Gazeta Telegraf/ Prokuroria të hetojë 1750 akt-kontrolle false të bëra prej AKU në importin, prodhimin dhe tregun ushqimor

573
Sigal

Përparim HALILI

 

Duke e vlerësuar Autoritetin e Kontrollit Ushqimor, si një institucion dhe
shërbim shtetëror që ka në dorë sigurinë e shëndetit dhe jetës së konsumatorëve
deri në spitalet, çerdhet dhe kopshtet e fëmijëve (për të cilin do të flasim
nesër), gazeta “Telegraf” ka denoncuar vazhdimisht fakte të rënda abuzimesh të
drejtuesve, zyrtarëve, krye-inspektorëve, koordinatorëve, drejtorëve të AKU të
qarqeve, të komisionit të gjobave, të inspektorëve të terrenit dhe inspektorëve
në qendër të AKU, të cilët verifikojnë dhe kontrollojnë “letrat” e inspektorëve
të terrenit dhe deri tek abuzimi i laborantëve falsifikatorë, që me urdhër të
shefave në qendër e disa drejtori të AKU, firmosin e vulosin raporte analizash
false e fiktive, duke nxjerr standarde ushqimesh “të rregullta”, gjoja sikur këto
analiza janë bërë brenda orës e ditës për shumë produkte ushqimore kur ka
ankesa e denoncime, ose si detyrim analizash rutinë në PIK, në doganë, në
fabrika e treg, kur faktikisht në Shqipëri nuk ka… laboratorë për analiza
fiziko-kimike për to, por edhe që në vendet ku ka laboratorë të certifikuar
prej BE si psh., Italia (vendi më i afërt), këto analiza dalin minimalisht pas
30 ditësh! Lidhur me këtë realitet të veprimtarisë së qelbur e kriminale, të bërë
prej një pjese të inkriminuar të zyrtarëve të AKU në qendër e në qarqe, nuk ka
asnjë reagim dhe ndërhyrje prej shtetit e sidomos prej drejtësisë edhe pas
denoncimeve të shumta e faktike, të bëra prej “Telegraf”! Nuk mund të themi, se
drejtësia po hesht e nuk po vepron, ngaqë ndoshta… mund të ketë futur
“garuzhden” në krimin ushqimor që bënë prodhuesi, importuesi dhe tregu
ushqimor, apo në “çorbën e qelbur” të fshehjes së krimit ushqimor prej zyrtarëve
të AKU në çdo nivel! Ne kemi denoncuar me fakte e prova, krimin e fshehjes së
krimit ushqimor të bërë prej ish-drejtuesit Isuf Shehu dhe “hordhisë” së tij të
babëzitur, nepotike e të paaftë, të përdorur enkas në këtë krim në tregun e çokollatave,
të lejimit të mishit kancerogjen e të kalbur të importit, të tregut dhe
punishteve ilegale të qofteve, të pijeve alkolike, të tregut të gjësë së gjallë,
të ëmbëlsirave, të lejimit të përdorimit të qumështit pluhur nga një stabiliment
prodhimi banditesk që “stampos” produktet me gjoja 100 qumësht natyral e ujë
steril, por që kosi i tij nuk zë as si… “farë kosi”! Kemi denoncuar skandalin
e lejimit dhe certifikimit si “cilësore” të farërave dhe fidanëve pa kokrra,
shumicën e të cilave i ka biznes një zyrtare e lartë e AKU, ana e se cilës
“anon” nga kupola e korruptuar e AKU. Kemi denoncuar skandalin e futjes dhe lejimit
në treg, të pesticideve që nuk helmojnë e nuk zhdukin viruset dhe insektet, por
zhdukin dhe helmojnë bimët e pemët frutore që kur fara hidhet në tokë, që në rrënjë
kur mbinë, që djegin prodhimin që në lule, kokërr dhe në fazën e pjekjes. Kemi
denoncuar krimin masiv të grurit, misrit, krundeve e miellrave që futen nga
importi si tagji kafshësh dhe përdoren për prodhim mielli, buke masive e
biskotash. Kemi denoncuar super-krimin e vajrave që nxirren dhe përpunohen me
lloj-lloj druri  e kalbësirash të
