Fotoja e të miturit i varur në pemë dhe dyshimet për dhunë, dëshmia e babait: Ishte shaka

638
Policia e Elbasanit ka reaguar pas publikimit të një fotoje në rrjetet sociale të një të mituri të varur në pemë dhe dyshimeve për dhunë, nisur nga dëshmitë e banorëve të fshatit Zdrajsh të Librazhdit.
Policia deklaron se ka shoqëruar 3 persona, mes tyre dhe babain e djalit 6-vjeçar por ai ka mohuar se i biri është dhunuar.
Babai ka deklaruar në polici se fotoja është bërë 2 vite më parë dhe veprimi është bërë nga xhaxhai në formë shakaje.
DEKLARATA E POLICISË
Lidhur me publikimin e një fotoje në rrjetet sociale e më pas në media, ku shfaqet një fëmijë i keqtrajtuar, Policia e Elbasanit bën me dije se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd shoqëruan 3 shtetas nga fshati Zdrajsh, Librazhd, mes tyre edhe babain e djalit 6-vjeçar.
Në deklarime, babai i fëmijës ka pohuar se djali nuk është dhunuar, por këtë veprim vëllai i tij e ka bërë para dy vjetësh në formë shakaje. I pranishëm ka qenë dhe ai vetë.
Lidhur me këtë rast hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Policia sekuestroi një aparat celular në cilësinë e provës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit” parashikuar nga neni 124/b i Kodit Penal.


Sigal