Fullani në Kuvend për vjedhjen Braçe: Tolerancë 0 përgjegjësve

553
Sigal

TIRANE– Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe ka theksuar se duhet të tregohet tolerancë zero ndaj çdo përgjegjësi lidhur me vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë. Pas raportimit të Guvernatorit Ardian Fullani në Komisionin e Ekonomisë lidhur me këtë çështje, deputeti i PS, Braçe në një deklaratë për mediat theksoi rëndësinë e një hetimi gjithëpërfshirës për nxjerrjen e përgjegjësve. Për hetimin e çështjes, sipas Braçes duhet të ketë një përfshirje më të madhe të të angazhuarve nga Prokuroria. Ndërsa duke u ndalur tek vonesa në evidentimin e këtij rasti, deputeti Braçe tha se “Ka dështuar deri te auditi ndërkombëtar i bankës”. “E përsëris nga i pari deri tek i fundit, jemi në proces se them dot sot se kush e mban përgjegjësinë e drejtpërdrejtë, hetimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfshijë ekspert të organit të prokurorisë më shumë sec ka sot, të angazhuar në hetim. Duhen më shumë njerëz për të ndëshkuar me tolerancë zero cilindo që është pjesëtarë në këtë krim. Kërkoj që prokuroria të përfshijë më shumë njerëz në hetim dhe hetimi të jetë gjithëpërfshirës”, u shpreh Braçe. Sipas kreut të Komisionit të Ekonomisë, vjedhja e 713 milionë lekëve nga thesari i BSH, ka cenuar imazhin e këtij institucioni dhe të gjithë vendit. Ndërsa duke u ndalur tek raportimi i Guvernatorit Fullanit dhe anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës së BSH në Komisionin e Ekonomisë, Braçe tha se u dha informacion lidhur me atë çfarë ka ndodhur. “Jemi në fazën e marrjes së informacionit dhe analizimit të përgjegjësive për të gjithë që nga guvernatorit, dhe deri tek çdo qytetar që është i ngarkuar me përgjegjësi. Morëm informacion të detajuar lidhur me gjithë çfarë ka ndodhur në BSH lidhur me ketë ngjarje. U informua edhe mbi masat e mara për të rikthyer sigurinë në këtë institucion. Me këtë ngjarje është cenuar rëndë imazhi i BSH dhe vendit. Kemi kërkuar tolerancë zero për cilindo që është përfshirë në këtë veprimtari kriminale, duke nisur nga guvernatori deri të punonjësi i fundit. Në aspektin administrativ, ligjor, dhe penal, duhet të punohet për të nxjerrë përgjegjësitë e plota për gjithë zinxhirin që është përfshirë në këtë rrjet. Vlera e vjedhur nuk është më e madhe se 713 mln lekë”, u shpreh deputeti Braçe.