Forcat e Armatosura, mbartës të një misioni të rëndësishëm historik

573
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Ushtria kombëtare shqiptare është vepër e shqiptarëve

E paraprirë nga ngjarja madhore si Festa e Pavarësisë dhe Çlirimit, 4 Dhjetori është bërë traditë, kur ushtarakët e më gjerë festojnë ditëlindjen e Forcave të tyre të Armatosura. Kjo datë përbën për ushtarakët moment krenarie, kujtese, nderimi e reflektimi. Në çdo vit të kësaj datë lartësohen në kujtesën historike të Atdheut brez i heronjve, të cilët në rrethana të kobshme që ndezën luftërat ballkanike, me kurajë, me besim dhe me ide fisnike krijuan shtetin shqiptar, ku në përbërje të tij, Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare (Luftës). Çdo njeri prej tyre ishte i kthjellët, energjik dhe apostull i zjarrtë i kauzës së tij, të cilët bënë një akt të papërsëritshëm dhe përjetësisht të respektueshëm. Madhështia e aktit të kryer, pavarësisht përpjekjeve të regjimeve të ndryshme për denigrim, për të harruar, apo mënjanuar, ata kanë zënë vend në kujtesën kombëtare. Shtetet kombëtare nuk krijohen nga aktorë të jashtëm, qofshin këta dhe Fuqi të Mëdha, në qoftë se nuk ekziston një popull që ka nevojë për shtetin e vet. Prof. Kristo Frashëri ka theksuar se asnjë nga popujt e Ballkanit nuk ka ka zhvilluar gjatë shekujve aq shumë kryengritje kundër zgjedhës osmane sa shqiptarët. Veçojmë traditat dhe virtytet luftarake që bëheshin veçanërisht të çmuara në periudha luftërash e konfliktesh, siç ishin ato të disa shekujve më parë adriatiko-mesdhetar e deri te sfidat e misioneve në kohët moderne. Historia jonë e largët dhe e afërt është provuar dukshëm në kushtet e faktorëve shpërbërës. Pushtimet e huaja dhe pasojat shoqëruese të tyre dhe në kohët e mbijetesës, gjithmonë kanë nxjerrë në pah faktorin objektiv e subjektiv, ndër të cilët ai i qëndresës proverbiale të shqiptarit, faktori determinant e konservimit të tij etno-kulturor në mes tallazeve të historisë, ka theksuar Fan S. Noli. Nga kohët më të largëta, udhëtarë e pelegrinë, mbretër e vezirë të Lindjes e të Perëndimit kanë qenë në një mendje kur e cilësonin shqiptarin për shpirtin kryengritës, autonom e të panënshtruar. Këto virtyte e vlera tashmë kombëtare, kanë gjetur mbështetje në organizimin shoqërore e politike, në krijimin e shtetit modern shqiptar dhe deri në përfaqësimin dinjitoz të ushtarakëve tanë në misionet paqeruajtëse etj. Në periudhën e shkurtër të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ushtria shqiptare, e re dhe e brishtë, e udhëhequr dhe drejtuar nga gjeneral Mehmet Pashë Dërralla, major Shefqet Ali Shkupi dhe oficerë të tjerë atdhetarë, të cilët kishin shërbyer në radhët e Ushtrisë së Perandorisë Osmane, bënë ç’ishte e mundur. Kjo ushtri e përbërë kryesisht nga strukturat rezerviste, vullnetarë, xhandarë dhe më pak forca aktive, e kryen detyrën e vështirë, në kushte kur vijonte Lufta Ballkanike, për mbrojtjen e pavarësisë së arritur me shumë përpjekje të shtetit të sapokrijuar dhe të rendit.

