Frika nga revolta e biznesit, tatimet hapin dyert për takime

520
Biznesi i vogël ka kundërshtuar gjerësisht masën e qeverisë për futjen në skemën e TVSH të gjithë atyre me xhiro nga 2-5 milionë lekë. Në këto kushte qeveria dhe institucionet e përfshira direkt në proces kanë qenë më aktive për të sqaruar mënyrën se si do funksionojë. Në këtë kuadër ishte edhe takimi i fundit i drejtores së Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, e cila priti kryetarin e Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto, ku u diskutua mundësia për të rritur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, në mënyrë që t’i vihet në ndihmë biznesit të vogël që është përfshirë në skemën e TVSH-së. Nga ana e saj Vjero theksoi angazhimin e plotë të administratës tatimore për të informuar, trajnuar dhe asistuar biznesin e vogël në të gjithë vendin, duke vënë në dispozicion kapacitetet njerëzore, por edhe materialet informuese. Palët ranë dakord që të organizohen tryeza dhe takime të përbashkëta në mënyrë që të përcillen mesazhet e duhura te biznesi i vogël në lidhje me të drejtat dhe detyrimet tatimore që ata kanë. Me anë të një urdhri të ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, është njoftuar se nuk do të ketë gjoba për biznesin e vogël deri në fund të vitit për gabimet në deklarimin e TVSH-së. Megjithatë biznesi i vogël ka organizuar disa protesta, duke ulur qepenat dhe duke kërkuar përjashtimin nga TVSH për sipërmarrjet me xhiro të vogël.
Sigal