, deklaroi Veliaj. Kryetari i Bashkisë kërkoi angazhimin e të gjithëve për të mirëmbajtur këto investime të rëndësishme në kushtet kur fondet e bashkisë janë të limituara.
__________________________________________________________________________________
Sigal