Flamur Gjymyshka/ Zyrtarët që fshihen pas kontrabandës së cigareve

623
Një operacion i strukturave doganore në bashkëpunim dhe me Policinë e Shtetit, është bërë objekt i kritikave të shumë analistëve dhe politikanëve. A ishte në të vërtetë ky operacion efektiv dhe me pritshmëri në rritjen e treguesve akcizës të cigareve? Me poshtë do të perpiqem të analizojë këtë fenomen si në këndvështrimin historik, ashtu edhe në atë aktual. 

1. Një veshtrim historik i kontrabandës së cigareve në Shqipëri.
Kontrabanda e cigareve në Shqipëri është zhvilluar që në kohën e mbretit Zog. Duhani ishte monopol shteti. Zogu në hartimin dhe zbatimin e legjislacionit doganor përdori ekspert hollandez. Shpesh duhani kalohej i fshehur në samarët e kafshëve të transportit që lëviznin nga Shqipëria në drejtim të vendeve fqinje, ose anasjelltas. Por kontrabanda me përmasa të mëdha u zhvillua në periudhen e diktaturës. Ajo nisi në fund të viteve ’70 dhe u konsolidua më pas në vitin 1981. Kontrabanda e cigareve organizohej nga shteti. Struktura që merrej me realizimin e saj ishte Sigurimi i Shtetit. Në këtë kontrabandë ishin te përfshirë segmente të shtetit shqiptar, mafias italiane, si dhe kontrabandistë me origjinë shqiptare, të cilët punonin në vendet perëndimore. Kontrabanda drejtohej nga ish zv/ministri i brendshem H.Sh. (i caktuar për të mbuluar sigurimin e shtetit), si dhe dy eksponentë të rëndësishëm të Sigurimit të Shtetit, Q.M. (i ashtuquajtur nga mafia italiane Senior Antonio) dhe L.N. Anijet me cigare kontrabandë ankoroheshin në një mol në portin e Durrësit, të ndërtuar posacërisht (moli zero) dhe më pas ngarkesat kalonin në skafet e mafias në ujërat ndërkombëtare me destinacion Italinë. Një sasi e cigareve vinte dhe në rrugë tokësore, të ngarkuara në kamione me intenerar Lugano (Zvicër) – ish Jugosllavi – Durrës. Në disa raste, skafet e mafias italiane ndiqeshin nga Guarda di Financa, gjë që i bënte ata të hidhnin ngarkesën në det dhe cigaret Winston, Marlboro etj, shfaqeshin në bregun e detit pranë portit të Durrësit. Në këto raste, strukturat e Sigurimit të Shtetit disinformonin për anije të mbytura në det dhe se ngarkesat e tyre përfundonin në bregun prane portit te Durrësit. Kjo veprimtari vazhdoi deri në vitin 1991. Parlamenti i parë pluralist i Shqipërisë, në një nga vendimet e para të tij, e mbylli këtë veprimtari kriminale që drejtohej nga shteti. Në vlerësim të këtij akti, qeveria italiane, suportoi strukturat e reja të Ministrisë së Financave (policinë financiare) me mjete dhe pajisje që të mund të luftonin kontrabandën. Pas mbylljes së kontrabandës në drejtim të Italisë në fillim të viteve ’90, u shfaq kontrabanda e cigareve me destinacion tregun shqiptar. Cilësia e ulët e cigareve që prodhoheshin në fabrikat brenda vendit si në Shkodër, Durrës dhe Gjirokastër, favorizonte tregun e cigareve që vinin nga vendet fqinje. Prodhimi i fabrikave vendase ra nga 3000 ton në 600-700 ton dhe për pak vite e mbyllën aktivitetin e tyre. Cigaret në këtë periudhë mund të kontrabandoheshin lehtësisht, pasi legjislacioni ynë kishte mangësi të mëdha. Në një studim të kryer në vitin 1993, mbështetur në të dhëna statistikore të vitit 1989, sasia e cigareve që konsumohej në Shqipëri ishte 3000 ton. Sasia e cigareve të importuara në Shqipëri gjatë viteve ’91 dhe ’92 ishte rreth 1500 ton në vit. Pra kishte një sasi prej 800-900 ton të padeklaruar, e thënë ndryshe mall kontrabandë. Në këto kushte, shteti angazhoi disa institucione të zbatimit të ligjit, të cilat ndihmuan në përmirësimin e kuadrit ligjor në importin e cigareve. U fut pulla fiskale, u përmirësua cilësisht dokumentacioni shoqërues, etj. Këto ndryshime dhanë efekte pozitive në rritjen e të ardhurave doganore nga zhdoganimi i cigareve. Por ngjarjet e vitit ’97, e