Forumi Civil 2010: Shqipëria po rrezikon mundësinë e vlerësimin pozitiv nga Brukseli

156
Deklaratë në lidhje me kërcënimin serioz ndaj ligjit të vetingut
Forumi Civil 2010 ka ndjekur me shqetësim vonesat e krijuara në jetësimin e procesit të Vetingut në drejtësi, si parakusht për realizimin e të gjithë reformës kyçe për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nën presionin ndërkombëtar, partitë kryesore politike pranuan të votojnë në Kuvend komisionet kryesore, por preteksti i zgjedhjeve dhe alibia përmes ankimimeve teknike, po vonon procesin dhe po rrezikon humbjen e shansit që Shqipëria të marrë brenda këtij viti vlerësimin pozitiv nga Brukseli.

Anëtarët e Forumit Civil 2010 janë të shqetësuar edhe prej vendosmërisë së disa organizatave që përfaqësojnë gjyqësorin e përfshirë prej korrupsionit, të cilat tentojnë të shfrytëzojnë maksimalisht procedurat teknike dhe kushtetuese për vonimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ose ndryshimin e thelbit të këtij procesi. Ata vërtet që kanë të drejtë të ankimohen në Gjykatën Kushtetuese, por kanë edhe detyrimin moral të distancohen nga rastet e shumta abuzive në gjyqësor dhe të investohen në realizimin me sukses të reformës në drejtësi. 

Për t’u shqetësuar është që parti apo individë me pushtet politik, për qëllime krejtësisht personale dhe në konflikt interesi, po investohen për nxjerrjen e pengesave të reja për reformën në drejtësi, duke përdorur segmente të intimiduara dhe lidhjet e tyre personale brenda sistemit gjyqësor. Liderët politik duhet të mos mjaftohen me ndonjë deklaratë të rastësishme, por të shprehin qartë dhe me forcë vullnetin politik për të mbrojtur parimet e reformës dhe procesin e Vettingut, si edhe të distancohen nga çdo skenar që synon deformimin e këtij procesi.

Shqipëria është përfshirë aktualisht në fushatën për zgjedhjet parlamentare të radhës, por reforma në drejtësi dhe gjithçka tjetër nuk bëhet për 2-3 individë që drejtojnë partitë kryesore në vendin tonë. Ato bëhen për qytetarët, për interesat e vendit, për të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Shqiptarët në shumicë absolute janë pro reformës, ndaj partitë që pretendojnë se përfaqësojnë qytetarët duhet t’i dëgjojnë këta dhe të bëhen zëdhënëse të tyre edhe në jetësimin e reformës në drejtësi.

Forumi Civil 2010 mbështet Deklaratat e bërë ditët e fundit nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e SHBA në Tiranë, si edhe çdo zë qytetar që është pro strategjisë së sistemit të drejtësisë, duke besuar se zbatimi aspak i zvarritur dhe kurrsesi i vonuar i kësaj strategjie është parakusht për reformë të thellë edhe në politikë, integrim evropian më të shpejtë të vendit dhe të ardhme më të mirë për të gjithë.

Problemi është jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët, prandaj gjërat nuk mund të diskutohen duke shkelur parimet demokratike, nëpërmjet vendimesh të marra në mënyra të fshehta apo edhe të befta, qoftë edhe nga Gjykata Kushtetuese, shqyrtimi prej së cilës i çështjeve të ankimuara kërkon gjithashtu transparencë. Gjërat e mira bisedohen hapur në dritën e diellit, ndërsa ato që nuk janë të pastra diskutohen e vendosen zakonisht pas kuintave.