OLYMPUS DIGITAL CAMERA
Sigal

Në Veri të Kosovës, paralelizmi sot më 28 nëntor po prekte një nivel tjetër. Aty ku përfundonte vargu i flamujve kuq e zi, shfaqeshin ata të Serbisë. Vetëm trupat e KFOR’it që ishin shpërndarë në distanca jo shumë të mëdha, po e thyenin këtë rregull. Derisa në fshatin Boletin të Zveçanit, shqiptarët po vizitonin kullën e Isa Boletinit për Festën e Flamurit, në qendër të Mitrovicës, serbët po i thurnin vargje “tokës së shenjtë”

Veriu sot ishte kthyer në destinacion i dy pelegrinazheve: i serbëve që po e vazhdojnë serinë e protestave ndaj vendimit të Qeverisë për taksën ndaj produkteve serbe, duke i kënduar Kosovës dhe Trepçës dhe i shqiptarëve, që shkonin në Kullën e Isa Boletinit për Festën e 28 Nëntorit.

Gjithçka po zhvillohej në një perimetër jo shumë të gjerë, në zonën e qyteteve veriore, që janë përfshirë në debatin e ‘korrigjimit të kufijve’.

Në mesditë në Kullën e Isa Boletinit po përfundonin vizitën e tyre kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Tema e ndryshimit të kufijve nuk ka kursyer as Kullën dhe varrin i Isa Boletinit. Kryeministri Ramush Haradinaj javë më parë deklaroi se bëhet fjalë për ndarjen e veriut. Sipas kryeministrit, plani i ndarjes e lë jashtë edhe fshatin Boletin, në të cilin janë rivarrosur eshtrat e heroit.

Gazmend Boletini, nip i Isa Boletinit, i cili po bënte nikoqirllëk në kullën e stërgjyshit të tij.

“Ne jemi Kosovë. Isa nuk ka luftuar që Kulla t’i mbetët në anën tjetër” , tha ai.

         Gazmend Boletini

Ai tutje tregoi që kishin pritur qindra grupe të vizitorëve që për 28 nëntor shkojnë në Boletin.

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, themeluesi KIPRED’it, Lulzim Peci, i cili ka qenë i zëshëm kundër idesë së ndryshimit të kufijve/ndarjes së Veriut.

“Pas 99’ës, kjo është ideja më e rrezikshme që është përballur Kosova. Kjo ide ka qenë edhe më përpara, mirëpo nuk ka pasur përkrahës. Problemi është se tash janë gjetur përkrahësit”, ka thënë Peci.

Ai e quan tradhtinë më të madhe përkrahjen e opsionit të ndryshimit të kufijve, duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit, kushdo që e quan tradhtar Hashim Thaçin është gomar.

Në afërsi të kullës, trupat e KFOR’it ishin shpërndarë në dy-tre pika të ndryshme.

Nga ana tjetër, në udhëkryqin në dalje të Lagjes së Boshnjakëve qëndronte një veturë e policisë së Kosovës. Në të gjitha atë zonë, vetëm uniforma e policit që rrinte jashtë veturës kishte shenjë të Republikës së Kosovës.  Lagjja e Boshnjakëve ishte mbuluar me flamuj kuq e zi për shkak të festës. Njëqind metra më në veri, të dy anët e rrugës ishin të mbushura me flamujt e shtetit serb.

Vetura e Policisë dhe automjetet e KFOR’it po qëndronin larg qendrës së Mitrovicën Veriore, ku ishin mbledhur protestuesit serbë.

Boletini dhe fshatrat përreth ishin mbushur me flamuj kuq e zi. Edhe veturat që destinacion kishin varrin dhe kullën e Isa Boletinit, mbanin flamujt e Shqipërisë.

Në qytetet veriore, aty ku përfundonin flamujt kuq e zi, fillonte vargu i flamujve serbë. Mëngjitë situatës tensionuese në Veri, sot të dy palët po festonin. Shqiptarët 28 nëntorin, e serbët që sot u mblodhën për herë të tretë për të protestuar rreth taksës të qind për qindtë ndaj produkteve serbe.