xhunglës dhe lejohen të importohen, paketohen, etiketohen e futen në treg gjoja
si “vajra ushqimorë cilësorë me standarde të BE”. Pa harruar ushqimet e
bagëtive, perimet, frutat, zarzavatet, pulat kalbësira e kancerogjene, thertoret,
të brendshmet e bagëtive, peshkun, sallmrat, mishin e grirë me përbërje edhe
mish qeni, macesh e gomerësh të ngordhur, si dhe akulloret, petët e byrekut,
bazat e picave, ëmbëlsirat dhe ushqimet e paketuara për fëmijë, mishin e vajin
në “Fast-Foode” dhe restorante e mensa, deri tek misri i kokoshkave që vjen nga
importi dhe lejohet të përdoret vetëm për shpendët në kopshtet zoologjike në
Indi! Ky krim ushqimor ndaj jetës dhe shëndetit të shqiptarëve, bëhet prej
shefave të AKU dhe vartësve të tyre batakçinj, hajdutë e kriminelë të lidhur me
mafien e krimit ushqimor, që në shkëmbim të ryshfeteve financiare, firmosin
akt-kontrolle e analiza false produktesh në favor të importuesve, prodhuesve e
tregtarëve të ushqimeve vrasëse, siç është rasti i orizit plastik, për të cilin
inspektori i përkëdhelur i “oxhakut” të AKU, “cirkaxhiu” i ngjitjes së shpejt e
të lehtë pas çdo drejtori, “rreshter” Ledion Ilollari doli e deklaroi në media,
se në Shqipëri “nuk… ka asnjë kokërr orizi plastik kinez” dhe asnjë gramë,
apo copë produkti tjetër ushqimor me rrezik”, kur realisht në Shqipëri janë
futur e po shiten në treg “male” me oriz plastik dhe tonelata me ushqime
vrasëse! Madje, siç e di mirë edhe Ledioni i (mos)kontrollit, ose më saktë i “qëndisjes”
së letrave të kontrollorëve ushqimorë të terrenit në AKU qendrore siç i duhen
pazareve të pista me tregtarët dhe prodhuesit në Tiranë e në  qarqe, shumicën e këtij orizi plastik e
përpunon si “miell orizi” e petë byreku me miell orizi, një firmë me emër zone malesh,
të cilën (siç thuhet) Ledioni, një shefe prodhuese fidanësh, një inspektore me
pjesëtar familjeje në kupolën kryeministrore, një koordinator dhe një drejtor i
lartë në kupolën e AKU e kanë “shumë xhan” dhe po “punojnë” ta “ulin në kafe”
edhe me drejtorin e ri çam të AKU, siç u kanë premtuar edhe shumë firmave të
tjera të mishit, serave, bulmetrave, sallameve, ujit të ambalazhuar, vezëve,
pulave të vendit e importit, fermave të mishit e qumështit, pijeve alkolike,
bukës e miellrave, më troç, siç vepruan edhe me ish-drejtorin e parë të partisë
çame, të përzënë me ceremoni nga kolltuku i AKU! Kjo veprimtari e hapur mbrojtëse
e krimit ushqimor, që po vazhdon të bëhet në mënyrë të shfrenuar prej disa
zyrtarëve të lartë të AKU që ikin e vijnë me tesera e porosi partish, për të
mbushur thasët me miliona duke përdorur edhe me presion vartësit, duhet të bëhet
me urgjencë objekt i veprimit goditës të drejtësisë. Konkretisht prej
prokurorisë e cila duhet të sekuestroj e të zbardh 1750 aktet e kontrolleve
false, të bëra prej inspektorëve dhe të miratuara prej shefave të AKU, si dhe
gjithë gjobat e vendosura ndaj prodhuesve, tregtarëve e importuesve, të lëna në
fuqi, të anuluara e të lëna sa një “thërrime” prej komisionit që përbëhet nga
kupola e AKU! Gazeta “Telegraf” numrin e ardhshëm do të bëjë publikimin e
fakteve konkrete abuzive, të bëra nga 10 zyrtarëve të lartë të AKU qendrore, të
21 inspektorëve të kallëpit të inspektor “Ilollari” dhe të 7 drejtorëve rajonalë
të AKU…