vështirësuan veprimtarinë e doganave dhe kontrabanda e cigareve u rikthye e vazhdoi deri në vitin 2005. Rasti i fundit më flagrant ishte në fillim të vitit 2005, ku një sasi prej pesë kontenieresh të nisura nga Mali i Zi synoi të futej kontrabandë. Kjo veprimtari u monitorua nga institucionet ndërkombëtare, të cilat parandaluan futjen e tyre. Opozita e asokohe (Partia Demokratike), e cila ishte në prag të ardhjes në pushtet, kërkoi me vendosmëri dënimin e personave përgjegjës. Ndërkohë, po në fillim të viteve ’90, ish organizatoret e kontrabandës së cigareve që kryenin veprimtarine e tyre në vendet perëndimore, mbanin lidhje me mafian italiane, ndaj tentuan të riaktivizonin rrjetin e kontrabandës, por ato ndeshën në vendosmërinë e palëkundur të shtetit për të mos e lejuar një veprimtari të tillë, prandaj në vitin 1995 kontrabanda në drejtim të Italisë nisi aktivitetin ne Bar (Tivar) të Malit të Zi. Ish eksponentët e Sigurimit të Shtetit tentuan të vazhdonin tregtimin e cigareve privatisht. Ndonjëri prej tyre synoi dhe riaktivizimin e linjave të kontrabandës, por tashmë jo me mbështetjen apo organizim shtetëror. Njëri prej tyre që ndiqej nga agjensite e zbatimit të ligjit të shtetit italian për kontrabandë cigaresh, u arrestua në vitin 2002 pasi në makinën e tij u gjet një sasi droge. Gjithashtu në tregtine e cigareve u përfshinë dhe shumë ish punonjës të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, apo ndërmarjeve të varësisë së saj, me lidhje të afërta me ish drejtuesit e lartë të shtetit diktatorial. Aktiviteti i tyre lehtësohej edhe fal kontakteve që kishin krijuar me kompani jashtë Shqipërisë për shkak të funksioneve që kishin pasur me parë.

 2. Kontrabanda në rajonin e Ballkanit 
Ashtu si në shume vende të tjera të botës, edhe në rajonin e Ballkanit, grupet e krimit të organizuar kanë tentuar të përfitojnë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kontrabandës së cigareve. Në vitet 1995-2002, Mali i Zi u përfshi në një kontrabandë me destinacion Italine. Ajo ishte e njëjtë në formë me atë që u zhvillua në vitet ’80 në Shqipëri. U akuzuan për përfshirje në këtë aktivitet dhe segmente të shtetit malazez. Në vitin 2002 pas insistimit të shtetit Italian ky aktivitet u ndalua. Prudentino (një nga kreret e organizatës Sacra Corona Unita), përfaqësues i mafias italiane, i përfshirë në këtë trafik, u arrestua në vitin 2003 në Greqi. Grupet kriminale të Malit të Zi në këtë moment orientuan kontrabandën e cigareve në drejtim të vendeve fqinje si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, deri në vitin 2007. Kontrabanda në këte periudhë zhvillohej me një intensitet më të ulët, atë e favorizonte niveli i ulët i taksimit i vendosur mbi cigaret nga shteti i Malit të Zi. Por me sugjerimin dhe ndërhyrjen e strukturave të BE, Mali i Zi e përafroi barrën fiskale me vendet e tjera dhe kontrabanda u minimizua maksimalisht duke kaluar në spontanitet. Pikërisht kur Mali i Zi mbylli tunelet e kontrabandës në drejtim të vendeve të tjera te rajonit, kontrabanda nisi të shfaqej në Greqi. Në vitin 2011, nisi një investigim me përfshirjen e disa vendeve të rajonit dhe BE-se, pasi anije të ngarkuara me cigare, të nisura nga porti Mersin i Turqisë kishin përfunduar në vendet e BE-së, të mbështetura nga grupet kriminale të vendosura në Greqi. Gjithashtu grupet kriminale që vepronin në Greqi mundësuan që cigaret me origjinë nga Kina dhe nga zona te lira të vendeve të rajonit (kryesisht Bullgaria), kontrabandoheshin me destinacion vendet e BE-së. Administrata doganore shqiptare ka dhënë një kontribut të vlefshëm në dokumentimin e disa raste të kontrabandimit te cigareve, kjo në sajë edhe të bashkëpunimit me qendrën SEC-i në Bukuresht (strukture rajonale për luftën e krimit ndërkufitar).

