Fronti minoritar grek në Shqipëri, ende nuk ka konkretizuar aleancat parazgjedhore

467
Sigal

SARANDË/ Edhe takimi i djeshëm i kreut të PBDNJ, Vangjel Dule dhe drejtuesit të MEGA-s, Kristaq Kiço nuk solli asgjë të re

Pas zhvillimeve të ditëve të fundit, ku organizata “OMONIA” ka zhvilluar një mbledhje në qytetin e Sarandës, qytet ku ka edhe selinë qendrore, ditët e para të kësaj jave janë shoqëruar me takime kokë më kokë midis dy kryetarëve të minoritetit grek, atij të MEGA-s Kristaq Kiço dhe kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Përsëri e njëjta situatë e mbetur pa zgjidhje: Kreu i PBDNJ ka kërkuar shkrirje të forcave politike në një forcë të vetme, ndërsa opsioni i MEGA-s është futja e të dyja forcave në një formacion, por me identitetin e tyre dhe niveli i arritur të përcaktojë kandidatin e forcës politike në përfaqësinë e Parlamentit. Kjo nuk është pranuar nga PBDNJ, duke i mbetur opsionit të ngritur si alternativë në takimet dhe bisedimet e para një muaji. Po çfarë ka ndodhur në mbledhjen e fundit të organizatës “OMONIA”? Në mbledhjen e fundit të “OMONIA”-s fillimisht është mbajtur mbledhja e kryesisë dhe më pas mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të sajë, por rishtas pas mbledhjes së kryesisë duke mbajtur sekret diskutimet. Por sekret nuk kanë qenë diskutimet e Këshillit Drejtues të “OMONIA”-s, pasi burime të besueshme të gazetës “Telegraf”, kanë konfirmuar se një nga pikat më të diskutueshme ka qenë situata parazgjedhore e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Në fakt marrëdhëniet midis “OMONIA”-s dhe dy partive politike që përfaqësojnë minoritetin etnik grek në Shqipëri, PBDNJ e Vangjel Dules dhe MEGA e Kristaq Kiços, i ngjanë me të vërtet kushteve klimaterike të 1 prillit të paqendruar, herë me shi, herë të vrenjtur dhe herë me diell. Në mbledhjen e fundit është thënë se pritet përgjigjja e ftesës së PBDNJ (që nuk është e para) drejtuar MEGA-s. Ajo ende diskutohet në strukturat drejtuese të kësaj të fundit, por kushti i vendosur në ftesë që PBDNJ i dërgon MEGA-s, se numri një i listës së deputetëve të dalë nga bashkëpunimi dhe bashkimi i të dy forcave të jetë nga PBDNJ dhe numri dy nga MEGA-s, nuk është i pëlqyeshëm dhe i pranueshëm nga këta të fundit pasi nuk janë marrë asnjëherë dy deputetë në një zonë elektorale dhe MEGA digjet me mosfutje në Parlament. Ndërkohë, bën të ditur burimi, pretendimi tjetër i MEGA-s është edhe aleanca parazgjedhore, pasi PBDNJ nuk është pozicionuar ende, se në cilin pol do të radhitet, ndërkohë që, kreu i saj, Vangjel Dule ka deklaruar se, ftesa për aleancë ka ardhur nga të tri polet politike shqiptare. Më herët akoma, tre përfaqësuesit politikë të minoritetit etnik grek në Shqipëri Dule, Kiço dhe Bollano janë takuar në Athinë me kreun e diplomacisë greke, Avramopulos, ku është diskutuar dhe kërkuar bashkëpunimi dhe bashkimi për të patur sa më shumë përfaqësues në ligjvënësin shqiptar. Rrodhën deklarata pajtuese dhe mospajtuese. Asgjë nuk u realizua, por ceremonia e 25 Marsit, fitorja e Luftës Italo-Greke nga grekët, ka bashkuar të dy partitë, por vetëm në ceremoni pasi më pas janë pozicionuar në llogoret e mëparshme. Ndërkohë që, kjo pritshmëri politike brenda politikës së minoritetit grek në Shqipëri do të sjellë ndryshime, mësohet se, në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të “OMONIA”-s nuk janë përmendur rezultatet e regjistrimit të popullsisë minoritare greke në Shqipëri, nismë e ndërmarrë nga “OMONIA”. Ajo është lënë për në muajin tetor të vjeshtës, kur mendohet se vendi do të ketë edhe qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit. Por edhe dita e mërkurë e 17 prillit nuk ka sjellë ndryshime në politikën e partive minoritare, pas takimit Kiço-Dule, vijojnë burime për “Telegraf” ndërkohë që, edhe dita e enjte ka vijuar me takime intensive, por ende pa rezultat, pasi të dyja forcat politike nuk pranojnë opsionet e paraqitura ndaj njëra-tjetrës, por sipas burimeve, duket se opsioni MEGA-s është më i pëlqyeshëm, ndërsa ai i PBDNJ-t duket më dinak ndaj aleates që fton në bashkëpunim. Përveç kësaj, pengesë bëhet edhe pozicionimi parazgjedhor i këtyre forcave minoritare, pasi të dyja nuk kanë shfaqur preferenca dhe sipas burimit të besueshëm, të dyja mund të afrohen tek oferta e pushtetit.