Galeritë e Bulqizës kthehen në depo armatimi

578
Sigal

Njerëz të veshur me pushtet po krijojnë Gërdecin e dytë. Grupe mafioze e të armatosur ruajnë Zonën D

Roland QAFOKU

Në Bulqizë kohët e fundit vrasjet në minierë dhe jashtë saj janë kthyer në gangrenë, shkak për këtë janë kushtet e vështira në punë dhe problemet që evidentohen herë pas here me minatorët. Madje, këta të fundit kanë ngritur zërin dhe po kërkojnë që firmat t’u mbulojnë disa kërkesa, të cilat janë elementare. Kështu sipas minatorëve bëhet e ditur se, të gjithë punëtorëve të firmave private, në 8 vitet e fundit, nuk u janë paguar asnjëherë sigurimet shoqërore, duke i shkaktuar shtetit një dëm të madh kolosal. Kjo tregon që firmat private në Bulqizë janë zaptuar nga njerëz të veshur me pushtet, të cilët përdorin si nënkontraktore mbi 20 firma private të palicencuara, sepse duke bërë pazaret midis tyre, e kanë më lehtë të mashtrojnë shtetin e minatorët, sigurisht. Ata i kanë thurur aq mirë “rrjetat e merimangës” saqë edhe rastet kur ka pasur aksidente në punë janë mbuluar më së mirë. Rasti më i fundit është ai që ndodhi në Zonën D, ku dyshohet se vdekja e viktimës (që u hodh në greminë) nuk ka qenë aksidentale. Sipas minatorëve këtë rast e dinë jo vetëm ata, por edhe policia e rrethit Bulqizë, e cila nuk ka reaguar pasi është njohur me ngjarjen, por bën sehir dhe tregohet indiferente përball këtij akti kriminal që edhe qytetarët e dinë se kush është autori që duhet prangosur.

Minierat e nëntokës

Njerëz të lidhur me pushtetin i kanë kthyer galeritë e minierave të Bulqizës në depo armatimi. Në galeritë nëntokësore rrinë grupe mafioze, të armatosur me kallashnikovë, mitraloza, arka me municione e me çdo lloj arme tjetër të ish-ushtrisë shqiptare të para viteve 1990. Këta persona ndalojnë çdo person të panjohur të hyjë në Zonën D. Sipas burimit tonë konfidencial, galeritë janë mbushur me armë, me preteksti për t’i mbrojtur, por minatorët nuk po kuptojnë se nga kush po u vjen e keqja pronarëve të firmave, sepse nëpër galeri lëvizin vetëm minatorë, të cilët tanimë përveç rrezikut nga kushtet e vështira në punë, duhet të ruhen edhe nga ndonjë plumb apo se mos shpërthen ndonjë grant. Të ndodhura në këto kushte minatorët dhe qytetarët i bëjnë thirrje Kryeministrit dhe Qeverisë së re, që të merren masa sepse, Bulqiza po bëhet një Gërdec i dytë. Ata thonë, gjithashtu, se nga kjo pasuri kombëtare po merren edhe “kolonat mbajtëse”, të cilat mbajtën hapësirat e shfrytëzimit për gati 70 vjet me radhë. Nëse nuk merren masa do të shkaktohet një tërmet i fuqishëm artificial, i lënë në heshtje nga qeveria që iku. Po ashtu sipas qytetarëve po shfrytëzohen stoqet e kromit, ku në shumë raste janë bërë edhe burim aksidentesh me vdekje. Por kjo është pasuri kombëtare dhe jo e tre fiseve që kanë zaptuar Bulqizën dhe për çdo gjë bëjnë ligjin. Banorët me të drejtë kërkojnë të ndalohet shfrytëzimi i tyre, sepse kjo është pasuri e të gjithëve dhe duhet të jetë pronë shtetërore dhe të administrohet nga shteti. Në këtë qytet të gjitha firmat që kryejnë aktivitetin në minierë pretendojnë se kanë marrë licenca shfrytëzimi, kur kjo e drejtë e tyre është e shtetit që nëpërmjet pushtetit lokal, bashkisë apo zyrës së punës të administrohet më së miri, duke siguruar edhe punëtorët ashtu siç u takon me ligj. Dhe një herë e mirë të ndalohet shfrytëzimi i fëmijëve nga mosha 6 vjeç, i grave dhe i moshës së tretë.