Flamuri Kombëtar në Pogradec e Gjirokastër i shqyer si leckat që nxjerr lumi, flamuri maqedonas në Ohër… dinjitoz!

592
Mirë që shtetarët tanë nuk bëjnë dot shtet, por nuk janë në gjendje të mbajnë dot as simbolet e Kombit e të Shtetit. E kemi fjalën për Flamurin Kombëtar Shqiptar! I kemi thurur këngë, himne, histori e lavdi, në emër të tij e me të në dorë janë bërë beteja për liri, me të u shpall Pavarësia. Me Flamurin Kombëtar vazhdojnë e bëhen manifestime nëpër botë në kërkim dhe mbrojtje të të drejtave shqiptare kombëtare, valëvitet me dinjitet nëpër aktivitete kulturore e sportive kudo ku ka shqiptarë! 

Por ky respekt për Flamurin Kombëtar Shqiptar nuk tregohet prej Shtetit Shqiptar! Eshtë detyrim që në institucionet zyrtare, në qendrat e qyteteve dhe në mjedise të tjera që kanë të drejtën përfaqësuese të Shtetit Shqiptar, të valëvitet Flamuri Kombëtar me përmasat kushtetuese, të jetë i pastër, i plotë, i pa dëmtuar! Mirëpo në shumë institucione e qendra qarqesh dhe rrethesh, Flamuri Kombëtar Shqiptar valëvitet i shqyer, i copëtuar, tamam si leckat që nxjerr rrjedha e lumit në dimër! Këtë pamje të turpshme e trishtuese që në fakt tregon fytyrën e atyre që drejtojnë shtetin, mund ta shikosh në Gjirokastër, Lezhë, Dibër, Elbasan, Pogradec e në shumë qytete dhe nëpër institucione të tjera siç janë ministrit e madje edhe institucione qendrore të kulturës dhe historisë sonë kombëtare! Kaq në hall qenka shteti shqiptar që harxhon miliarda për vetura luksoze qeveritarësh, që Flamurin Kombëtar të vendosur në institucione dhe qendra qytetesh e lë deri sa i del boja e bëhet… leckë plehrash?!
Sigal