“Flamurtari” te varri i Ismail Qemalit

Gëzim LLOJDIA

Ai ishte mjeshtri i pa arritshëm i skulpturës shqiptare. Quhej Odise Paskali. Janë thinjur monumentet nga pesha e kohës nëpër rrugë dhe sheshe qytetesh. Ai ka mërguar në mërgimin e madh dhe të pafundmë, për t’u mbyllur, për t’u ngurosur në fundin e fundmë, por jo të dëshiruar. Mërgoi si fillesë shpirti. 

Rri në këtë copë tokë, shiu rrëke derdhet përmbi bronzin tënd. Është “Flamurtari” me kostum kombëtar që përfaqëson popullin e vetëdijshëm, që bën roje pranë varrit të atdhetarit të madh, i pikëlluar për vdekjen e tij, duke mbajtur në një dore flamurin historik dhe në tjetrën pushkën me të cilën do ta mbrojë për jetë. Ky është kuptimi, që skulptori i madh shqiptar Odise Paskali, ka realizuar 80 vjet më parë në Vlorë, përmes “Flamurtarit”. Duke medituar për këtë monument gjetëm një libër, një botim, që është bërë para viteve ’90 ku mjeshtri i madh O. Paskali jep kujtimet e tij dhe e titullon: “Gjurmë jete”. Skulptori i shquar ka shkruar për ndërtimin e varrit monumental të Ismail Qemalit. Nga zhbirimi i kujtimeve mësojmë fakte dhe përjetime të artistit O. Paskali: “Statujën e “Flamurtarit” e realizova, shprehet me honorarin e Monumentit të Luftëtarit Kombëtar të Korçës, të cilin po e punoja ne të njëjtën kohë”.

ODISE PASKALI: VARRI I ISMAIL QEMALIT

Libri:”Gjurmë jete” ShB “8 Nëntori” ,faqe 70, indeks 51 
Më 1929 kisha botuar në revistën “Studenti shqiptar” të Torinos një projekt për varr monumental për Ismail Qemalit. Nga mesi i vitit 1930 në një udhëtim në Tiranë, më thirri Eqrem Libohova, ministër i pallatit dhe më tha se mbreti Zog dëshironte të ndërtonte me shpenzimet veta (por që në fakt nuk shpenzoi vetë asnjë grosh) një varr madhështor për Ismail Qemalin dhe më ngarkoi të përgatitja një projekt të ri, si e gjykoja më të përshtatshëm. Paraqita një vizatim dhe çmimin 40 mijë franga ari. Më tha, ta reduktoja e me kosto më të vogël. Paraqita një të dytë, për 25 mijë franga. Më tha, se: nuk duhej abuzuar nga mirësia e lartmadhërisë së tij, prandaj mos të kushtonte më shumë se 10 mijë franga. Ndërkaq, për ngatërresë dhe mbase për interes, ndërhyri skulptori Italian De Markis, që ,jetonte në Tiranë, si organizator sportiv dhe m’u kërkua prej ministrit të oborrit, një maket plastik dhe një fragment në madhësi natyrore. Në Ekspozitën e Miqve të Artit të 1931-shit kisha dhe maketin e Varrit të Ismail Qemalit dhe fragmentin portret të “Flamurtarit” në allçi në madhësi të monumentit. Lidha kontratë për 10 mijë franga ari. Në parlamentin e kohës, zëdhënësi i Zogut, Lalë Krosi, deklaroi botërisht se: “Naltmadhënia kishte dhënë 20 mijë (siç) franga ari një skulptori për ndërtimin e varrit madhështor të Ismail Qemalit”. Nuk u caktua se ku do to ngrihej monumenti, po nga një vizite në Kaninë ku gjendej varri vjetër, në një vend të ngushtë në oborrin e xhamisë, mendova se duhej ndërtuar në Vlorë, në vendin ku u ngrit flamuri më 1912. Studiova vendin dhe e bëra fakt të kryer, pa pyetur njeri. Ngarkova korçarët, Kristaq dhe Kilo për punimin e gurëve. Ata punuan vetë i katërt më se shtatë muaj dhe e përfunduan, siç është me gur të nxjerrë në pllajën e Ujit të Ftohtë. Vetëm nderimi i gurëve, blerja e pllakës dhe udhëtimet e mia e harxhuan të gjithë fondin prej 10 mijë frangash. Statujën e “Flamurtarit” e realizova me honorarin e Monumentit të Luftëtarit Kombëtar të Korçës, të cilin po e punoja në të njëjtën kohë. Varri i Ismail Qemalit u përurua me 28 Nëntor 1932 nga ministri i Arsimit, poeti Hil Mosi, i cili e shpalli monument nacional. Flamurtari me kostum kombëtar përfaqëson popullin të vetëdijshëm që bën roje pranë varrit të atdhetarit të madh i pikëlluar për vdekjen e tij, duke mbajtur në një dorë flamurin historik dhe në tjetrën pushkën me të cilën do ta mbrojë për jetë. Kokën e “Flamurtarit” e punova njëkohësisht me statujën dhe dëshira ime ishte, që të realizoja një tip labi. Një ditë, mbas vendosjes së statujës pashë në pazarin e Vlorës një fshatar, që i përngjiste krejt “Flamurtarit” dhe më erdhi mirë. Të gjitha punimet ishin të kryera në fillim të marsit 1932, po u vendos, që përurimi të bëhej me 28 Nëntor.

