“Gabimet njerëzore” në tenderët që anulohen, tregues pazaresh korruptive që dështojnë e përsëriten

Vjollca KUTA

Fondet publike, “gjah” për pasurimin e drejtuesve të institucioneve dhe investime e shërbime që nuk kryhen

Tenderët me fondet publike në Shqipëri, nuk janë ‘bllokazh’, por portë e hapur korrupsioni, që realizohet në çdo nivel të qeverisjes qendrore dhe vendore. Mekanizmi për të përdorur tenderët si burim pasurimi është një praktikë që bëhet pa asnjë pengesë, duke përdorur ligjin si “mburojë” dhe justifikim për fondet që akordohen, të cilët në 80% të rasteve të investimeve dhe shërbimeve, zhvaten me letra fiktive prej atyre që organizojnë tenderët dhe prej atyre që shpallen fitues të tenderëve. Tenderët që institucionet, bashkitë, prefekturat, Këshillat e Qarqeve, shëndetësia, portet detare, aviacioni civil, ushtria, policia, kultura, punët publike, ministritë dhe gjithë institucionet e tjerë që marrin fonde publike nga shteti, ose që janë lejuar nga shteti të administrojnë pjesën e të ardhurave të tyre duke u mbajtur nën kontroll, duket se nuk kanë si tregues vetëm fiktivitetin në përcaktimin e vlerave të financimit, apo abuzimet dhe shkeljet ligjore në procedurat e zhvillimit të prokurimeve, por edhe një “detaj” tjetër, që zbulon skandalin e rëndë të “sekserizimit” të këtyre tenderëve. në “Buletini i prokurimeve Publike” të APP, në çdo 7 ditë bëhen njoftimet e gjithë tenderëve që zhvillojnë entet shtetërorë. brenda buletinit të APP, ka edhe një “rubrikë” e cila njofton anulimin dhe shtyrjen e tenderëve që nuk zhvillohen në datat e caktuara, mbasi dështojnë. Po përse dështojnë këto tenderë? A ka ndryshime specifikimesh në vlera e kritere konkurrimi, në njoftimet e përsëritura për zhvillimin e tyre? A verifikohen këto anulime? A vihen përpara përgjegjësisë, përgatitësit e procedurave, në raste ku tenderët dështojnë për shkak të punës së tyre? Këto janë pyetje, për të cilat do të flasim në vijim. Mjafton që drejtësia të hap çdo javë “Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike” (APP) dhe në çdo faqe të këtij buletini, mund të konstatoj krimin ekonomik financiar, që bëhet dhe maskohet në njoftimet dhe anulimet e tenderëve. Faktet e anulimit të tenderëve që po publikojmë sot, tregojnë se fondet publike janë “gjah” për pasurimin e drejtuesve të institucioneve dhe investime e shërbime që nuk kryhen, ndërsa gjoja “gabimet njerëzore” të shifrave të tenderëve që anulohen, janë tregues pazaresh korruptive të cilët dështojnë dhe përsëriten për shkak të pazareve që nuk finalizon mes zyrtarëve dhe firmave që u paracaktohen tenderët.

Shërbimet qeveritare, “publikojnë gabim” të dhënat e kontratave të tenderëve

DREJTORIA E SHERBIMEVE QEVERITARE 
Njofton se procedura me Nr. Ref. në SPE 31073 dhe objekt: “Sigurimi i automjeteve të Qendrës së Shërbimeve të Transportit” anulohet për arsye të hedhjes gabim të Njoftimit të Kontratës për publikim në sistemin e prokurimit publik. 

DREJTORIA E SHERBIMEVE QEVERITARE 
Njofton, se procedura me Nr. Ref. në SPE 30968 dhe objekt: “Sigurimi i automjeteve të Qendrës së Shërbimeve të Transportit” anulohet për arsye të hedhjes gabim, të Njoftimit të Kontratës për publikim në sistemin e prokurimit publik.

