Fullani e ka futur gjithë politikën “kokë e këmbë” në thes(ar)

606
Sigal

Pas skandalit të vjedhjes në Bankën e Shtetit, u tha se Fullani “ra”. Por as nuk u lëkund. I u vërsul media, me publikim fotosh të djalit, duke fshirë djersët me 500 euro, me koleksione eurosh, veturash, bizhuterish floriri e banketesh luksoze. Nuk i lëvizi as “qerpiku”. Iu publikuan bëmat me financat e bankës, të bërë “rrush e kumbulla” me shpërblime për drejtuesit e lartë të bankës, për dhomë gjumi brenda në zyrë, për udhëtime milionëshe jashtë Shqipërisë, për dreka e darka pa fund. Përsëri nuk e prishi qetësinë, përkundrazi vazhdonte të ndante shpërblime për pushimet verore edhe kur shqiptarët ulërinin për largimin e tij. Iu publikuan pasuritë vila e llogari bankare të shumta e të fuqishme. Bëri sikur nuk dëgjoi. Foli deputeti Erjon Braçe për zullumet e Fullanit, por nuk e mbështeti asnjë tjetër. Fullanin nuk e ngacmonte aspak zëri i Braçes. U mblodh Këshilli Mbikëqyrës, ku vetëm Ermelinda Meksi hodhi disa “parulla” për shkarkimin e Fullanit, por pa asnjë fuqi vepruese për ta shkarkuar. U mblodh përsëri Këshilli Mbikëqyrës, por nuk e futi fare në rend të ditës shkarkimin e Fullanit dhe doli me një deklaratë të lexuar nga Fullani, për sukseset, vigjilencën dhe mosshkarkimin e Fullanit. E mbylli luftën kundër tij, me deklaratën në media, duke thënë: “Puna në bankë po vazhdon normalisht”. Po vazhdojnë të mbledhin firma kundër Fullanit, por atij i duken letra pa vlerë, tamam si copërat e letrave që Bitraj fuste në kutitë e thesarit. I publikuan nepotizmin në punësimet në bankë. Pas publikimit të listës me emrat e drejtorëve e shefave familjarë e të afërm të politikanëve, Fullani në vend të strukej, mori fuqi dhe nuk përfillte askënd. E kështu vazhdon të mos përfill askënd, madje të kërcënoj mediat dhe ata që falsin për largimin dhe abuzimet e tij. nuk ka si të ketë frikë Fullani, kur nga 502 punonjës që ka Banka e Shtetit me e pa orar të plotë pune, 467 janë me lidhje të afërta familjare e politike me njëri-tjetrin. Afro 280 janë familjarë të afërt të Fullanit e të politikanëve të lartë të pozitës e opozitës. Rreshti i listës poshtë “VIP”-ave familjarë, përbëhet nga lidhje të tjera familjare, politike e shoqërore me kupolën e bankës, e cila ka lidhje me kupolën e politikës. Në Bankë, nga sa pamë nga struktura organike e punonjësve, e nga sa dëshmon “borderoja” e bankës, punojnë në detyra të larta familjar, krushq, nipër, mbesa, kunetër, dajo, xhaxhallarë, dhëndurë, teze, halla e vjehrra, bashkëshortë e motra të guvernator Fullanit, të bashkëshortes së Fullanit, familjarë deputetësh, ministrash, diplomatësh kryepolicësh, gjyqtarësh, prokurorësh, shefash të SHISH, bosësh të botës së biznesit e deri bashkëshortja e presidentit dhe familjarë të ish-presidentëve, ish-kryeministrave, ish- kryeparlamentarëve etj.. Çdo zyrë dhe cep i bankës është mbushur me “ushtrinë” e familjarëve, të afërm e të njohur të njerëzve të lartë të politikës e shtetit. Guvernatori Fullani, nga Bankë Shteti e ka kthyer në BANDË FAMILJARE, ku qeverisjet sipas interesave e qejfeve të Fullanit dhe “ushtrisë” së tij familjare e politike. Pikërisht kjo “ushtri” nepotike e mbrojti dhe e mbron Fullanin. Madje, kjo e mandatoi përsëri në vitin 2011 me mbështetjen e plotë të ish-pushtetit dhe pa kundërshtime nga politika. Asnjë nga krerët e lartë të politikës e të pushtetit nuk doli të distancohej nga “bosi” Fullani, përkundrazi e morën në mbrojtje me heshtje e me ca deklarata që nga “shef” të hajdutëve e abuzator me fondet e bankës, e bënin Fullanin “hero të bankës”! Kjo tregon se Fullani është më i fortë se politika. Ne nuk e dimë ende se deri ku ka shkuar fuqia e kontrollit dhe diktatit të Fullanit  mbi kupolën e politikës shqiptare, por dimë faktin që përballë skandalit të tij heshtën të gjithë, u lëpinë, mbajtën fjalime “nderimi” për të dhe inskenuan në prapaskenë mos rrëzimin e tij nga bos i bankës së Shtetit. Politika majtas e djathtas, në rastin “Fullani” manifestoi aleancë të heshtur. U hesht aq brutalisht, sikur diku në periferi të jugut, apo veriut, të ishte vjedhur arka 6 mijë lekëshe e një filiali poste, apo CEZ-i e jo sikur aty ishte vjedhur thesari i shtetit, brenda në Bankën e Shtetit, nga punonjësit e bankës, nën heshtjen e guvernatorit të bankës së shtetit. Me heshtjen e tyre tipike si viktima përballë krimit të saj, pozita dhe opozita dëshmuan qartazi, se “profesor” Fullani, i ka futur gjithë krerët e politikës e të shtetit “kokë e këmbë” në thes(ar). Nuk e dimë nëse parlamentarët shqiptarë, qeveritarët e dhe opozitarët së bashku ose veç e veç, do të kenë “këllqe”  e fuqi të dalin prej thes(ari)t ku i ka mbledhur e i futur Fullani për ta larguar nga drejtimi i bankës, por dimë faktin, që prej mbi 20 ditësh nga skandali i rëndë, ata heshtën deri në atë derexhe, sa as nuk guxuan të belbëzonin as distancim prej tij, as duke pëshpëritur as nga brenda thes(arit), ku janë futur. Qenkërka më i fortë Fullani, ndaj i bënë ata të heshtin e sillen me përulje edhe përpara sandaleve më të rënda të tij.

Përparim HALILI