Gazeta Telegraf/ Mirëmbajtja e rrugëve, Dashamir Xhika dublon kontratat me tenderë të dyfishtë

38

Teksa Autoriteti Rrugor
Shqiptar ka hapur garën për përzgjedhjen e katër operatorëve që do të
mirëmbajnë rrugët në të gjithë vendin përkundrejt vlerës 128 milionë euro për
një periudhë 5-vjeçare, në të njëjtën kohë po zhvillon tenderë të veçantë  për mirëmbajtjen e disa akseve. Në Agjencinë
e Prokurimit Publik, u shpall fituese kompania “Curri sh.p.k” për projektin
“Mirëmbajtje rutinë dhe dimërore me performancë aksi rrugor Qafë Bualli –
Krastë, 16.7 km, për  afat 24 muaj me
vlerë mbi 19 milionë lekë. Pesë ditë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte
shpallur hapjen e ofertave për shpalljen e katër kontratave të mëdha për
mirëmbajtjen e rrugëve në të  gjithë
vendin për një periudhë pesëvjeçare. Rezultatet ende nuk janë publikuar. Kosto
e mirëmbajtjes së rrugëve për pesë vitet e ardhshme llogaritet 128 milionë
euro, nga të cilat 65.9 milionë euro do të financohen nga Banka Botërore.
Mirëmbajtja e rrugëve është ndarë në katër kontrata për katër rajone.

Kontrata A: Në veri të
Shqipërisë, ku përfshihen rrugët në Shkodër dhe Kukës.

Kontrata B: Përfshin
mirëmbajtjen e rrugëve në rajonet e Dibrës dhe Tiranës.

Kontrata C: Përfshin
mirëmbajtjen e rrugëve në rajonet e Fierit, Elbasanit dhe Korçës.

Kontrata D: Përfshin
mirëmbajtjen në rrugët e Jugut, konkretisht në rajonin Vlorës dhe Gjirokastrës.

Qeveria e Shqipërisë ka
marrë financime nga Banka Botërore për përballimin e kostove për mirëmbajtjen e
rrugëve, duke shtuar edhe nga fondet e veta. Kontratat do të financohen
bashkërisht nga Banka Botërore dhe Qeveria. Burime nga sektori rrugor pohojnë
se rasti i mirëmbajtjes me performancë për aksin rrugor Qafë  Bualli – Krastë, nuk është mbivendosja e
vetme. ARRSH ka shumë kontrata dyvjeçare për mirëmbajtjen e rrugëve në të
gjithë vendin, teksa ka shpallur tenderin e ri të mirëmbajtjes për të gjitha
rrugët në pesë vitet e ardhshme. Burimet pohojnë gjithashtu se si pasojë e
këtyre shpërdorimeve, kostoja e mirëmbajtjes së rrugëve në Shqipëri është nga
më të lartat në  Europë, gati e njëjtë me
Suedinë (1000 euro për kilometër në muaj), ndërsa situata në terren e rrugëve
dhe akseve nacionale nuk i reflekton këto investime.