Gazeta Telegraf/ Qeveria jep 6 milionë euro për kompensimin e pronave të familjes Karagjozi

501
Sigal

Në zbatimin të vendimit
të Gjykatës së Strasburgut, qeveria shqiptare ka çelur fondet për kompensimin e
pronave për 21 anëtarë të familjes Karagjozi. Vendimi për kompensimin e tyre
është botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë pritet vetëm disbursimi i
menjëhershëm nga Thesari. Në shumën e dëmshpërblimit 5,9 milionë euro
përfshihet dëmi pasuror dhe jopasuror, si dhe kostot e shpenzimet, sipas listës
së kërkuesve. Vlerat monetare gjatë ekzekutimit të vendimit do të konvertohen
në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në
datën e kryerjes së pagesës.  Më pas ato
do të depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve në
vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit të Gjykatës Europiane për
të Drejtat e Njeriut, datë 7.4.2016. Pagimi i shumave të depozituara bëhet nga
Ministria e Financave pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për
kryerjen e pagesave nga fondi i kontingjencës i buxhetit të shtetit. Teksa
qeveritë shqiptare kanë dështuar në kthimin e kompensimin e pronës, dhe
ish-pronarët panë si zgjidhje Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në
Strasburg, buxheti i shtetit është para një rreziku serioz. Sipas të dhënave të
Avokaturës së Shtetit, 106 çështje që janë në pritje të shpalljes së vendimit,
që i përkasin periudhës pas vitit 2014, kanë një vlerë prej 556.524.809 euro,
shumë kjo sa 22% e të ardhurave të pritshme për 2015-n të buxhetit vjetor të
shtetit. Po sipas Avokaturës së Shtetit, gjithsej janë ekzekutuar 19 vendime
nga viti 2006 me një vlerë 18.295.547 euro, 2 vendime janë në ekzekutim me një
vlerë prej 5.412.800 euro. Ndërsa nga çështjet që janë në gjykim (14 çështje në
pritje të shpalljes së vendimit), që i përkasin periudhës para vitit 2014, kanë
një vlerë prej 24.000.000 eurosh. Në dy vitet e fundit, Fondi Monetar
Ndërkombëtar i ka vlerësuar faturat e “Strasburgut” për kthimin e pronave, si
rrezikun më të madh fiskal që i kanoset vendit. Nga një anë, vendimet e
Gjykatës janë të detyrueshme për zbatim dhe në rast se ndodh e kundërta, fatura
shtohet edhe më shumë nga kamatëvonesat. Nga ana tjetër, buxheti i shtetit në
kushtet që është sot, nuk mund të atribuojë një të tretën e tij për të
kompensuar ish-pronarët, pasi rrezikohen nevojat bazike të të gjithë shtetasve.
Në këtë situatë, ndërmjet presionit të Strasburgut dhe të pamundësisë së
përmbushjes së detyrimit qeveria shqiptare në ligjin e ri ka gjetur një formulë
kompensimi që rëndon tërësisht në kurriz të ish-pronarëve.