Foto LESKO/ Ryshfetxhinjtë e epokës

574
Sigal

Duan të thonë se ryshfeti u shfaq pak çaste para njeriut. Si i tillë, ky “zotni”, që ymër pastë dhe ë nderuar qoftë, ka mbajtur e mban zërin e parë ne polifoninë njerëzore. Për të mos thënë se ka bërë dhe ligjin në çdo epokë e shoqëri. Bah, ç’thua zotëri, në komunizëm nuk kishte gjynahe të tilla! Kishte, more kishte, paçka se bëheshin fshehurazi. Hajde e me bindni mua për të kundërtën, pa jua përplas me nder e qeder faktet. Dikur në një nga fshatrat e krahinës time do bëheshin zgjedhjet për kryetar këshilli. Pasi dëgjoi e dëgjoi shumë zëra, jo ky, po ai, një plak i moçëm, mbështetur në një bastun selvie, u ngrit e tha: Dëgjoni mor të uruar, mos u nxitoni, ky kryetar që kishim, deri tani u ngop vetë, u ngop edhe soji e sorollopi i tij, tani e tutje nuk ka më nevojë. Ta leme atë, mbase i shkon mendja e të na ndihmojë, se po zgjodhëm tjetër, e morri ferra uratën. Dhe e dëgjuan plakun, për fjalën e mençur. Por sot, ç’ti bësh, që ky lanet ryshfet, na qenka bërë si buka e djathi. Politikanë, pushtetarë, biznesmenë, zyrtarë të mëdhenj me  “dekorata” nuk i zë gjumi pa ryshfet. Sikur kanë lindur binjake me të. Do ti, që edhe poshtë në bazë, në fshatra, komuna e bashki, sa zënë karrigen a postin, menjëherë mendja u shkon tek ryshfeti. Sa jam, sot gjendem, nesër kushedi, të shfrytëzoj rastin. Budallenj nuk janë, gjersa gjejnë budallenj, apo fakirë të shkretë. Ec e shiko kryepleqtë e fshatrave dhe te fshatit tim, nuk i përjashtoj, me shtëpi të reja e komode, me prona që nuk i patën as baballarët e tyre, kur më përpara vërtiteshin e vërtiteshin si fukarenj, e hiqeshin të ndershmit e kohës. Pse, harrohen komisionet që kaluan në fshatrat e Bregut për legalizimin e shtëpive e trojeve rreth tyre? Një komision i tillë erdhi vitin e kaluar edhe në Dhërmi, i përberë nga një  zonjë tiranase me të bijën. Madje, tek shpallja e vënë tek dera e zyrës ku punonin, implikohej dhe bashkia e Himarës si bashkëpunëtore e kësaj pune. Kërkonin 100 euro për çdo familje paraprakisht dhe në muajin dhjetor familjarët do të merrnin në dorë certifikatën e pronësisë. Pati nga ata që u peshkuan dhe i paguan paratë. Të tjerë u dhanë përgjigjen e merituar: Na jepni në dorë certifikatën dhe ne do ju japim paratë. Po afrohet dhjetori tjetër, ikën paratë, u zhdukën faqe dheut dhe nënë e bijë, bashkia e kryepleqësitë nuk ndihen, mbase, në gjynahe të mos biem, kanë marrë edhe ata ryshfetin e tyre.  Në shoqërinë e re demokratike të brishtë shqiptare, ryshfeti është bërë moto. Në çdo zyrë që të futesh, apo për çdo hall që ke, po nuk vure dorën në xhep, xhevap nuk gjen. Tani ryshfetin, një pjesë i kanë ndërruar edhe emrin: bar miu.  More, sa të padjallëzuar që qenkan xhanëm! E ngaqë nuk duan të dalin bash të përlyer, të përmendin ligje e urdhra, që askush nuk i  ka dëgjuar e asgjëkund nuk janë shkruar. Vetëm në mendjen e tyre ngulitur! Katrahurë me lejet e ndërtimit! Që duhet leje ndërtimi për një shesh të ri, kjo dihet, e është e qartë! Por që të nxjerrësh leje, sepse thyen ca gurë brenda truallit tënd për të sheshuar një baçe të vogël, apo të ndërrosh çatinë e shtëpisë, ngaqë çfarë bie jashtë futet brenda, dëgjohet pak se anormale, e s’ka bythë ku të qëndrojë. Akoma më keq: një bashkëfshatarit tim iu desh të bënte avllinë e shtëpisë që të mos hynin kafshët brenda. As fqinjët nuk bezdiste, as rrugën e fshatit që kalonte aty, nuk e ngacmonte. Po sa shpejt, xhanëm, ia behën nëpunësit e bashkisë me policët e tyre, ryshfetxhinjtë e  ditës, të informuar nga ryshfetxhinjtë e natës, dhe “bam” gjoba të shkretit; 100 mijë lekë të reja! Por ai ua grisi fletën e gjobës e ua përplasi! Nuk e di në bëri mirë a keq, por edhe u duhej kjo përgjigje. Që të venë mend ata eprorët e tyre, apo dhe vartësit  në fshatra. Tjetrit, kur e sheh që është në shkelje të rregullave, paraqitu me rregulloren, me ligjin a urdhrin, të bindet dhe ai se ka shkelur diçka. Me ligje e urdhra të pashkruara prej atyre, që sot për sot kanë në dorë edhe thikën, edhe pjeprin, nuk të qas njeri. Ryshfetet vërtet i kanë gjunjëzuar një pjesë, por ryshfetxhinjtë po përhapen si vaji na lakra. Gjynah, nuk e prisnim të tillë demokracinë. Ata që e drejtojnë, le t’i thërrasin pak mendjes, se kanë filluar të humbasin vaj  në tru.