Botime për historinë ushtarake, investim serioz

Kaluan 28 vjet nga rënia e shtetit monist dhe tani është koha për të plotësuar e rishkruar historinë tonë ushtarake, si pjesë e rëndësishme dhe e pandarë e historisë sonë kombëtare. Shqiptarët si popull dhe posaçërisht Forcat e Armatosura kanë shumë nevojë të kenë të shkruar historinë e tyre në mënyrë që, jo vetëm ta njohin atë mirë, por sidomos për të nxjerrë mësime, për të qartësuar vizionin dhe rrugën përpara drejt së ardhmes, pa u penguar nga mangësitë dhe gabimet e së shkuarës. Ne sot kemi avantazhe që nuk i kishin në kohët e kaluara dhe ne tekstet e tyre të parët tanë. Ne jemi në pozita më komode, sepse arkivimi i periudhës 106 vjeçare na lejon të analizojmë, si dhe ne kemi ende një numër dëshmitarë të gjallë. Botimet për historinë ushtarake, duhet të jetë një investim serioz që duhet të vazhdojë. Bashkëpunimi me vendet anëtare të NATO-s e ato partnere, si dhe krijimi dhe zhvillimi i Muzeut të FA është një ndihmesë në dobi të pasurimit dhe zhvillimit të historisë ushtarake shqiptare.

Është koha për të menduar dhe për të reflektuar në këto studime historike ushtarake për periudhat, ngjarjet, protagonistët e tyre, por për t’i trajtuar ato me sa më shumë realizëm, vërtetësi dhe besueshmëri shkencore. Është koha për të nxjerrë në pah vlerave dhe kontributet e arritura me shumë sakrifica, luftë, përpjekje dhe investimet e shumë brezave. Historia e Forcave të Armatosura shqiptare në ditëlindjen e 106 të saj të na shërbejë për ringjalljen e vetëdijes se gjithçka të bukur e fisnike, si vetë historia e FA që nuk asgjëson vetveten, se humbjet janë të përkohshme, se ato mund të jenë deri diku kalendarike, aspak shpirtërore, ideale, intelektuale e profesionale. Të gjitha këto kanë një interes, ngritjen e forcave ushtarake moderne. Në këndvështrimin njerëzor ne nuk do t’i lejojmë vetes të jemi qortues të komandantëve, drejtuesve e kolegëve të kohëve të shkuar, që me të drejtë mund të quhen prindër e gjyshër të forcës joshëse të disiplinës e të kodit etik të profesionit ushtarak. Po të perifrazoj G. Kennan, duhet të kënaqemi duke kujtuar se gjatë karrierës së tyre ata u ndeshën me vështirësi që buronin nga ngritja, zhvillimi e modernizimi i Forcave të Armatosura. Kritikat për të kaluarën përbëjnë njëherazi dhe mësime, por dhe sfidën e së ardhmes për drejtuesin ushtarakë e më gjerë, sepse ai që merr përgjegjësi për të ardhmen, duhet të mbajë përgjegjësi dhe për të kaluarën, përkundrazi, ka thënë George Konrad, njerëzve të dobët do t’ua zënë vendin të tjerë më të dobët.

Është koha për të nxjerrë në pah vlerave

Përvoja 106-vjeçare e Ushtrisë sonë, ruan vlera progresive e pozitive sidomos kur arritjet janë të dukshme dhe që meritojnë të shfrytëzohen. Theksoj se çdo komb dhe vend i zhvilluar, një forcë e armatosur moderne, nuk mund të bëhet e tillë pa piketat e traditës, d.m.th. të veprës së drejtuesve dhe të personaliteteve të shquara që përfaqësojnë atë, sepse “burrat e shtetit dhe luftëtarët e vërtetë e gjejnë rrugën dhe në errësirë vetëm nëse ata nuk injorojnë dritat që kanë lënë paraardhësit”. Përvoja jonë e ka vërtetuar vlerën e kësaj aksiome, se një ushtri pa tradita rrezikon të mbetet pa individualitete. Në përkujtimin e historisë të FA shqiptare, mendja na shkon tek ajo plejadë e shkëlqyer ushtarakësh, që e krijuan dhe e formësuan, tek ata mjaft të tjerë, që drejtuan me sukses Luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, te heronjtë e martirët e vërtetë, te drejtuesit, mjeshtër të fjalës e të veprimit, që rritën e modernizuan FA. Në realitetin e tranzicionit të vështirë, në gjendjen kur FA përballen me sfida të rënda, përsëri në ditët tona gjenden ushtarakë atdhetarë të talentuar, të cilët janë model dhe kanë investuar dhe demonstruar me përpjekjet e tyre profesionalizëm dhe ndjeshmëri kombëtare, duke bërë detyrën.

