Flet Visho Ajazi: SHISH nuk ka përgjuar asnjë politikan

476
Sigal

TIRANE – Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi reagon për herë të parë publikisht përballë lajmeve të bujshme të ditëve të fundit në media, se institucioni që ai drejton ka përgjuar kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta, ambasadorë e deputetë.
 
Në një deklaratë për mediat ai thotë se këto akuza janë të pavërteta duke thëne se kanë për qëllim të denigrojnë këtë agjenci të sigurisë kobmëtare.
 
“Ditët e fundit Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) edhe një herë  tjetër është vënë në shënjestër të goditjeve të mediave të ndryshme,  përmes deklarimit të të pavërtetave lidhur me aktivitetin e tij ligjor. Duke sqaruar se SHISH nuk e ka në natyrën e punës së tij të bëjë  publike veprimtarinë e vet, për hir të së vërtetës dhe mbrojtjes së  punës së tij, n’a lejoni t’i bëjmë me dije gjithë opinionit publik shqiptar se institucioni ynë ka vepruar, vepron dhe do të veprojë  gjithmonë vetëm në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet normative  që rregullojnë këtë veprimtari.Janë tërësisht dezinformuese e denigruese informimet se qenkan  përgjuar nga SHISH, në mënyrë të paligjshme, persona publikë të  profileve të ndryshëm apo ndonjë qytetar tjetër. Është shumë e qartë se ata persona që servirin këto lloj informacionesh në media, dhe për fat të keq edhe botohen pa marrë  asnjë masë verifikuese, kanë qëllimin e mbrapsht t’a denigrojë këtë  agjenci të rëndësishme të sigurisë kombëtare, t’a pengojë dhe  shkurajojë në punën e saj aq të dobishme dhe të vështirë. Ju sigurojmë se kemi kaluar situata shumë më të vështira se sa  situatën e stisur me këto të pavërteta, por ne thjesht i kemi  injoruar të gjitha ato përpjekje të cilat kanë patur si qëllim  përbaltjen e veprimtarisë sonë. Përmes këtij komunikimi, e sigurojmë publikun shqiptar se  veprimtaria e SHISH, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare,  në këta dy vjet, është vlerësuar mjaft pozitivisht si nga institucione  të shtetit shqiptar, ashtu edhe nga shërbime partnere strategjike. Jemi krenarë t’ju informojmë se, në rendin e këtyre vlerësimeve,  për suksesin e vizitës së Papa Franceskut, në mes të institucioneve të tjera, edhe SHISH mori falenderime të veçanta nga Shenjtëria e  Tij. Duke qënë të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë në drejtim të  rritjes së profesionalizmit në SHISH, ne po punojmë me vetmohim  dhe jemi në krye të punëve tona për t’i shërbyer vendit në këto kohë  të vështira për sigurinë kombëtare dhe asaj globale, e cila  rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar, ku  Shqipëria, dhe SHISH në veçanti, janë të angazhuara në vijën e  parë të kësaj lufte”, thuhet ne deklaraten e Visho Ajazit, publikuar ne faqen zyrtare te SHISH.