Frank Shkreli: 11 vjet pa Ibrahim Rugovën

564
Nga Frank Shkreli
Ish Drejtor i VOA per Euro Azine
Po të kishte jetuar Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, dhjetorin qoi kaloi do të kishte mbushur 72-vjet (2 Dhjetor 1944). Ai ndërroi jetë 11 vjet më parë, me 21 Janar, 2006. Viti fatkeq kur Kosova humbi Presidentin e parë, ikonën e pavarësisë, prijsin e madh të Kombit shqiptar dhe udhëheqsin e parë anti-komunist në Europën Lindore.
Presidentin Rugova e kisha takuar para 27 vjetësh në Washington, pikërisht në vizitën e tij të parë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, tetorin e vitit 1989. Besoj se as Dr. Rugova dhe askush tjetër nuk mund të parashikonte në atë kohë — se kjo vizitë, e para për presidentin e ardhëshëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në kryeqytetin e këtij vendi, në tetor të vitit 1989 — nuk do të ishte e para, por në të vërtetë do të shënonte vetëm fillimin i një numri vizitash që ai do të bënte në kryqytetin amerikan për vite me rradhë, para dhe pas çlirimit të Kosovës. Duke shikuar tashti 27 vjet pas në historinë e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ajo vizitë mund të konsiderohet si fillimi i një veprimtarie diplomatike dhe politike, nga ana e Presidentit të ardhëshëm të Republikës së Kosovës. Përpjekje prej më shumë se një dekade për të siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve të Kosovës, të shumë-vuajtur dhe të abuzuar për dekada me rradhë, nga regjimi diktatorial i Serbisë. Ai ishte i vetdijshëm se Kosova dhe shqiptarët në përgjithsi, nuk kishin mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara. Kjo bindje e tij në mbështetjen amerikane, u përforcua edhe më shumë nga kontaktet e shumta që Dr. Ibrahim Rugova pati më vonë me përfaqsues të zyrtarë të Washingtonit. Ishin pikërisht këto përpjekje dhe vizitat e shpeshta ecejake në Washington, gjatë të cilave, Dr. Rugova bëri shumë miqë për kauzën e lirisë së shqiptarëve të Kosovës, përpjekje këto të cilat më në fund çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe në çlirimin e vendit nga forcat terroriste serbe, diplomaci kjo prej një personi, që me luftën e UÇK-ës dhe membështetjen e fortë të NATO-s, eventualisht çoi në largimin e forcave serbe nga Kosova dhe në shpalljen e Republikës së Kosovës, shtet i lirë dhe i pavarur, që sot njihet nga 113 shtete të botës.
Megjithse me Presidentin Rugova kisha patur takime, vizita e konsultime të shumta që nga viti 1989 e deri kur ndërroi jetë Janarin e vitit 2006, vizita e tij në shtëpinë time atë tetor të vitit 1989 në afërsi të Washingtonit, do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time dhe të familjes. Në të vërtetë, vizitat e tija, jo vetëm në Washingtonin zyrtar, por për më tepër edhe takimet dhe konsultimet e tija të shpeshta me komunitetin shqiptaro-amerikan — sot e kësaj dite — mbeten pjesë e pa ndarë e kujtimeve dhe e historisë së veprimtarisë së këtij komuniteti në mbështetje të Kosovës dhe kauzave të shënjta shqiptare, protagonisti kryesor i të cilave ishte Dr. Ibrahim Rugova. Ai mbetet përherë mik i Shteteve të Bashkuara dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan ku kishte shumë miqë, dashamirë e bashkpuntorë të ngushtë, për lirinë e Kosovës në veçanti dhe për çështjen kombëtare shqiptare në përgjithsi. Ish-presidenti George Bush në letrën dërguar familjes Rugova me rastin e vdekjes së tij, dhjetë vjetë më parë, kishte shprehur ndjenjat e thella — për humbjen e Dr. Ibrahim Rugovës — jo vetëm të të gjithë amerikanëve, por edhe të mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan duke deklaruar se, “Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova humbën një mik me të vertetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qendrimet e tija parimore kundër dhunës. Asnjë udhëheqës tjetër i shqiptarëve në këto 100-vitet e fundit nuk ka gëzuar një admirim dhe mbështetje, si në radhët e diplomacisë botërore, ashtu edhe mbarë popullore të shqiptarëve të Kosovës, si Presidenti i parë i Republikës së Kosovës”.
Presidenti Rugova ishte ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë, jo vetëm në Kosovë, por anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshirë Shqipërinë. Dhe si i tillë, në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim, është e pa mundur të mos pyesim veten, se po të ishte sot gjallë Ibrahim Rugova a do ishin punët e shqiptarëve ndryshe nga gjëndja aktuale. Unë besoj se po, ndryshe, por ndryshe, për më mirë! Sepse me sjelljet e tija të mira e njerëzore, ai siguronte dhe gëzonte respekt nga pothuaj të gjithë.