4 Dhjetori, për ne ushtarakët është një kujtesë për peshën e lirisë përballë sfidave të misionit kushtetues. Kjo është një ditë fisnike, për gjithçka që bënë heronjtë e martirët e vërtetë. Politikani dhe shtetari Luigj Gurakuqi ka thënë se “… një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyre, jo vetëm në faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradien e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtue mbas shembullit të Mëdhenjëve të vet”. Krijimi i Forcave të Armatosura të afta që të përmbushin misionin e vet për mbrojtjen nga jashtë, por dhe të brendshme mbetet gjithnjë sfidë dhe kërkon kohën e duhur. Anëtarësimi në NATO, na ka bërë pjesë të veçantë të mbrojtjes kolektive për herë të parë në historinë e shtetit tonë të pavarur. Ky anëtarësimi në NATO ka motivuar për një qeverisje demokratike, për institucione të forta shtetërore, për udhëheqje të aftë e të orientuar nga interesi kombëtar, gjithmonë duke vlerësuar vendndodhjen gjeostrategjike, burimet e bollshme dhe klimën shumë të mirë të Shqipërisë. Sigurimi i një shteti është shqetësim i të gjithëve që del nga dijenia e të gjithë qytetarëve, që vlerat mbi të cilat shteti i tyre është ndërtuar nuk janë një dhuratë për rezultatet e përpjekjeve kolektive dhe e bindjes së ndërgjegjes së cilitdo dhe të gjithëve, ka theksuar V. Haveli. Detyra e madhe për shoqërinë tonë është forcimi i sistemit demokratik, garancia ligjore dhe ekonomia kombëtare, si dhe kujdesi për sigurinë vetjake dhe kolektive. Në momente historike FA shfaqen si mbartësi i një misioni të rëndësishëm historik në procesin e të cilës ajo varet në traditat e nderuara të kohës dhe krijon të reja, ku më të spikatura në kohën tonë, vlerat euroatlantike.

Idealet njerëzore paraprijnë

Historia e Forcave tona të Armatosura përcjell bindshëm mësimin se idealet njerëzore i paraprijnë një mosbindjeje të përhershme, universale ndaj së keqes. Kjo është ajo që ideuan dhe luftuan themeluesi i shtetit modern shqiptar Ismail Qemali dhe bashkëluftëtarët e tij. Dhe kjo doktrinë zbatohet plotësisht tek Forcat e Armatosura, mbartësit dhe garantuesit e vazhdimësisë së mbrojtjes së shtetit dhe traditave kombëtare në momentet e rëndësishme të historisë. Dekada e parë e këtij shekulli mbarti me vete dhe përmbushjen e aspiratës gati një shekullore të popullit shqiptar: Kosova, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, fitoi Pavarësinë, ndërsa Shqipëria u anëtarësua në Aleancën më të madhe demokratike që ka njohur njerëzimi që nga krijimi i tij. Anëtarësimi në NATO, na ka dhënë një mundësi unike, për të ndërtuar sigurinë tonë mbi themele krahasueshmërisht solide. Aleanca mbrojtëse e NATO-s përmbush detyra më të gjëra dhe më ambicioze sesa mbrojtja individuale e anëtarëve të saj. Sistemi i vlerave të NATO-s u dizenjua për të stabilizuar zhvillimet politike dhe nëse nuk do të kishte ndonjë kërcënim të hapur ushtarak. Forcat tona të Armatosura kanë kohë që po shpalosin performancë të përsosur në misionet paqeruajtëse, duke evidentuar dhe njëherë vlerat tona kombëtare. Angazhimi ynë mbetet solemn, me rrënjë tek detyrimi ynë ndaj Atdheut, Nderit dhe Detyrës.