Fushatë me raporte invaliditeti për të kapur sa më shumë vota më 18 Qershor

644
Nga LINDITA MALO
Militantët e partive piketojnë qindra hallexhinj duke i mashtruar me “raporte invaliditeti” të përkohshme dhe fiktive
Situata kaotike në qeverisje, shkarkimi dhe emërimi ministrave, ka sjellë kaos jo vetëm në institucionet e shtetit në qendër, por më shumë edhe në rrethe. Një rritje e aferave dhe rasteve të korrupsionit, vihen re dhe konstatohen kudo në strukturat vendore, por edhe në institucionet e shëndetit publik, duke shtuar problemet e qytetarëve por edhe duke ngushtuar lakun e tyre financiar. Ditët e fundit vihet re nisja e fushatës elektorale edhe në strukturat e tjera kryesisht në institucionet e shëndetësisë. Atë që ish-ministri Shëndetësisë Beqja e ngriti në sistem (korrupsionin) vartësit e tij që kanë lidhje direkt me hallet dhe problemet e qytetarëve, po e mbajnë në këmbë me egërsi, duke rritur dhe shfaqur dukshëm fenomenin negativ me gjithë format dhe mënyrat e mundshme. Krahas kaosit institucional, edhe afrimi fushatës elektorale, ka nisur të shoqërohet me “shpikje” të reja, forma të reja për të zhvatur jo vetëm para, por edhe për të kapur sa më shumë vota në 18 qershor. Burime nga dhjetëra qytetarë në disa rrethe të vendit, i thanë “Telegraf” se “persona të njohur dhe të panjohur, kryesisht militantë partie, po na afrojnë raporte invaliditeti “falas” në këmbim të votave, ata kanë nisur të shëtisin derë më derë, dyqan më dyqan, dhe po pyesin dhe afrojnë shërbime të tilla, në këmbim të votave, madje duke na shprehur gatishmërinë e tyre për ti ndjekur vetë problemet e hallet tona edhe në dyert dhe sportelet e institucioneve”. Rritja e numrit fiktiv të personave që trajtohen dhe përfitojnë sipas ligjit raportin e invaliditetit, natyrisht do të bëhet sipas “urdhrave dhe udhëzimeve” nga qendra për fushatën elektorale, por kjo padyshim ka edhe koston e saj financiare. Në rrethe dhe kryesisht në qytete me nivel ekonomik të dobët, pushteti po aplikon forma dhe metoda sa qesharake aq edhe të turpshme, duke arritur deri atje sa të bëhet “zemërmirë” me dhjetëra e qindra hallexhinj duke i mashtruar ata me “raporte invaliditeti” të përkohshme dhe ndoshta edhe fiktive. Kjo ka ndodhur edhe më parë me hallexhinjtë në mjaft qytete të vendit, dhe është përdorur dhe po përdoret si “karrem” për të kapur sa më shumë vota në zgjedhje. Mjaft qytetarë nga rrethet dhe qytetet e vendit, telefonojnë dhe denoncojnë “ofertat” mashtruese të komisarëve të fushatës, të cilët janë sulur drejt zonave dhe lagjeve ku banojnë kryesisht familje të papuna, familje që mbajnë frymën gjallë me ndihmën ekonomike, duke ju premtuar atyre jo vetëm bidonë vaji dhe thasë me miell, por edhe “raport invaliditeti”, pavarësisht se ka prej tyre që kanë 2-3 vjet që nuk e marrin atë, edhe pse i takon sipas ligjit pasi u kërkojnë ryshfet. Urdhri i “Të MADHIT” se “dua me çdo kusht fitore në 18 qershor, ndryshe ju piu e zeza”, mund të përkthehet në çdo gjuhë të mundshme të fushatës dhe pushtetit. Kjo për faktin se në fushatën e nisur qysh 3 muaj më parë, janë në provë dhe në garë padyshim edhe deputetët aktualë, edhe ministrat aktualë (ata që nuk u shkarkuan sezonin e parë) dhe mandati i tyre, varet vetëm nga votat e siguruara. Në këtë kuadër, nuk po kursehen edhe ata që prej vitesh kanë pasur halle dhe probleme me marrjen e një raporti invaliditeti, dhe që sot po u afrohet “falas” nga zemërmirët e fushatës. Aq e pranishme dhe e dukshme është kjo gjë, sa vetë hallexhinjve nuk u besohet se “halli i tyre u zgjidh si me magji”. Edhe ata nuk u besojnë syve dhe veshëve, kur në derë u troket njeriu i pushtetit dhe i thotë “hajde se ta zgjidhim ne hallin tënd, vetëm kujdes duam votat e familjes dhe fisit”. Kjo situatë, duket se po shoqëron gjithë kohën dhe periudhën e prag-fushatës elektorale në pothuajse gjithë rrethet e vendit, dhe natyrisht ndjehesh i turpëruar kur dëgjon dhe konstaton se për të mbajtur pushtetin e zgjatur qeverisjen, po bëhet gjithçka , madje edhe më mizorja, me shumicën e shqiptarëve hallexhinj. 
Box
Rrumpalla në qeverisjen qendrore rrit korrupsionin edhe në rrethe . Militantët “zemërmirë” kanë futur në thes me dhjetëra e qindra hallexhinj duke i mashtruar ata me “raporte invaliditeti” të përkohshme dhe ndoshta edhe fiktive. Pas disa muajsh do verifikohen procedurat dhe gjendja shëndetësore e të gjithë personave që janë shpërblyer me pagesën e Invaliditetit në këmbim të votës, dhe që të gjithë do të rikthejnë paratë në arkën e shtetit. Vetëm para dy vitesh një grup i strukturuar në sigurimet shëndetësore u kapën me receta të falsifikuara dhe një pjesë e tyre përfunduan në burg. E njëjta gjë po tentohet të bëhet edhe tani me sigurimet shoqërore dhe KEMP-et , ku po tentohet të futen në listat e invaliditetit emra fiktivë me qëllim marrjen e votës dhe atyre që u takon, jo vetëm që nuk u jepet, por edhe u hiqet invaliditeti duke i sorollatur nga rrethet në Tiranë. Zonat më të piketuara për këtë krim ekonomik pritet të jenë; Elbasani, Dibra, Lezha, Durrësi, Fieri etj
Sigal