VARRI MONUMENTAL I ISMAIL QEMALIT
Varri monumental i Ismail Qemalit u ndërtua rreth 80 vjet më parë nga skulptori O. Paskali. Ka të dhëna të cilat zbulojnë vitin për ndërtimin e varrit monumental. Këtë e zbulon së pari vetë autori, skulptori Odise Paskali. Një të dhënë tjetër kemi SE dhe lulishtja e tij u ndërtua prej kryebashkiakut të asaj kohe Ali Asllanit rreth viteve 1932. Sipas shtypit të asaj kohe gjejmë se eshtrat plakut të Vlorës janë vendosur në këtë varr në 20-vjetorin e pavarësisë. Këtë kohë përcakton edhe skulptori O. Paskali duke qartësuar datën 28 nëntor. Përurimet kryheshin në Festën e Flamurit dhe në datën 28. Simbolika në vetvete është e qartë. Ja shkurtazi çfarë citon shtypi i kohës: Ministri i Arsimit, Hilë Mosi u tha të pranishmëve: “Vëllezër shqiptarë. Sot mbushen plot njëzet vjet që kur se Ismail Qemal Vlora, një nga bijtë më të çmuar të kësaj Vlore trime, m’u këtu në këtë shesh shpalli vetësundimin e Shqipërisë edhe valëviti në ajrin e lirë flamurin tonë të shenjtë kombëtar. Me këtë vepër, Shqipëria, e cila për më shumë se katër shekuj kishte lënguar nën zgjedhën e huaj, në mes të zjarrit të luftës ballkanike, nën udhëheqjen e një plaku, i cili për së afërmi i kishte ndjekur lëvizjet kombëtare të Rilindjes, qysh më 28 Nëntor 1912 u shpall si shtet i lirë e i pavarur.””Këtë shtatore, që hijeshon varrin e Ismail Qemalit e që simbolizon flamurin kombëtar, si edhe ata luftëtarë që ranë theror për nder të tij, e deklarojmë monument kombëtar edhe mirëmbajtjen e ruajtjen e saj ia ngarkojmë prefektit të Vlorës si kryetar i këshillit arsimor. Shqiptarë! Për një çast t‘i mbledhim zemrat tona rreth këtij veterani dhe t‘i betohemi se atë flamur që dora e tij shkundi nga pluhuri i robërisë, ne do të jemi gjithnjë gati ta mbrojmë e ta lartësojmë me mendjen, me zemrën edhe me gjakun tonë.” Kryetari i Parlamentit, Eshref Frashëri mbajti një fjalë të shkurtër. Prefekti i Vlorës, Abedin Nepravishta, lexoi dhe mesazhin e mbretit.