Fusha e Maliqit rrezikohet të kthehet në kënetë, si dikur

2020
Sigal

Fusha e Maliqit rrezikon të kthehet në kënetë si dikur

Banorët e Maliqit djegin mbeturinat e të lashtave, rrezikojnë tokën torfike

 

Aktualisht 50 ha tokë në fushën e Maliqit, rrezikojnë të përmbyten nga shirat e vjeshtës dhe të dimrit, duke bërë kështu të pamundur mbjelljet e pranverës. Rënia e tokës nën nivel ka ardhur si pasojë e djegies së torfës. Tashmë toka ka një zbritje niveli prej dy metrash, gjë do të thotë se fermerët që e kishin në pronësi do ta humbasin përfundimisht si tokë bujqësore, duke vështirësuar edhe më shumë sigurimin e të ardhurave nga prodhimet bujqësore, pasi kjo sipërfaqe toke mund të mos mbillet më. Por edhe pse banorët e dinë mjaft mirë se me djegien e mbeturinave digjet edhe torfa, sërish nuk kanë hequr dorë nga djegia e barërave me zjarr.

Gjendja alarmante

Ajo çka po ndodh me sipërfaqet torfike të fushës së Maliqit u bë e ditur nga administratori i Njësisë Administrative Vreshtas, Çezar Bezati, pasi torfa e djegur i përket kësaj Njësie, por edhe nga vetë banorët, të cilët pohuan se banorë të Bashkisë Maliq, që gjenden në fshatrat pranë fushës së Maliqit, kanë nisur të djegin mbeturinat e të lashtave, bashkë me barërat, shavaret dhe bimë të tjera që ndodhen mbi sipërfaqen e tokës, por ky fenomen sjell pasoja të shumta për pjesën torfike të kësaj fushe, sepse, sipas specialistëve, në raste djegiesh të mbeturinave dhe të barërave, njëherazi digjet edhe toka torfike; për pasojë niveli i saj bie ndjeshëm dhe kjo bën të mundur që gjatë stinës së vjeshtës pjesa e tokës nën nivel të shndërrohet në rezervuar dhe, për pasojë ose nuk mundësojë mbjelljen e tokës, sepse gjendet nën ujë, ose mundë të përmbytet në çdo kohë, edhe gjatë stinës së verës, kur ajo është e mbjellë

Fusha e Maliqit rrezikon të kthehet në kënetë

Aktualisht, sipërfaqja e fushës së Maliqit është mbi 13 mijë hektarë, nga të cilat pjesë torfike janë 8 mijë hektarë, (më shumë se gjysma) por nëse vijohet me djegien e saj, pjesa torfike do të vijë duke u zvogëluar nga viti në vit, pasi edhe pa u djegur ajo pëson rënie. Për pasojë fermerët do të humbasin tokën nga e cila sigurojnë gjithë të ardhurat. Por ka edhe nga ata që mendojnë se më shumë të ardhura mund të sigurohen nga këneta sesa nga prodhimet bujqësore, duke kujtuar kënetën e dikurshme, ku rreth saj kishte lokale, varka, gjueti, edhe turizëm, vizitorë të huaj dhe vendas etj. Ndaj është e nevojshme që fermerëve t’u sqarohet përfundimisht çfarë humbasin nga djegia e torfës dhe çfarë mund të fitojnë, nëse kthehet në kënetë.

Këneta dikur…

‘Liqeni i Maliqit përbëhet prej 60.000 dynymësh; 2/3 janë tokë e plehëruar shumë mirë dhe një 1/3 gjendet nga ana e fshatrave Zvirinë- Sovjan. Maliqi është në ujë. Në liqen ka ngjala, krap, vitra, një farë kastori dhe në kënetë dhelpra, ujq derra etj. Në këtë kënetë gjenden pata prej të vendit të mëdha, të zgjuara shumë, të dëshiruara dhe rosa , ndofta më tepër se 12 lloje, nga të cilat pëlqehet rosa e vendit, si më e madhe, me shije, më e lehtë për t’u vrarë. Një ditë shkuam për rosa në Sovjan. Shoqëria përbëhej prej 5 vetash, shumicë e të cilëve gjahtarë të huaj dhe të gjithë shkojmë për të parën herë. Kur arritëm atje, pa gdhirë, pamë një dritë në një dyqan; me të qëndruar automobili, i zoti i dyqanit zoti. F. S., doli dhe na ftoi të hynim në dyqan se kishte zjarr të mirë. Pyetja e parë, ishte: Ku do të gjejmë lundra për të hyrë në liqen? Zoti F. S., thotë: Mos u bëni merak, posa ardhtë këtu, tani është puna jonë. Pasi na gostiti me kafe, zotëria doli përjashta dhe thirri një zotni tjetër me emrin B., i cili me gjithë qejf dhe plot mirësi na bëri lehtësitë e duhura. Ende është herët, por lundrarët, (të zotërit e lundrave), erdhën; dhe ata përpara dhe ne pas, nëpër ullishta plot baltë, dolëm në anën e liqenit. Aty i përshëndoshëm disa rosa që na shkuan mbi krye, me një batare. Lundrat janë një farë govate të gjata, primitive të ngara me një lopatë dhe marrin dy veta. Në vend të fronit na shtruan një krah me barishte. Zumë vend dhe morëm drejtime të ndryshme” (fragment nga “Gazeta e Korçës”, e hënë, 25 janar 1927)