 3. Një analize e të dhënave statistikore mbi zhdoganimin e cigareve 
Zhdoganimi i cigareve në dhjetë vitet e fundit ka qenë si në tabelën në fund të shkrimit. Sasia mesatare e zhdoganimit eshtë 3840 ton cigare në vit. Nga tabela konstatohet se në vitet 2007, 2011 dhe 2014 ka një rënie të konsiderueshme të krahasuara me një vit më parë të zhdoganimit të cigareve. Në një analizë më të plotë të të dhenave statistikore, rënia ne keto vite e zhdoganimit lidhet me rritjen e nivelit të akcizës së cigareve. Po në një analizë më të thelluar konstatohet se mesatarja e viteve 2006- 2007 është 3850 ton ose 10ton më e lartë se mesatarja e dhjetë viteve. Po kështu edhe në vitet 2010 – 2011 mesatarja eshte 3875ton ose 35ton më e larte se mesatarja e dhjetë viteve. Këto të dhëna tregojnë se rënia në vitet 2007 , 2011 lidhet me rritjen e sasise së zhdoganuar në vitet 2006, 2010 për shkak të rritjes së akcizës. Ndërkohë, mesatarja e viteve 2013 – 2014 është 3335 ton, ose 460 ton më e ulët se mesatarja e dhjetë viteve. Ky fakt tregon se sasia e futur në vitin 2013 nuk justifikon rënien e futjes së cigareve në vitin 2014, që ështe rreth 900 ton më e ulët se mesatarja e dhjetë viteve të fundit. Në qoftë se nuk do të përfshinim në analizën e të dhënave vitin 2014, mesatarja e nëntë viteve është 3895 ton dhe po ta krahasojmë ate me zhdoganimin mesatar të viteve 2006-2007 dhe 2010-2011, ajo eshtë pak më ë lartë. Nga analiza e këtyre të dhënave konstatohet se edhe në vitet 2006- 2007 dhe 2010-2011 ka pasur tendencë të futjes së sasive të cigareve kontrabandë pavarësisht se në sasi të vogla. Pra, konstatohet se rritja e akcizës, rrit dhe tendecën e futjes së cigareve kontrabande. Ndërsa rënia e zhdoganimit në vitin 2014 nën 3000 ton, si dhe sasia e zhdoganuar në gjashtë mujorin e parë të vitit 2015 prej 1100 ton, që është 600 ton më e ulët se mesatarja gjashtë mujore e 10 viteve të fundit, tregon se kontrabanda e cigareve është prezente dhe për faktin që niveli i akcizës në Shqipëri po cbalancohet nga vendet e tjera të rajonit. Konkluzioni, dy faktorë kanë ndikuar në rritjen e tendencës për kontrabandë: Ndryshimi i përvitshëm i akcizës dhe cbalancimi i saj në raport me vendet e rajonit. Administrata doganore zotëron mjetet dhe rruget më të cilat mund të ndalohet kontrabanda evidente e cigareve, por mendoj se ka dhe dy faktorë të tjerë të rëndësishëm që luftën ndaj kontrabandës së cigareve mund t’a bëjnë eficente: a. Profesionalizmi i strukturave që luftojnë kontrabandën. Dy vitet e fundit, në dy departamentet e administratës doganore që merren me luftën kundër kontrabandës së mallrave të akcizes , janë larguar ekspertë dhe drejtues nga më cilësorët, të trajnuar nga ekspertë të BE-së. Trajnimi i tyre për një periudhë dy vjecare, u shërbeu për të ofruar ekspertizë edhe për specialistët e degëve doganore. Por të drejtosh me mentalitetin e fundvitit ’90 në doganat e