Gati padia për firmën dhe drejtorin e ARRSH, Dashamir Xhika

613
Banorët e lagjes Shën-Koll, zona ku po ndërtohet aksi rrugor Elbasan-Cërrik, janë ngritur në protesta dhe denoncojnë për pasojat në jetën e tyre dhe familjarëve, firmën ndërtuese dhe drejtorin e ARRSH. Mbi 800 familje, që banojnë sapo mbaron ura e lumit Shkumbin përgjatë aksit rrugor deri tek vendi që quhet “kthesa e Mjeksit”, protestojnë ndaj papërgjegjshmërisë së stafit inxhiniero-teknik të firmës së ndërtimit të rrugës, e cila sipas tyre “jo vetëm e ka ngushtuar rrugën me gjoja projektin e ri, por prej 1 muaji dhe deri sot po na mbyt me ndotjen e madhe”. Sipas Krenarit, një banor i asaj lagje “firma qysh para 3 muajsh, që ka nisur punimet e saj, punon kuturu, stafi inxhinero-teknik ka krijuar defekte tek rrjeti telefonik, uji i pijshëm, tek kanalizimet e ujërave të zeza, rruga është ngushtuar dhe më e rëndësishme mbetet ndotja e madhe, nuk duken as makinat dhe as banesat, smogu po na mbyt dhe sëmurë fëmijët dhe pleqtë, janë rritur rastet e shtrimeve në spitale, kurse ankesat tona të bëra edhe tek drejtori ARRSH, që kalon pothuajse çdo javë në këtë aks rrugor kanë vajtur në veshin e shurdhër”. Banorët e asaj lagje kërkojnë për të 100 herë nga stafi dhe drejtori ARRSH masa urgjente, pasi kanë vendosur t’i përgjigjen heshtjes së tyre të qëllimshme me bllokimin e rrugës nacionale. Sipas tyre “ndotja e lagjes ka kaluar normat dhe kufijtë, nuk qëndron asnjë minutë jashtë në oborr pasi të mbyt smogu, tymi, kurse stafi inxhiniero-teknik i firmës merret me pazare dhe na injoron gjithmonë ne ankohemi, rruga që po ndërtohet, duhet lagur ditën dhe natën, pasi punimet e stërzgjatura po shkatërrojnë gjithçka kemi”. 
Heshtje edhe nga Agjencia Rajonale e Mjedisit
Dhe fakti është se prej 3-4 muajsh, qysh nga dita e fillimit të punimeve të aksit rrugor Elbasan-Cërrik, punimet atje ishin planifikuar të ecnin me ritme dhe afate të caktuara. Ishte caktuar data 30 dhjetor 2015 si afati i fundit që firma duhej të kishte hedhur asfaltin e segmentit Ura e Shkumbinit-Kanali “Naum-Panxhi”, por kjo nuk ka ndodhur pasi punimet atje janë ndërprerë qysh nga mesi muajit të kaluar. Por anët teknike dhe afatet ndoshta nuk u interesojnë shumë banorëve, sa u intereson eliminimi ndotjes, smogut të cilin e shohin si e keqja më e madhe. Banorët të tregojnë banesat e tyre të mbuluara nga jashtë deri brenda dhomave nga ndotja dhe smogu, që ngrihet deri në lartësinë e shtyllave të ndriçimit që kanë mbetur pa llamba prej vitesh. Duke parë dhe provuar mbi kurrizin e tyre, neglizhencën e shtetit dhe në rastin konkret edhe të drejtorit të ARRSH, ata kanë vendosur ta padisin atë dhe firmën në organet kompetente. Agjencia e Mjedisit në Elbasan ka bërë të paditurin dhe gjithmonë që njoftohet për të vajtur dhe konstatuar gjendjen e rëndë gjen gjithmonë nga një gënjeshtër, duke u bërë palë me shkaktarët e vërtetë të ndotjes, së një lagje të tërë. Padia e 800 banorëve të lagjes Shën-Koll (pas urës së Shkumbinit) do të bazohet edhe në kasetat filmike, ku vetë ata kanë regjistruar tmerrin, me të cilin po jetojnë prej 3 muajsh, si dhe raportet mjekësore për pleq dhe fëmijë, ku shkaku mbetet gjithashtu ndotja e shkaktuar. Protestës së banorëve, u janë bashkuar edhe shoqatat mjedisore të Elbasanit dhe disa drejtues lokalë. 
Sigal