Frika nga terrorizmi, blindohet Porti Detar i qytetit të Durrësit

453
Sigal

200 foto terroristësh në kompjuterët e policisë. Agjentë të huaj në alarm, trajnojnë të paditurit tanë

 Aktet e fundit terroriste, si dhe paralajmërimet e tyre për sulme në vendet e Europës, kanë sjellë masa urgjente në Portin Detar të Durrësit. Dhjetëra agjentë të huaj nga disa shtete të Europës Perëndimore dhe SHBA kanë ardhur dhe kanë nisur trajnimin dhe bashkëpunimin me agjentët tanë, të cilët për nga niveli vlejnë shumë për të dëshiruar. E njohur si “porta hyrëse” më e mundshme e elementëve kriminalë dhe terroristë. Porti më i madh i vendit, prej disa ditësh ka qenë nën kujdesin dhe vëzhgimin e ekspertëve të Ministrisë Brendshme të Antiterrorit dhe specialistëve të huaj, të cilët kanë sjellë dhe instaluar në sistemin kompjuterik rreth 200 foto të elementëve kriminalë dhe terroristëve nga shtete të ndryshme të lindjes së mesme dhe rajonit. Burime nga policia e Portit thanë për “Telegraf” se, “janë blinduar sheshi i trageteve, duke mos lejuar asnjeri të dyshimtë të kalojë pa u verifikuar, çdo ditë nga kontrollorët e sheshit të trageteve futen dhe skedohen 20 deri 25 persona shqiptarë, kosovarë, maqedonas dhe të tjerë të huaj që kalojnë tranzit, duke u marrë fotot, gjurmët e gishtërinjve dhe të tjera fakte verifikuese”. Porti Detar mbetet shtegu ku mund të kalojnë ndoshta edhe pa probleme elementët terroristë dhe ata të krimit të organizuar. Jo në pak raste, policia italiane, ka prangosur trafikantë dhe kontingjent të rrjeteve mafioze, pasi kishin kaluar lehtë-lehtë pikërisht nga Porti i Durrësit dhe porte të tjera të vendit. Skanimi i mbi 200 fotove të terroristëve dhe personave të kërkuar nga Interpoli dhe Antiterrori, në sistemin kompjuterik të sheshit të trageteve, ka atashuar në Portin Detar edhe specialistët e huaj të Antiterrorit, të cilët po kryejnë non-stop kontrolle të qindra pasagjerëve që hyjnë e dalin nga tragetet e linjave me Italinë. Qysh nga java tjetër rritja e fluksit të ardhjeve me tragete nga Italia, ka rritur vështirësitë e policisë dhe ekspertëve të Antiterrorit, por edhe bashkëpunimin me kolegët e tyre italianë e amerikanë. Policia kalon në “sitë” të gjitha automjetet, bagazhet e tyre si dhe personat e dyshuar, duke krijuar një sistem të sofistikuar kontrolli dhe verifikimi. Por gjithsesi specialistët e uniformave blu sugjerojnë se, “duhen përforcime në njerëz dhe mjete ”.

Artur AJAZI