Flet Kryebashkiaku, Dhurim Alinani: “Delvina, qyteti që ofron turizmin malor”

616
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Delvinës, z.Dhurim Alinani ,thotë për “Telegraf”se Delvina është ndoshta qyteti më i harruar për sa i përket investimeve infrastrukturore për zhvillimin e turizmit malor edhe pse ajo ka në dispozicion një potencial të jashtëzakonshëm, më të madhin në jugun shqiptar si në florë e faunë, ashtu edhe në pika natyrore, kulturore e fetare.

Z. Dhurim, cilat janë masa janë marrë që Delvina të ketë turizmin malor më të zhvilluar në jugun e Shqipërisë?

Në radhë të parë ju falënderoj për intervistën, pasi Delvina duket si qytet i harruar edhe nga media, por edhe se pyetja juaj është me shumë interes dhe vlerësoj për këtë gazetën tuaj që interesohet për hapat e zhvillimit të turizmit të Delvinës, pasi Delvina ka resurse, potenciale dhe mundësi për zhvillimin e turizmit malor si Syri i Kaltër, Sopoti, Muzina, gjithçka kodrinore e gjelbëruar nga natyra dhe e pa eksploruar nga vizitorët dhe turistat. Pse është kjo gjendje deri tani? E para në pikat më të famshme, jo vetëm të Delvinës, por edhe të rajonit, mungon infrastruktura rrugore dhe në mandatin tim të parë i kemi kushtuar më shumë rëndësi turizmit kulturor në drejtim të restaurimeve të objekteve të kulteve fetare dhe ato kulturore. Kjo është faza e parë, faza e dytë e punës së shfrytëzimit të resurseve turistike, fazë që ka filluar me mandatin tim të dytë, konsiston tek përqendrimi i zhvillimit të turizmit malor, gjuetar (këtu më shumë për ta vënë edhe nën kontroll pasi është kthyer në biznes dhe shumë kafshë dhe bimësi po zhduken), sportivitetin malor etj., pasi Delvina për vetë terrenin plotëson dhe kënaq shijet dhe preferencat e shumë vizitorëve.

Për të kapërcyer këtë ngërç të investimit, nga ana e sigurimit të mjeteve financiare cilat janë masat, si do të operohet?

Mundësia e parë është vendosja e fondeve moderne nga bashkia jonë në planifikimin e ndërtimit të projekteve, sepse duke pasur të gatshëm projektet mund të ekzistojë mundësia e thithjes së fondeve investuese, por gjëja e parë është që ne do të hedhim investimin tonë, sepse është e pamundur të marrësh investime kur nuk disponon projekte.

Si punohet me agjencitë turistike të vendit dhe ato të huaja për promovimin e këtyre vlerave që ka qyteti i Delvinës?

Jemi përpjekur disa herë nëpërmjet rrugëve mediatike, ndërsa këtë vit kemi menduar të propagandojmë vlerat nëpërmjet flet-palosjeve të vogla dhe guida.