Gaiani: Trafiku njerëzor problem në Ballkan, të rritet bashkëpunimi

472
Sigal

TIRANE – “Trafiku i qenieve njerëzore është një problematike e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe mënyra më e mirë për ta luftuar është përmes bashkëpunimit të vendeve fqinje.” Deklarata u bë nga ambasadori i Italisë në vendin tonë Massimo Gaiani gjatë një takimi me temë “Forcimi i luftës kundër trafikimit të personave dhe kontrabandimit të migrantëve në Ballkanin Perëndimor” në kuadër të projektit rajonal të IOM.

Në fjalën e tij ambasadori Gaiani, theksoi se trafiku njerëzor mbetet ende edhe sot një problem në vendet e Ballkanit Perëndmor,  që sipas tij përdoren nga trafikantët si vende transite apo qoftë edhe si vend burime.

Për të luftuar këtë fenomen, që sipas diplomatit italian ka një rritje të brendshme, duhet të intensifikohet bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit.

Në këtë drejtim, Gaiani nënvizoi se Italia ka qenë dhe do të jetë gjithnjë mbështetëse e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, me projekte të përbashkëta, që synojnë ta luftojnë trafikun e qenieve njerëzore.

“Trafiku njerëzor është një nga krimet më të këqija pasi përfshin krimin ndaj njerëzve dhe grupet trafikante përfitojnë shumë nga shfrytëzimi i njerëzve. Këto mund të jenë instrumente që mund të ccojnë në aktivitete të tjera kriminale si trafiku i drogës. Fenomeni i trafikimit të qenieve njerëzore është fatkeqësisht shumë i përhapur në Ballkanin Perëndimor, por ditët e sotme është një vend transit. Nuk duhet të harrojmë faktin se edhe sot mund të jetë vend burim. Gjithsesi ka një rritje të brendshme të trafikut njerëzor. Duhet përmirësuar bashkëpunimi mes vendeve fqinje për të luftuar trafikimin. Për shkak të procesit të globalizimit, duhet të rritet bashkëpunimi ndërmjet vendeve. Italia është inkurajuese e këtij bashkëpunimi, ne gjithmonë e kemi mbështetur, sikurse iniciative Adriatiko-Joniane. Jam i sigurt se projektet tona të përbashkëta do të ndihmojë në uljen e këtyre fenomeneve dhe nxitjen e luftës ndaj trafikimit njerëzor.” tha në fjalën e tij ambasadori Gaiani

Takimi u organizua nga IOM, ku të pranishëm ishin zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea dhe Drejtuesja e Zyrës së IOM në Tiranë, Alma Jani.