Fushatë shpifjesh ndaj një amerikani të pafajshëm, të akuzuar për pjësmarrje në grushtin e shtetit në Turqi

826
Nga Jackson Diehl 

Më 15 korrik 2016, profesori i një universiteti amerikan, Henri Barkey organizoi një konferencë shkencore në një ishull pranë Stambollit, ku ishin të pranishëm dhe shumë akademikë të tjerë nga vende të ndryshme dhe tema kryesore e kësaj konference kishte të bënte me politikën e jashtme të Iranit. Atë natë, një grup brenda rradhëve të ushtrisë turke, organizuan tentativën e grushtit të shtetit për rrëzimin e qeverisë së Rexhep Tajjip Erdoganit. Tentativa e tyre dështoi shumë shpejt, por pasoi me një fushatë masive arrestimesh dhe persekutimesh, e cila vazhdon dhe sot e kësaj dite. Barkey pas konferencës, qëndroi dhe disa ditë të tjera në Stamboll dhe më pas fluturoi për në shtëpi. Për habinë e Barkey, ai u bë menjëherë shenjestër e një “arme” të re të përdorur në masë kohët e fundit nga politika; ndaj tij nisi një fushatë e ethshme me lajme të rreme (fake news), të sponsorizuara nga qeveria turke. Mediat pro-Erdogan pohuan se Barkey nuk ndodhej në ishull për të diskutuar me akademikët e tjerë tematika të politikës së jashtme të Iranit, por po drejtonte grushtin e shtetit për llogari të CIA-s. Për të gjitha ata që e njohin profesorin, një intelektual 63-vjeçar i veshur thjeshtë dhe që prej vitesh jep mësim në universitetin Lehigh dhe është aktiv në shumë shoqata “think tank” në Uashington dhe pjesë e stafit të planifikimit të politikave të jashtme të Departamentit të Shtetit, akuzat janë vërtetë qesharake. Por, pasojat në jetën reale tashmë nuk kishin të ndalur. Pesë akademikë turq që morën pjesë në atë konferencë, u pushuan nga puna dhe autoritetet konfiskuan pasaportat e tyre; njëri prej tyre u arrestua dy javë pas konferencës. Të premten, shtypi turk raportoi se një prokuror kishte lëshuar një urdhër arresti për Barkey. Prokurorët, ndërkohë kanë ngritur akuza dhe ndaj Metin Topuz, një punonjës i konsullatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, arrestimi i të cilit shkaktoi një krizë diplomatike ndërmjet dy vendeve para dy javësh, ku SHBA-të dhe Turqia pezulluan reciprokisht dhënien e vizave. Topuz nuk ishte i pranishëm në konferencën e organizuar nga Barkey dhe ky i fundit thotë se ai kurrë nuk e ka takuar atë. Muajin e kaluar, autoritetet turke arrestuan dhe një nga filantropët më të njohur dhe një ndër aktivistët liberalë më në zë në Turqi, Osman Kavalla. Sipas aktakuzës së paraqitur në gjykatë, ai mes të tjerash akuzohet se ka patur kontakte “me Henri Jak Barkey dhe të huajt e tjerë që ishin pjesë e grupit të organizatorëve të tentativës së grushtit të shtetit [15 korrik 2016]”. Dhe Kavalla nuk ishte i pranishëm në konferencë, por Barkey thotë se ata u takuan dhe folën shkurtimisht në një restorant në Stamboll. “Ai thjesht njihej me mua dhe kjo siç duket mjafton për të dënuar me burgim të përjetshëm një person”, më paralajmëroi profesori. Kavala, Topuz dhe Barkey janë vetëm tre prej 150 mijë personave të akuzuar, arrestuar, burgosur, pushuar nga puna dhe të persekutuar nga qeveria e Erdoganit gjatë 16 muajve të fundit, mes të cilëve dhe 150 gazetarë dhe 6 mijë akademikë. Por, rasti në fjalë është një shembull për të treguar se si lajmet e rreme (fake news) tashmë janë shndërruar në një mjet propagande për qeveritë autoritare, të cilat kanë ndjekur me kujdes mënyrën se si kjo metodë është përdorur