Franca e Gjermania: Abuzimi me azilet dëmton Shqipërinë drejt BE

498
Sigal

TIRANE – Shkelja e rregullave të qëndrimit në hapësirën Shengen dëmton interesat e Shqipërisë në përpjekjen e saj për tu integruar në Bashkimin Evropian. Është kjo deklarata që kanë lëshuar njëzëri Ambasada e Francës dhe e Gjermanisë në vendin tonë, pas riatdhesimit të 50 shqiptarëve nga vendet e BE-së.
 
Në një deklaratë të përbashkët për mediat, dy selitë diplomatike në Tiranë ritheksojnë se Gjermania dhe Franca nuk mund të presin emigrantë që kërkojnë azil për arsye ekonomike, por vetëm ata që plotësojnë të gjitha kriteret për përfitimin e azilit politik. Te gjtihe abuzuesit, thuhet ne deklarate, do te riatdhesohen.

50 shqiptarët u riatdhesuan gjatë një operacioni nga Agjencia Evropiane për Kufirin FRONTEX.
 
Deklaratë e përbashkët e Ambasadës së Francës dhe Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë 
Më 29 janar, në Aeroportin e Tiranës, 50 shtetas shqiptarë, të cilët nuk kishin respektuar kushtet e qëndrimit në hapësirën Schengen, konkretisht në Francë dhe në Gjermani, janë riatdhesuar në Shqipëri.
 
Numri i këtyre fluturimeve të përbashkëta evropiane për riatdhesim nuk është ulur dhe nuk do të ulet, sepse këta shtetas me qëndrim të parregullt përpiqen para së gjithash të emigrojnë për arsye ekonomike, gjë të cilën dy vendet tona nuk mund ta pranojnë. Shqipëria është renditur tashmë nga organet më të larta juridike franceze në listën e vendeve me origjinë të sigurt. Në Shqipëri, themelet e demokracisë janë stabilizuar. Nuk duhet të keqpërdoret procedura e kërkesës për azil, e cila u rezervohet në mënyrë strikte vetëm refugjatëve politikë të vërtetë. Statusi i refugjatit nuk do t’u jepet të ashtuquajturve azilkërkues, arsyet e vërteta të të cilëve janë ekonomike. Për më tepër, liberalizimi i regjimit të vizave midis Shqipërisë dhe vendeve të hapësirës Schengen, ku bën pjesë Franca dhe Gjermania, është një masë e drejtë dhe efikase. Por ajo është e shoqëruar me rregulla, të cilat nuk lejojnë abuzimet. Ky liberalizim lejon të vizitohen vendet tona ose të kërkohen edhe viza afatgjata për të bërë studime ose për të punuar në mënyrë të rregullt. Ne nuk mund të pranojmë që të anashkalohen këto procedura, sepse kjo është në dëm të pjesës dërmuese të qytetarëve shqiptarë, të cilët i respektojnë këto rregulla. Kjo do të dëmtonte interesat e Shqipërisë në përpjekjet e saj të konsiderueshme për t’u integruar një ditë në Bashkimin Evropian. Përveç kësaj, riatdhesimi i shtetasve shqiptarë mund të sjellë si pasojë ndalimin e hyrjes dhe të qëndrimit të tyre në zonën Schengen për disa vite. Për këtë qëllim, fluturimi i përbashkët franko-gjerman i 29 janarit është një tregues tjetër i vendosmërisë dhe bashkëpunimit.
 
Genc Merepeza: Mos abuzoni me lirinë e lëvizjes
Në këtë fluturim riatdhesimi policia shqiptare ka siguruar tërësisht eskortën shoqëruese, e cila përbëhet nga Njësia e Lëvizshme Territoriale Delta Forcë, Vlorë, 2 punonjëse policie femra, 1 psikologe femër dhe 1 mjek. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, Zv/Ambasadorja Gjermane, përfaqësues nga Ambasada Franceze, etj, ndoqën nga afër në Aeroportin e Rinasit këtë operacion riatdhesimi.

Ndërkohë Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin e Migracionin, Genc Merepeza, në një prononcim për mediat e pranishme, evidentoi faktin se ky operacion riatdhesimi dëshmon dhe një herë nivelin dhe efikasitetin e veprimeve të efektivave tona policore, të specializuara në këtë drejtim.
Sipas Merepezës njëherazi dëshmon më së miri vendosmërinë e shtetit dhe Policisë Shqiptare për të respektuar dhe përmbushur detyrimet në kuadër të lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen, si dhe domosdoshmërinë e respektimit të rregullave nga të gjithë shtetasit shqiptar, pasi do të përballen me penalitete, që ndër të tjera kufizojnë dhe lëvizjen e tyre deri në 5 vite këtë zonë.
 
50 shqiptarët e riatdhesuar
Nga Franca u kthyen 22 shtetas (meshkuj)
Nga Gjermania u kthyen 19 shtetas (3 familje, 3 gra + 9 fëmjë) 
Nga Belgjika u kthyen 8 shtetas (meshkuj) 
Nga Danimarka u kthye 1 shtetas (mashkull)