Gardisti kërcënon para Parlamentit gazetarin: “Të zhduk nga faqja e dheut. Nuk jemi “Bathorja” ne”!

64
Dje, paradite, në oborrin përpara Parlamentit të Shqipërisë, redaktori i “Telegraf” filmoi makinën e ministrit, e parkuar në oborrin e Parlamentit, e cila është në foto. Mirëpo, kjo shqetësoi, shoqëruesin gardist të ministrit, i cili kërkoi nga gazetari të fshijë fotografinë, ndryshe do ta pësojë nga ai me jetën e tij, duke i thënë, që do ta zhdukë nga faqja e dheut. Gazetari, edhe pse i thotë që është i atashuar në Parlament si gazetar dhe ushtron detyrën e tij, nuk e bindi gardianin e ministrit, i cili u acarua edhe më tej nga mosbindje dhe guximi i gazetarit dhe e kërcënon dhe e prek me dorë, duke i thënë: “Nuk jemi Bathorja ne, tani. Të fshij nga faqja e dheut, unë.” Vjen komadanti i ruajtjes së objekteve të Gardës, me gradë kolonel, por gardisti i ministrit i tregon edhe atij forcën e pushtetit, de facto është më epror nga koloneli i Gardës, dhe e urdhëron kolonelin e Gardës që ta nxjerrë me dhunë gazetarin jashtë oborrit të parlamentit. Ministrat janë acaruar përse media publikon shpërdorimet të taksapaguesve, që ata bëjnë me pushtetin ministror, meqë çdo javë blejnë makina mbi 60-70 mijë euro për veten e tyre, ndaj u kanë dhënë urdhër qehajave të tyre gardista, që të përdorin edhe dhunën ndaj çdo gazetari që guxon t’i filmojë makinat e tyre. Vetëm ky arësyetim logjikon harbutërinë e dhunshme të gardianit të ministrit, kërcënimet e tij ndaj jetës së gazetarit, madje këto kërcënime ndaj jetës bëhën nga ai në oborrin e parlamentit, në prani të të gjithëve. Kush e ushqen dhunën dhe kërcënimet e gardistit të ministrit? Madje, ky gardist edhe pse punonjës i Gardës Kombëtare, apo punonjës i Policisë së Shtetit, është kaq militant partiak, sa guxoi e pohoi “ Që ne nuk jemi “Bathorja”, duke aluduar se tashmë nga Garda Kombëtare janë zbuar të gjithë “Bathorasit”. Ministri i Brendshëm, u informua për dhunën që ushtroi gardisti ndaj gazetarit, dhe presim reagimin zyrtar, që konkretisht gardistët të tregohen të devotshëm në kryerjen e detyrës dhe jo të jenë qehajajtë e ministrave, duke cënuar të drejtat e Njeriut dhe ushtrimin e detyrës të gazetarëve.