Flet Prof. Dr. Arben Malaj: Reformimi i politikës, zgjidhje për situatën kritike. Zvarritja do të sjellë kaos social, ekonomik dhe politik

471
Sigal

Vendi është në një situatë kritike e cila kërkon një zgjidhje. Nëse kjo situatë vazhdon ajo do të ushqejë një efekt domino jo pozitiv mbi zhvillimet sociale, ekonomike dhe politike. Pasiguria do të reduktojë konsumin dhe investimet individuale e private, investimet e huaja direkte do të mbeten në pritje, gjithashtu rritja ekonomike do të ulet ndjeshëm, papunësia do të rritet, varfëria do të shtohet, braktisja e vendit do të përshpejtohet. Më pak rritje ekonomike, më pak të ardhura në buxhet, më pak të ardhura, më shumë deficit buxhetor dhe borxh publik më të lartë. Ky cikël negativ mund të ndërpritet vetëm nëpërmjet një pakete reformuese të politikës, dhe jo nga marrëveshje individuale midis liderëve partiakë. Pa reformuar sistemim tonë politik, duke reduktuar deficitin demokratik, përfaqësuesit t’i përzgjedhin votuesit dhe jo kryetarët, në nivele vendore apo kombëtare, pa qartësuar ndarjen, balancën dhe kontrollin e pushteteve çdo marrëveshje për një zgjidhje i bënë të padobishme zgjedhjet e njëpasnjëshme sipas mentalitetit – “siç ma bërë – do ta bëj” . Politikanët duhet të mbajnë parasysh dallimin e madh dhe të qartë  midis një lideri partiak dhe një burri shteti. Gjatë çdo krize vendet varfërohen më shumë. Vendi ynë rrezikon të mbetet përjetë vendi më i varfër në Evropë. Mos kërkoni më larg, shikoni Greqinë dhe Italinë ku jetojnë pjesa më e madhe e emigranteve shqiptarë. Borxhi publik i Greqisë kur nisi kriza e saj ishte 176% e produktit të brendshëm, tani ka arritur rreth 220% e PBB-së. Italia për shkak të zinxhirit të krizave politike nuk i bëri kurrë reformat strukturore për ‘tu bërë konkurruese. Tani borxhi i saj publik dhe kostoja e financimit të ekonomisë gjithashtu po rritjen në nivele kritike. Pavarësisht rritjes së partive populiste, ekonomia e saj po prodhon më shumë borxhe, më shumë varfëri, më pak kohezion social dhe më shumë instabilitet politik.