Floriana Koka e ka kthyer bashkinë në “çerdhe” nepotike dhe “punishte” korrupsioni me 74 afera.Ja faktet

1304

Drejtësia të nisë hetimin për abuzimet
e rënda me fondet e sport-kulturës, punët publike, licencat, qiratë, pasuritë
dhe taksat vendore

 

Sigal

Përparim HALILI

Që kryetarja e Bashkisë së Sarandës, “medalistja e artë” Floriana Koka nuk
ka asnjë lidhje me punët e bashkisë që tashmë ka në administrim, pothuajse
gjithë rrethin e Sarandës si “bashki e madhe”, kjo kuptohet nga shpërfillja që
ajo tregon ndaj zërit të komunitetit dhe nga projektet klienteliste që aplikon
dhe jep për firmat e preferuara, duke i kthyer punët publike në “qoka” private!

Kryetarja shpërfill hallet e banorëve, i trajton banorët
si “mbetje”

Që kjo kryetare nuk ka asnjë lidhje me transparencën e punëve që kryen
bashkia, këtë e tregon fakti se me urdhër të saj, prej 1 viti është bërë “bunkerizimi
i institucionit të bashkisë”, duke mos dhënë asnjë informacion publik as për
punësimet, as për praktikat, as për shkollimin dhe as për moshën e të punësuarave
në bashki, madje as për blerjen e leckave të pastrimit, paçka se paguan 1 ushtri
me “tellallë”, por që të lidhur prej pagës të gjorët, i bëjnë fresk vetëm atyre
promovimeve që i interesojnë asaj, të cilat janë më së shumti “proçka”, madje publikojnë
si “arritje bashkëpunimi” të kryetares edhe citatet dhe vjershat (bejteve
komike) që u reciton shtetarëve të lartë të Kosovës e Greqisë! Me urdhër të
saj, bashkia është tjetërsuar në rezidencë private të mbushur me miq, shoqe, shokë,
krushq e krushka, dhëndurë, analfabetë, sekserë, emigrantë në Greqi që paguhen
në bashki, pensionistë që kanë nipërit nga 50 vjeç, familjarë dhe servilë
“lolo”! Pas dy shkrimeve të botuar në “Telegraf”, në redaksi kanë ardhur shumë
denoncime, ankesa madje edhe regjistrime bisedash të kryetares në afera me
biznes-pisnese, jo vetëm të Sarandës, por edhe të zonave të tjera të Shqipërisë
e deri të Greqisë. Letrat që kanë ardhur, denoncojnë faktin që “kryetarka” e
Sarandës nuk i pret në takim as në ditën e pritjes ose edhe kur prêt, kjo
realizohet nëpërmjet sekserizmit të vartësve të saj të besuar! Më lehtë mund të
takosh kryeministrin, presidentin e çdo shtetar tjetër, por jo “zonjën e parë”
të Sarandës, njëherazi “pronare e bashkisë”, siç e quajnë qytetarët! Ata thonë,
se Koka nuk e ka mendjen tek hallet e qytetarëve që paguajnë taksa me të cilat ajo
merr jo vetëm rrogën mujore, që blen veturë të rehatshme e karburante, ngrohet
e freskohet në dimër dhe në verë me kondicionerë. Merr dieta duke udhëtuar në
emër të halleve të popullit dhe të “turizmit” të Sarandës, duke marrë pas vetes
një “ushtri” zyrtarësh e shokësh edhe jashtë Shqipërisë, gjoja për të dhënë e për
të marrë përvojë qeverisjeje lokale, thua se e ka “ndritur” në qeverisjen e punëve
dhe halleve të banorëve të Sarandës. Kjo shpërfillje e kryetares ndaj banorëve
i përket ta ndëshkojnë qytetarët, të cilët kanë në dorë votën dhe protestën masive
për ta përzënë “me daulle” nga detyra gjersa ajo i tall, i mashtron, i masakron
me shpërfillje dhe i trajton si “mbetjet” e restoranteve luksoze ku ajo ha
mëngjese, dreka e darka “pune” larg syrit të popullit!

 

Drejtësia të nisë hetimin për 74 aferat e “kokës” së
korrupsionit të bashkisë Sarandë

 