me sukses nga Rusia dhe Presidenti Trump. Dhe më kryesorja, në të gjithë këtë histori, kur akuzat sajohen, jo vetëm faktet, por dhe besueshmëria janë fare të parëndësishme. Mediat sociale mund të përdoren lehtësisht për të bindur ndjekësit dhe mbështetësit e Trump dhe të Erdoganit në rrjetet sociale. Propaganda e sundimtarëve turq theksoi, për shembull, se Barkey kishte rekrutuar dhe vrasësin famëkeq, tashmë të dënuar, Scott Peterson. Peterson në fakt është arrestuar në Kaliforni. Por, pavarësisht kësaj: i pranishëm në atë konferencë ishte një gazetar amerikan me emrin Scott Peterson dhe jo personi i arrestuar në Kaliforni. Dhe sapo lajmi i rremë të përgënjështrohet, liderët politikë mund të kërkojnë hetime duke pretenduar se dhe ata vetë duan të mësojnë të vërtetat dhe të njihen me faktet. Objektivi kryesor i tyre nuk janë hetimet, por narrativa politike. Në rastin e Erdoganit, ai po përpiqet që të tregojë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përgjegjëse për tentativën e dështuar të grushtit të shtetit – një gënjeshtër që ai po përpiqet ta përdorë në marrëveshjet e tij me Uashingtonin. Mbi të gjitha, ai kërkon me insistim ekstradimin e Fethullah Gylenit, klerikut mysliman që jeton në Pensilvani, të cilin ai e akuzon për organizimin e grushtit të shtetit. Erdogani gjithashtu po përpiqet të shmangë akuzat, se qeveria e tij ofroi miliona dollarë për ish-Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn në këmbim të Gylenit. Ky është dhe justifikimi që ata përdorin për arrestimin e Barkey, Topuz dhe Kavalla, një aktivist sekularist i admiruar ndërkombëtarisht, të cilin Erdogani e konsideron si “Sorosin e Turqisë” dhe për lidhje me financierin liberal amerikan; ai gjithashtu pohoi se Kavalla dhe Topuz kanë lidhje me njëri-tjetrin, por pa thënë sqarime të mëtejshme. Pikërisht ky është dhe mashtrimi; përdorimi i lajmeve të rreme (fake news) pa pranuar asnjë përgjegjësi për to. Kryeministri i Erdoganit, Binali Yildirim, më ofroi një tjetër demonstrim të javës së fundit kur e pyeta, gjatë vizitës së tij në Uashington, nëse qeveria turke me të vërtetë besonte se Barkey drejtoi tentativën e grushtit të shtetit. “Nuk e di, nëse Henri Barkey drejtoi grushtin e shtetit apo jo”, u përgjigj ai, duke pretenduar se nuk ishte në dijeni për akuzat ndaj tij. Ai më pas tha se turqit janë të prirur të besojnë, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lidhje me tentativën e grushtit të shtetit, sepse Uashingtoni nuk pranon të dorëzojë Gylenin. “Ndonjëherë perceptimi mund të jetë më i rëndësishëm sesa faktet”, përfundoi ai. Ky, natyrisht, është dhe qëllimi kryesor i Erdoganit. Dhe, ndonëse masat e tij shtypëse janë shumë larg taktikave të ndjekura nga presidenti Trump, ia vlen që të nënvizojmë faktin se presidenti dhe mediat që e mbështesin atë, po promovojnë tashmë një lajm të rrëmë, sipas të cilit Hillary Clinton ka ndikuar në këmbim të pagesave korruptive, në shitjen e një kompanie uraniumi tek Rusia dhe po kërkojnë një hetim penal ndaj saj. Dhe deklaratat e Trump në takimin me homologun e tij turk në shtator, ku u shpreh se “Marrëdhëniet tona janë më miqësore se kurrë më parë”, nuk ngjajnë aspak të çuditshme.

https://www.washingtonpost.com/opinions/global-opinions/a-fake-news-campaign-blames-an-innocent-american-for-a-coup-attempt-in-turkey/2017/11/12/e4e54ad8-c559-11e7-aae0-cb18a8c29c65_story.html?utm_term=.f6bf9423598e
Sigal