Gati prangat për sekretaret e gjykatave

549
Sigal

ELBASAN/ Gjykatësi zbulon skandalin, në dosjet penale mungonin pullat gjyqësore

Prokuroria e Elbasanit nën akuzën e shpërdorimit të detyrës ka nisur një hetim të hollësishëm për të gjithë personelin e sekretareve në Gjykatën e Elbasanit. Ky hetim filloi pasi rastësisht një gjyqtar ka zbuluar se, në dosjen penale mungonin pullat gjyqësore. Nga një verifikim paraprak rezultoi se, edhe në mjaft dosje të tjera u konstatua i njëjti problem. Ngjarja u bë problematike saqë ditën e enjten Prokuroria e Elbasanit kërkoi pezullimin nga detyra për të gjitha sekretaret e Gjykatës së Elbasanit. Fill pas këtij vendimi ka filluar hetimi për shpërdorim të detyrës. Hetimi ka nisur ndaj të gjithë personelit që merrej me sistemimin dhe arkivimin e dosjeve penale. Ajo çka është dhe më e rëndësishme është se ky vendim është mbështetur dhe nga Kryetari i Gjykatës së Elbasanit, Arben Vrioni, i cili ka kërkuar që Prokuroria t’i shkojë deri në fund këtyre hetimeve dhe të zbardhë të vërtetën mbi këtë akt të shëmtuar. Nëse konstatohet vjedhja e pullave mjaft, prej të cilave kanë vlerën e një shume prej 12 000 mijë lekë të vjetra atëherë gjykata ka bërë të ditur se, jo vetëm që do të pushohen nga puna personat përgjegjës, por do të kërkohet ndjekje penale ndaj tyre, duke u ndëshkuar për veprën penale që këto sekretare kanë bërë duke abuzuar rëndë me detyrën dhe shkelur ligjin në mënyrën më flagrante. Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë Prokuroria e Elbasanit në ditët në vijim brenda afateve ligjore, kohë kur edhe të kenë përfunduar hetimet. Në Prokurorinë e Elbasanit vetëm para disa ditësh janë rihapur hetimet për vepra të rënda penale të ndodhura në Qarkun e Elbasanit, ku vëmendja më e madhe është përqendruar në disa vrasje të bujshme të ndodhura në këtë qytet gjatë viteve të fundit, sepse ende kanë mbetur pa u zbuluar autorët apo akoma nuk është provuar se personat që janë ndaluar dhe dyshuar për krimin e vrasjes të jenë fajtorë.