Nëse banorët e territorit të
bashkisë së Sarandës, kanë gjithë të drejtën e Zotit që të ushtrojnë urgjent
fuqinë e tyre si popull, për ta përzënë këtë “fallxhore” të papërgjegjshme që u
zhvati votat e u ktheu shpinën, shteti ka detyrë dhe përgjegjësi për ta ndalur
dhe për të ndëshkuar abuzimet e saj me pasuritë dhe kompetencat e kryetares së
bashkisë, të cilat prej një viti, pasi e  hipën në kolltuk me “katapultë preferenciale”,
po i përdor sikur i ka pronë private! Nuk e thotë gazeta “Telegraf”, që kryetarja
e ka kthyer bashkinë në “pishinë” korrupsioni brenda të cilës po “noton” lirshëm,
duke marrë firma prej vartësve, të cilët binden për çdo gjë. E kur nuk binden,
shkarkohen nga detyrat e për më tepër, kur qepin gojën e zhdukin letrat e pista
dhe nënshtrohen pas presionit të saj, emërohen në detyra të tjera, siç është rasti
i drejtorit të 500 milionë taksave vendore dhe inxhinierit të Njësisë
Administrative të Ksamilit, të cilët denoncuan aferat dhe urdhrat e saj korruptiv
duke u larguar me dorëheqje nga detyra, por pas “stilimit” të bërë prej
kryetares dhe sekserëve të saj në bashki, ata e “drodhën” dhe tashmë janë
graduar në detyra të larta brenda bashkisë. Që kryetarka Koka është “koka” e
korrupsionit në bashki, këtë e thonë “letrat” që ajo mendon, se janë vetëm në
“sirtarin” e saj. E thonë vetë punonjësit e saj të cilët edhe bëjnë ndonjë
filmim, regjistrim e ndonjë fotokopje letrash dhe përveçse në “Telegraf” i dorëzojnë
edhe atje, tek vendi ku zullumqarët që shkelin ligjin tregojnë vjeçët dhe emrin
e nënës e të babait! E thonë edhe bizneset që nuk guxojnë të fusin as letrat në
tendera, se gjoja i “zhduk sistemi”, nëse nuk paguajnë paradhënie “Taksën Koka”!
E thonë edhe disa biznesmenë të huaj, të cilët kanë lënë “mendjen e kokës”, kur
janë përballur me praktikat dhe aferat e Floriana Kokës, “tutores” së Bashkisë
Sarandë. E thonë edhe emigrantët, të cilët kanë kërkuar të marrin troje, leje e
licenca për biznese në territorin e bashkisë, por ia kanë mbathur prej tmerrit
të pazareve të pista që u impononte kryetarka. E thonë edhe banorët që përballen
përditë me moszbatim ligji, me mohim të drejtash, me zvarritje detyrimesh sociale
dhe me sekserët që përdor “goca e rilindjes”! Këtë “moçal” korrupsioni që ka “përmbytur”
kupolën (ç)drejtuese të bashkisë së Sarandës, duhet ta hetojë me urgjencë drejtësia,
mbasi nëse lejohet, i thonë edhe 3 vite të tjerë shkatërrim qyteti, papërgjegjshmëri
dhe batërdi korruptive në duart e Floriana Kokës.



 Drejtësia të nisë urgjent “operacionin” për të zbardhur
“letrat” në këto 10 drejtime

 

1. Të hapen “letrat” e fondeve
të sektorit të sport-kulturës, të klubeve sportive!

2. Të zbardhë letrat e ligjshmërisë
së praktikave në tenderët e punëve publike, të cilësisë së punimeve, të ligjshmërisë
së firmave që kanë marrë tenderët dhe të zbatimit të projekteve!

3. Të zbardhë letrat e
kontratave të reja të shërbimeve publike dhe të kontratave ekzistuese, të
ricikluara edhe nga kjo kryetare!

4. Të hetohen letrat për urdhrat
dhe vendimet që ka lëshuar kryetarja Koka, nëse janë dhënë apo jo në zbatim të ligjit,
të vendimeve të Këshillit Bashkiak, madje a ka “punë” të bëra pa vendim të këtij
këshilli!

5. Të hetohet krimi i krijimit
të konsorciumit ekonomik për qarqet Vlorë-Gjirokastër, paraqitur në Këshillin Bashkiak
të Sarandës prej kryetares, projekt që nuk u votua nga Këshilli Bashkiak, si
“skemë biznesi privat mafioz”!

5. Të hapen letrat për blerjet
që ka bërë bashkia për shërbimet kancelarie, për pajisjet dhe shërbimet e tjera
në varësi të saj!

6. Të hapen letrat e udhëtimeve
të kryetares Koka dhe të stafit të saj brenda territorit të bashkisë dhe brenda
e jashtë Shqipërisë!

7. Të hapen letrat e pagesave
sociale dhe të pagave mujore që bënë bashkia për punonjësit e saj

Përmes verifikimeve të punësimit
në bashki, nëpër njësi administrative dhe sektorë të tjerë të kësaj bashkie, nëse
ka punonjës qoftë edhe gjelbërimi apo roje që janë emigrantë, të pa ardhur në
Shqipëri prej 1, 2 e 10 vjetësh vitesh dhe që marrin pagën në bashki me vendime
emërimi prej kryetares!

8. Të hapen dhe letrat për blerjen
e produkteve ushqimore, të lëndëve e pajisjeve ngrohëse, si dhe të orendive e
pajisjeve të tjera të institucioneve dhe shërbimeve në vartësi të bashkisë!

9. Të hapen letrat edhe për sipërfaqet,
afatin dhe vlerën e qirave të trojeve, të objekteve, të mjediseve publike, të
tokave, të trotuareve, të kullotave, pyjeve, baseneve ujorë (rezervuarave) etj!

10. Të hapen letrat për pasuritë
dhe taksat vendore, të mbledhura nga banorët dhe bizneset!