DREJTORIA E SHËRBIMIT TË TRUPIT DIPLOMATIK 1. Autoriteti kontraktor: Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik, (DSHTD), Rruga “Skënderbej” – Tiranë, Nr. Tel. + 355 - 4 22 22 756 
2. Lloji i procedurës së prokurimit: Shërbim Konsulencë 
3. Objekti i prokurimit: “Supervizion i punës Publike: Rikonstruksion i plotë i vilës nr. 88” 
4. Fondi limit :1 115 210 (një milion e njëqind e pesëmbëdhjetë mijë e dyqind e dhjetë), lekë pa TVSH 
5. Afati kohor për dorëzimin e kërkesës për shprehje interesi: Data: 15.05.2017 Ora: 10:00 
6. Afati kohor për dorëzimin e propozimit është: 
Data : 12.06.2017 Ora: 10:00 
Adresa: Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik Rr. “Skënderbej”, Pallati Nr. 4, kati 2, Tiranë. 
Afati kohor për hapjen e propozimeve është: 
Data: 12.06.2017 Ora: 10:00 
Adresa:Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik Rr. “Skënderbej”, Pallati Nr. 4, kati 2, Tiranë. 
Arsyet e anulimit: Procedura anulohet sepse autoriteti kontraktor nuk është më në kushtet e nevojës për këtë shërbim 

Vlorë/ Drejtoria e TEC: Kemi publikuar gabim të dhënat e tenderit
Në zbatim të Ligjit Nr. 9643, datë 20/11/2006 “Për Prokurimin Publik” si dhe VKM Nr.914, datë 29/12/2014 i ndryshuar “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, Autoriteti Kontraktor Termocentrali Vlorë SHA ju dërgon njoftimin për anulimin e procedurës kërkesë për propozim, të tenderit me objekt: “Blerje bova sinjalizuese”, pasi në sistemin elektronik te APP, janë ngarkuar gabimisht, dokumentet standarde të tenderit me specifikime të gabuara. 

Dibër/ Gjatë hartimit të tekstit të tenderit, vendosëm gabim çmimet në preventiv

BASHKIA DIBER 
Meqenëse në tenderin me objekt “Rehabilitim kanali ujitës Llixha-Brezhdan Kander dhe kanalit Gurra-Venisht, Bashkia Dibër” për shkak se gjatë fazës së ngarkimit të procedurës është ngarkuar gabimisht preventivi me çmime, mbështetur në VKM 914, datë 29/12/2014 “Për Miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik”, bashkia vendosi anulimin e procedurës së tenderit me objekt: “Rehabilitim kanali ujitës Llixha-Brezhdan Kander dhe kanalit Gurra-Venisht, Bashkia Dibër”.
Korçë, dy skandale nga tenderët e bashkisë 

Tenderi anulohet, mbasi fituesi është shpallur me vlerë më të madhe se humbësi
Autoriteti Kontraktor, Bashkia Korçë, njofton anulimin e procedurës së prokurimit, me objekt: “Sistemim-ngrohje për dhomat e zhveshjes (Rikualifikimi urban i zonës rrotull Qytezës së Fëmijëve)”, zhvilluar në datën 29. 09. 2017, bazuar në nenin 5, pika 5 të Ligjit Nr. 9643, datë 20. 11. 2006 “Për prokurimin publik”, për shkak se, mbas tërheqjes së ofertuesit të renditur në vend të parë, diferenca ndërmjet ofertës së kualifikuar në vendin e parë dhe vendit të dytë është më e madhe se 2% e fondit limit. 

Kemi gabuar në shifrat e tenderit, por fituesi quhet i ligjshëm
Për arësye, se nga ana jonë është bërë një lapsus në përllogaritjen e shumës së vlerës totale me TVSH, në procedurën e tenderit me objekt “Naftë”, ku nga 9.861.952 lekë, duhej shënuar 8.218.101 (Tetë milionë e dyqind e tetëmbëdhjetë mijë e njëqind e një lekë) pa TVSH, për nevoja të Ndërmarrjes së Shërbimeve Mbështetëse të Arsimit dhe Çerdheve.