Gati hetimi i tenderëve të karburanteve në ministrinë e Brendshme

678
– Do të hapen dosjet për çmimet e larta, cilësinë e ulët, favorizimet dhe skualifikimet klienteliste, moszbatimin e kontratave të furnizimit nga firmat fituese, praktikat e rimbursimit në treg, eksport-importe dhe lidhjet e firmave fituese me zyrtarët e kësaj ministrie

Furtuna e “Veting”-ut, nuk do të nisë nga “biografia”, por nga veprimtaria konkrete e zyrtarëve të shtetit, të çdo niveli. Sipas informacionit, një grup pune anti-krimi ekonomike-financiare, ka marrë detyrë të nis verifikimin e të gjithë dosjeve të tenderëve që kanë zhvilluar institucionet qendrore në Shqipëri, duke kryer blerje, shitje, shërbime e investime me subjektet private. Tenderi është praktikë ligjore, por sa është zbatuar ligji në zhvillimin e tenderëve me fondet shtetërore? Sipas informacionit, thuhet se hetimi do të nisë nga tenderët e karburanteve, të cilët përbëjnë afro 30% të shpenzimeve të administratës dhe shërbimeve publike! Për të qenë me i besueshëm, ministri Xhafaj, ka vendosur ta nisë këtë hetim nga tenderët e karburanteve të zhvilluar prej Ministrisë së Brendshme, institucion dhe shërbim, që për nga vetë specifika dhe aktiviteti që ka, harxhon sasi të mëdha karburantesh të çdo lloji, jo vetëm si ministri, por edhe në drejtoritë e policisë në qarqe, rrethe e shërbime dhe sektorë të tjerë si forcat speciale, policia rrugore, Garda e Republikës, Emergjencat Civile e shumë të tjera. Po kështu, duke qenë se Ministria e Brendshme, zhvillon pothuajse 90% të tenderëve të blerjes së karburanteve për institucionet dhe shërbimet qendrore, kjo përbën një pikë hetimi kryesore për procedurat dhe praktikat konkrete, duke u përqendruara tek çmimi i blerjes së tyre! Këtë hetim e ka nxitur fakti, që drejtuesit e ministrisë, kanë shpallur e zhvilluar tenderë karburantesh me fonde limit të larta edhe mbi çmimin me pakicë të tregut, duke abuzuara. Janë bërë blerje karburantesh, duke skualifikuar ofertues me çmime të ulëta dhe cilësi të lartë! Janë shpallur fitues firma që kanë ofruar çmime tepër të larta, cilësi të dobët dhe vonesa në zbatimin e kontratës për furnizimin e rregullt me karburante, madje edhe me origjinë malli të dyshimtë e të falsifikuar në dokumente! Janë shpallur fituese, firma me lidhje familjare me titullarët dhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, pro edhe me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO). Janë shpallur fitues, firma që kanë probleme të krimit fiskal doganor, tatimor dhe falsitete në numrin e të punësuarve, madje edhe firma të skeduara nga vetë shërbimi i anti-krimit ekonomik-financiar të policive rajonale. Linja e hetimit ndaj zyrtarëve që kanë abuzuar me tenderët e hidrokarbureve është shtrirë edhe tek disa kompani “fantazma e çapkëne” me familjarë shtetarë e ish-shtetarë, të cilat kanë futur në “thes” zyrtarët e ministrisë, duke përdorur mjetin e korruptimit! Pista tjetër që do t’i bashkëngjitet këtij hetimi, do të jetë edhe evazioni fiskal me tregun e import-eksportit të hidrokarbureve, pa përjashtuar blerjet nga kompania “Albpetrol” dhe kompanitë private, mbasi thuhet se mbas kësaj veprimtarie tregtare, fshihet abuzimi që këto firma klienteliste të Ministrisë së Brendshme e të shumë institucioneve dhe shërbimeve të tjera qendrore e rajonale, përfitojnë rimbursim të taksës 20% TVSH, me letra fiktive! 
Fakt pa koment
Zv/Kryeministrja firmos vendim qeverie, për të zëvendësuar kryeministrin
VKM nr. 590, datë 18.10.2017 “Për përbërjen e Këshillit Kombëtar të Ujit” 
Këshilli Kombëtar i Ujit, si organ qendror vendimmarrës, përgjegjës për administrimin e burimeve ujore të Republikës së Shqipërisë, kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje, këta anëtarë: 
1. Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit 
2. Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 
3. Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë 
4. Ministrin e Financave dhe Ekonomisë
5. Ministrin e Brendshëm;
6. Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 
Kur për shkaqe të arsyeshme, Kryeministri nuk mund të marrë pjesë në mbledhje, atëherë me delegim, në vend të tij merr pjesë Zv/Kryeministri, me të drejtë vote. 

ZËVENDËSKRYEMINISTRI 
Senida Mesi
Sigal