Fusha e plehrave  helmon qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tijë

1352
Sigal

Agjencia Rajonale e Mjedisit nuk interesohet fare për mjedisin që ndotin 12 uzinat e ish-kombinatit Metalurgjik

 Fusha e plehrave në Elbasan, ose ndryshe e  cilësuar  si “bomba ekologjike” më e rrezikshme  pas ish-uzinave të Metalurgjikut, vazhdon të jetë  katastrofa e qytetit. Matjet e kryera  tregojnë se tashmë në rrezik është jo vetëm ajri por edhe ujërat e pijshme nëntokësore e veçanërisht lumi Shkumbin. Vend depozitimi i mbeturinave urbane në Elbasan ndodhet vetëm 1 km larg qytetit. Sipas matjeve të nivelit të ndotjes rezulton se në këtë vend ndodhen rreth 1.3 m3 ton mbetje urbane të papërpunuara. Për këtë shkak çdo here që ato digjen shkarkohen në atmosferë tym e smog që helmon qytetin. Matjet tregojnë se nga fusha e plehrave të Elbasanit shkarkohet në ajër dioksinë, një lëndë mjaft e rrezikshme për shëndetin. Situata përkeqësohet, kur plehrat marrin flakë. Në vetvete fusha përmban sasi të pabesueshme amoniaku, nitratesh e fosfatesh, hidrokarburesh, mbetjesh të ngurta etj. Por tashmë në rrezik të madh është bashkë me jetën e qytetarëve edhe lumi Shkumbin që ndodhet fare pranë. Studimet tregojnë se ndotja ka depërtuar deri në 3.5 m thellësi në nëntokë, duke molepsur ujin e pijshëm e ujërat e lumit Shkumbin. Rrjedhjet e ujërave të ndotura nga fusha e plehrave derdhen direkt në këtë lumë, duke ndikuar me pasoja katastrofike për florën dhe faunën e këtij lumi. Prej disa kohësh Bashkia, dhe personalisht kryetari saj zoti Qazim Sejdini, janë angazhuar për zgjidhjen e problemit. Në Elbasan janë zhvilluar disa takime me interesin direkt të Ministrisë së Mjedisit. Para disa muajsh në Elbasan diskutuan për këtë problem aktorë të tillë si përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Ekonomisë dhe Transporteve, Bashkisë Elbasan, Qarkut, Prefekturës Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe shoqatave të ndryshme. Ka një projekt për mbylljen e fushës së plehrave në qytetin e Elbasanit, i cili kushton rreth 3.5 milionë euro e që synon mbylljen përfundimtare të kësaj fushe dhe krijimin e një mjedisi ekologjikisht të pastër në këtë zonë. E ndërsa zoti Sejdini duket se e ka fituar betejën për të ndërtuar landfillin e ri, Agjencia Rajonale e Mjedisit, mbetet inekzistente, ajo pothuajse nuk interesohet fare për mjedisin në qytetin e 12 uzinave të ish-kombinatit Metalurgjik. Askush nga ARM e Elbasanit nuk teston dhe kontrollon ndotjen e cila çdo 5-6 ditë bëhet shqetësuese për banorët madje përgjatë orarit zyrtar, ajo agjenci gjendet e mbyllur sikur të mos ekzistonte. Më tepër se kudo tjetër në Elbasan, Agjencia Rajonale e Mjedisit duhej të ishte e pranishme në pikat e nxehta si uzinat e KURUM-it, apo edhe fusha e plehrave të qytetit, të bënte matjet e ndotjes, sasive të helmeve që çlirohen dhe të raportonte në Ministrinë e Mjedisit për shkaqet dhe pasojat. Akuza ndaj ARM shpesh vijnë edhe nga Bashkia e qytetit e cila ka mbetur e vetme në betejën për të ndërtuar landfillin e ri, dhe për të eliminuar maksimalisht ndotjen.

Artur AJAZI