Me një krenari atdhedashurie, si asnjë udhëheqes tjetër shqiptar i kohërave moderne, Presidenti Rugova me bashkbiseduesit e tij shqiptarë ose ndërkombëtarë, ofronte gjithmonë urtësinë, miqësinë dhe qëndresën që gjatë shekujve e kanë dalluar kombin shqiptar se bashku me besën, nderin dhe burrëninë. Fatkeqsisht, Presidenti Rugova ndërroi jetë në një kohë kur Kosova dhe kombi shqiptar kishin nevojë për një hov të pashterrshëm të këtyre vetive dhe ndjenjave për atdhe-dashuri si edhe të vlerave tradicionale kombëtare. Presidentin Rugova e njoha si njeriun i cili nuk mund të pajtohej me qendrimet e atyre, të cilët për arsye ideologjike krejt të huaja për historinë dhe vlerat shqiptare, mohuan traditat më të shëndosha të shqiptarëve për pothuaj një gjysëm shekulli, një sistem sllavo-aziatik i cili që për pothuaj 50-vjetë u përpoq, pa mëshirë, të shlyente virtytet stërgjyshore dhe madje të zhdukte edhe identitetin historik kombëtar të shqiptarëve.
Presidenti Rugova besonte se bota do të ketë respekt më të madh për shqiptarët nëqoftse ata u përmbahen këtyre vlerave bazë të qenjes arbënore. I frymëzuar nga këto virtyte kombëtare në rrethin e familjes së tij patriotike ai, me durim, guxim dhe besim – fillojë të ri-kthejë dinjitetin kombëtar të nepërkambur gjatë 50 vjetëve të fundit nga një ideologji sllavo-komuniste – dhe me nje ndërgjegje të thellë kombëtare u përpoq sa ishte gjallë, të vendoste emrin e shqiptarëve aty ku gjithmonë e kanë pasë vendin — në radhë me popujt dhe aleancat perëndimore.
Fjala popullore thotë se “Burri i mirë me shokë shumë”. Presidenti Rugova nuk është më, por me jetën dhe veprimtarinë gjatë pothuaj 20-viteve të fundit të jetës së tij, ai bëri shumë miqë për Kosovën dhe për kombin shqiptar. Me të gjithë, Dr. Rugova fliste pak dhe qetë, por jehona e mesazhit të tij jehon edhe sot anë e mbanë botës. Mesazhi i tij bëri që e gjithë bota më në fund të mësonte për hallet e shqiptarëve dhe jo vetem kaq. Me personalitetin e tij, Presidenti Rugova bëri që një pjesë e madhe e botës dhe sidomos qeveria dhe shtetit amerikan, të mbështesnin shqiptarët e Kosovës në momentin historik kur kishin nevojën më urgjente dhe ndoshta më të vështirë për ta në historinë e tyre. Shpresa e tij dhe lutja ishte gjithmonë Kosova e pavarur, sovrane, e lirë dhe demokratike, “Në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pikërisht ashtu si e donte ai dhe për të cilën punoi e veproi aqë shumë. Në këtë 10-vjetor të vdekjes së tij dhe duke marrë parsyshë gjëndjen aktuale të Kosovës dhe sfidat me të cilat përballet si përfundim i presioneve serbo-ruse, miqësia e Kosovës me Shtetete e Bashkuara – mund të konsiderohet si trashëgimia më e madhe që ka lënë pas për bashkombasit e vet dhe për të ardhmen e Kosovës.
Në atmosferën e pështjellimeve, pasioneve të përkundërta dhe grindjeve politike të përhershme të botës së vogël shqiptare, mesazhi i Presidentit Rugova në këtë përvjetor të vdekjes drejtuar klasës së sotëme politike shqiptare –jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri do të ishte: promovoni dhe punoni për bashkpunim me njëri tjetrin dhe midis partive politike që përfaqësoni për të mirën e përbashkët, duke venë mbi të gjitha, interesin kombëtar mbi atë partiak e personal dhe interesin publik mbi atë personal. Është ky një apel që përçon Dr. Ibrahim Rugova në këtë 11-vjetor të vdekjes, që të dëgjohet dhe të kujtohet nga të gjithë dhe për gjithmonë në këtë përvjetor të vdekjes në përkujtim të Presidentit Ibrahim Rugova. Ai asnjëherë nuk ndërpreu përpjekjet, që nepërmjet bashkpunimit me të gjithë – bashkpuntorë dhe kundërshtarë — të lartësonte emërin e mirë të kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij të dashur.
Frank Shkreli
Sigal