viteve 2015 është e papranueshme, pavarsisht rezultateve të tyre në periudhën kur kanë drejtuar doganat. Gjithashtu largimi i shumë specialistëve në fushën e investigimit dhe zëvendësimi i tyre me militantë partie ka ndikuar në uljen e performancës doganore në fushën e zbatimit të ligjit. Gjithashtu, lufta kundër kontrabandes cigareve nuk mund të bëhet nga ndonjë ekspert servil që rreket të gjej argumenta sa absurde, po aq dhe qesharake, për t’jua servirur shefave të tij që ata të mund t’i përdorin për të justifikuar rënien e zhdoganimit të cigareve, duke u përpjekur në këtë mënyrë që të fshehin të vërtetën. b. Vullneti për të luftuar kontrabandën. Vullneti për të luftuar kontrabandën nuk lidhet vetëm me administratën doganore, por edhe me institucionet drejtuese të tyre. Lufta kundër kontabandës nuk mund të bëhet me operacione show, si rasti i Shkodrës, të cilet nuk sjellin asnjë efektivitet në rritjen e të ardhurave. Kodi doganor, ligji i akcizës dhe ligje të tjera që veprojnë në fushën e doganave, synojnë edukimin e biznesit dhe jo ndëshkimin e tij. Përparësi i jepet ndëshkimit administrativ dhe jo atij penal. Struktura doganore në bashkëpunim edhe më institucione të tjera ,(në rastin konkret Ministria Bujqësisë) duhet të synojnë edukimin e fermerëve që kultivojnë duhanin duke iu ofruar atyre asistencë në njohjen e ligjit, dhe më pas kërkesën për zbatimin e tij. Burgu nuk edukon! Një ish i dënuar për kontrabandë cigaresh, vetëm pak muaj pas daljes nga burgu pyetjes se: A do të merrej përsëri me një aktivitet të tillë të paligjshëm?, iu përgjigj: “PO”. Pra burgu e kishte trimëruar dhe e kish bërë “krenar” për veprimtarinë e paligjshme që kish kryer. Në qoftë se ndaj tij do të ishte vepruar me masa administrative dhe me sekuestro të pasurisë, nuk besoj se do të ishte dhe aq “krenar” për shkeljen që i kish bërë ligjit. Por nuk është duhani i tregetuar nga fermerët apo ligji antiduhan shkaku kryesor i uljes së zhdoganimit. Mungesa e ankesave nga kompanitë e mëdha importuse për tregtimin e cigareve të fallsifikuara dhe fakti që cigaret pa pullë fiskale (kontrabandë) shiten me shtrenjtë për shkak të cilësisë me të mirë se ato që tregtohen me pullë fiskale, tregon që problemi qëndron gjetkë jashtë argumenteve që sjell administrata doganore apo dhe kompani që e asistojnë atë. A ka vullnet për të luftuar kontrabandën? Këtë më mirë se një po, ose jo e imja, do ta thonë më mirë agjensitë e zbatimit të ligjit me qëndrimet e tyre. Treguesit statistikorë flasin për keq. Për dicka jam i sigurtë, se lufta kundër kontrabandës së cigareve nuk mund të bëhet me operacione show, as me dhunë policore. Suksesi do të arrihej nga struktura profesionale dhe të qëndrueshme, me një angazhim permanent, me qëllim edukimin e biznesit por dhe me masa ndëshkimore sic parashikon ligji doganor kur konstatohet shkelja e tij, ku prioritet marrin masat administrative.
Sigal