Fshirja e detyrimeve, fitojnë mbi 11 mijë tatimpagues

475
Mbi 11 mijë tatimpagues kanë përfituar nga ligji “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit”. Në zbatim të tij dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi, se pasi përmbylli me sukses procesin e fshirjes së detyrimeve për mosdeklarim në afat, zbatoi fazën e parë: Fshirja automatike e detyrimeve të papaguar të interesave për pagesë të vonuar, si dhe çdo penaliteti për të cilin nuk ka principal të papaguar, për periudhat mujore deri më 1012 (Dhjetor 2010, përfshirë) dhe periudhat vjetore deri më 10-A (përfshirë). Prej fillimit të gushtit, nga fshirja automatike e këtyre detyrimeve, për periudhat e përcaktuara sipas nenit 5 të ligjit 33/2017, janë ekzekutuar 50.430 raste ku kanë përfituar në total 11.577 tatimpagues. Nga fshirja automatike kanë përfituar të gjithë kategoritë e tatimpaguesve që kanë pasur detyrime të tilla, pavarësisht nga statusi i tyre aktual. Llojet e detyrimeve që janë fshirë nga sistemi elektronik për pagesë të vonuar janë interesa për pagesë të vonuar, gjoba për pagesë të vonuar dhe dënime administrative. Të gjithë tatimpaguesit që kanë përfituar do të gjejnë në llogarinë e tyre elektronike njoftimin përkatës. Procesi i fshirjes automatike do të vijojë hap pas hapi me çdo zë që parashikon legjislacioni, bëjnë të ditur tatimet.
Sigal