Franca mund të kërkojë rivendosjen e vizave me Shqipërinë

583
Pas Holandës, alarmi edhe në Paris: Shqipëria, në vend të parë për azilkërkuesit. Problem kriminaliteti në rritje
Pas Holandës, edhe Franca mund të kërkojë rivendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. Por ndryshe nga Amsterdami, që këtë hap e kërkon për të ndalur organizatat kriminale shqiptare që veprojnë kryesisht në trafikun e drogës, për Parisin shkak janë kërkesat e larta për azil që vijnë nga Shqipëria.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme Franceze tregojnë se Shqipëria mban vendin e parë të numrit të azilkërkuesve për vitin 2017.
Siç shihet në tabelën më poshtë, të publikuar në të përditshmen Le Figaro, nga janari deri në gusht, 7 256 shqiptarë kanë paraqitur kërkesë zyrtare për azil në Francë.
Kërkesat janë 178.9 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2016.
Në vend të dy renditet Afganistani me 3 566 kërkesa, më pak se gjysma e Shqipërisë.
Pasojnë Haiti, Sudani dhe Siria.
“Për kontrolluar situatën, Parisi është i detyruar të kërkojë për Shqipërinë të njëjtat klauzola mbrojtëse që kërkoi për Gjeorgjinë dhe Ukrainën: një rivendosje të vizave në rast të abuzimit me mikpritjen”, shkruan gazeta Le Figaro.
Sipas gazetës, të paktën 3 avionë kanë mbërritur nga Franca në Paris këtë verë, me shqiptarë që u është refuzuar kërkesa për azil.
Situata është aq shqetësuese saqë Ministri i Brendshëm francez, Gerard Collomb, organizon çdo javë videokonferenca me prefektët e zonave që kanë probleme me kërkesat për azil që vijnë nga shqiptarët, veçanërisht ata nga pjesa e lindjes së Francës.
Deri tani Franca ka regjistruar 4 911 kerkesa të reja zyrtare për azil, një numër që shkon në 7 256 duke shtuar edhe minorenët që i shoqërojnë azilkërkuesit.
Numri është dukshëm më i lartë se ai i azilkërkuesve sirianë që vijnë nga një vend në luftë.
Ashtu si në Holandë, kriminaliteti shqiptar shqetësim edhe në Francë
“Prej vitit 2010, Shqipëria, kandidate për të hyrë në Bashkimin Europian përfiton nga një program i lehtësimit të vizave, që i lejon shtetasit e saj të qëndrojnë deri në 3 muaj në Francë. Kjo lehtësi i është krijuar në kuadër të fqinjësisë së mirë. Por shihni si është devijuar në përmasë të madhe”, shkruan Le Figaro, raporton lapsi.al.
Në shkrimin e gazetës franceze thuhet se “disa e kërkojnë azilin si pasojë e Kanunit, por ky ligj i hakmarrjes është mbivlerësuar, siç shprehet një funksionar i Ministrisë së Brendshme”.
“Një gjë është e sigurt- thotë ai- shqiptarët që arrijnë në masë, mbështeten nga grupe mafioze të vërteta, të vendosura në Metz, Lion e Calvados. Trafiku i qenieve njerëzore, të minorenëve dhe prostitucioni e minojnë këtë komunitet vulnerabël. Shkurt, kriminaliteti shqiptar po vendoset në Francë dhe shteti duhet të reagojë”.
Veç kërkesave për azil edhe Franca po i shesh me shqetësim aktivitetin kriminal në rritje të grupeve shqiptare. Njësoj si Holanda, ku policia dhe prokuroria përgatitën një raport për t’i kërkuar qeverisë që të rivendosë regjimin e vizave me Shqipërinë, me qëllim që të bllokojë grupet kriminale që të lëvizin lirshëm.
Le Figaro shkruan se shkëmbimet diplomatike për këtë çështje po intensifikohen me Tiranën, ku janë marrë disa masa.




Sigal