Franca kthen me ‘charter’ 29 azilkërkues, ndër ta edhe një familje me 5 anëtarë

165

Vijonë në Rinas, operacionet e përbashkëta të riatdhesimit të shtetasve shqiptarë të cilëve u është refuzuar azili në vendet e BE-së. Sot u kthyen 29 shtetas nga Franca, mes tyre edhe një familje me 5 anëtarë si dhe u deportuan nga vendet e BE-së edhe 17 shtetas të tjerë shqiptarë.

Policia Kufitare në bashkëpunim me Policinë Franceze vijuan operacionet e përbashkëta të riatdhesimit, ku nëpërmjet dy fluturimeve me charter nga Franca janë riatdhesuar 29 shtetas shqiptarë, të cilëve u është refuzuar azili në Francë, në njërin prej fluturimeve një familje me 5 anëtarë.

Gjithashtu u deportuan edhe 17 të tjerë me motivin ”Qëndrim i parregullt në territor”, ”Pëfunduar vuajtjen e dënimit në vendet e BE -së”, ” Tentativë kalimi ilegal për në Mbreterinë e Bashkuar”, ”Tejkalim i afatit të qëndrimit në territor” dhe ”Refuzim azili në vendet e BE-së”.

Operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme dhe në këtë kontekst, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së që të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe mos bëjnë asnjë tentativë për të kërkuar azil, pasi shanset për t’a fituar atë janë zero.

Njëkohësisht Policia Kufitare njoftoi se  në pikat e kalimit do vijojë me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil.