Fjalët e zemrës për prindin, mjekun dhe humanistin

1206
Ëngjëll Musai, drejtor i gazetës “Telegraf”

Prof. Dr. Nasi, mjeku i përkushtuar, qytetari vizionar, bashkëshorti dhe aktivisti i respektuar
Qofsh i parajsës o Babi! Të dua shumë! Sepse ti, o babi, je krenaria, shpirti dhe mishërimi i mirësisë, sakrificës dhe ideali i babait që çdo bijë do të dëshironte të kishte. Ti ishe unik, humanist dhe Mjek i Popullit për Popullin. Shpërfillje hipokritët e kamur dhe arrogantë duke ju përkushtuar me mish e shpirt për njerëzit në nevojë. Ti je sot ylli im Polar, mishërimi yt, trashëgim tek unë. Me dhimbjen pafund, lotët pa mbarim, shpirtin copë, dashuria ime më e madhe, jeta ime, shpirti im. Këto ishin fjalët e zemrës por edhe të shpirtit të Enidës vajzës së Prof. Dr. Nasi Bozheku, i cili u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të datës 7 Prill 2018. Me këto fjalë të ëmbla Enida Bozheku, juristja e talentuar, mikja dhe kolegia e medias dhe shtypit i drejtohej të gjithë miqve dhe dashamirësve të shumtë të Prof. Nasi Bozhekut, për ndarjen e papritur nga jeta tij . Po kush ishte Prof. Nasi Bozheku, dhe çfarë përfaqësonte ai në aktivitetin e vetë si intelektual dhe humanist. Më poshtë po përshkruajmë një pjesë të të dhënat e karrierës së tij dhe si kanë reaguar disa nga personalitetet e shoqërisë, politikës, qytetarë të thjeshtë dhe miq të tij, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. 

Prof. Dr. Nasi Bozheku ka lindur në Tërbaç, Vlorë më 14.02.1942:
– Ndoqi studimet pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitet 1962 – 1967 me rezultate të shkëlqyera dhe menjëherë emërohet Pedagog në Katedrën e Sëmundjeve Infektive të Fakultetit të Mjekësisë pranë UT. 

– Në vitet 1967 – 1969 zhvilloi specializimin post-universitar në fushën e Neurologjisë në Bukuresht të Rumanisë, duke qenë atje për kurim pas një frakture të rëndë të kolonës vertebrale;

– Në vitet 1972 – 1973 fitoi titullin specialist në fushën e neurologjisë pranë Katedrës së Neurologjisë të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë;

– Në vitin 1973 – 1974 kreu specializimin pranë Universitetit Paris VI – Faculté de Médicine Pitié-Salpétriér e, klinika Neurologjike e drejtuar nga Prof. Georges Boudin (Anëtar i Akademisë së Shkencave të Francës); 

-Më datë 5 mars 1974 pasi spikat për aftësitë e tij në fushën e neurologjisë dhe neuroinfeksioneve, emërohet si Asistent Profesor pranë së njëjtës katedër neurologjike e drejtuar nga Prof. George Boudin, Paris – Francë;

– Vazhdon bashkëpunimin në mënyrë intensive me këtë të fundit deri sa rikthehet pranë Katedrës së sëmundjeve infektive të Fakultetit të Mjekësisë UT, Shqipëri, ku dhe formon Katedrën e Neuro-infeksioneve;

-Në vitin 1978 fiton gradën shkencore ‘Kandidat i Shkencave’ në fushën e mjekësisë me profil neurologji, neuro-infenksione (Monografia “Encefalitet”);

– Në vitin 1991 fiton gradën shkencore Doktor i Shkencave mjekësore (profili neurologji);

– Në vitin 1999 fiton titullin Profesor në Shkencat Mjekësore pranë fakultetit të Mjekësisë UT (profil neurologji,me Monografi “Hernia diskale lumbosacrale – Trajtimi dhe mjekimi i saj”);

Aktivitetet
– Nga viti 1969 deri në vitin 1981 zhvillon aktivitetin si Pedagog (dega neurologji/neuroinfeksione) pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. 

– Në vitin 1974 themelon Katedrën e Neuroinfeksioneve pranë Spitalit Infektiv në Tiranë;

– Në vitin 1974 merr pjesë në grupin e profesorëve të Republikës së Shqipërisë, të cilët japin kontributin e tyre në themelimin e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë dhe, me 11 shtator 2010, Prof. Mujë Rugova, Rektori i Universitetit të Prishtinës, në një ceremoni solemne, përshëndet dhe falënderon publikisht Prof. Dr. Nasi Bozhekun për kontributin e dhënë në themelimin dhe përparimin e shkencave mjekësore në Republikën e Kosovës;

– Nga viti 1974 deri në vitin 1981 drejton, katedrën e Neuroinfeksioneve, në cilësinë e shefit të klinikës pranë Fakultetit të Mjekësisë të UT-së;

– Nga viti 1981, për motive politike të lidhura me regjimin e atëhershëm në Republikën e Shqipërisë dhe, më specifikisht, për shkak të ideve të tij përparimtare dhe liberale përjashtohet nga Universiteti i Tiranës dhe Qendra Spitalore (i nënshtrohet gjyqeve politike të kurdisura të asaj kohe) dhe transferohet pranë Poliklinikës nr. 9 Tiranë, ku do të ushtrojë funksionin si mjek neurolog, po pranë kësaj poliklinike, deri në vitin 2008; vit në të cilin del në pension;

– Në vitin 1999 kryen me sukses, në rolin e konsulentit, disa bashkëpunime shkencore – mjekësore me universitete dhe qendra spitalore të ndryshme në Itali, ekzkatësisht me Spitalin e Maceratës, Itali;

– në aktivitetin e tij si mjek prej më se 50 vitesh ka ndjekur më shumë se 100.000 pacientë, shumica e të cilëve kanë arritur të kurohen me rezultate të larta;

– Aktiviteti i tij si mjek ka qenë tepër i njohur dhe i respektuar nga shoqëria shqiptare: ka qenë i ftuar në dhjetëra transmisione radio-televizive, ku ka trajtuar problematika specifike mjekësore të lidhura me profesionin e tij. Me karakterin e tij të drejtpërdrejtë, të qeshur, të hapur, të lirë por edhe tepër kërkues ka arritur të mbetet në zëmrat dhe kujtimet e mijëra pacientëve.

Botimet
Prof. Dr. Nasi Bozheku ka qenë autor i një numri të lartë botimesh shkencore si në formë monografish, ashtu edhe artikujsh shkencorë dhe shoqëror të publikuar në shtypin periodik mjekësor dhe gazetaresk, konkretisht:

Monografitë shkencore
– ka qenë autor i 5 botimeve në formë monografike, ku spikasin idetë e tij inovative në trajtimin e sëmundjeve “encefalitet” dhe “hernien diskale”; Lidhur me këtë të fundit ndërmerr një studim kërkimor në rrethin e Tiranës, duke analizuar 2324 raste të diagnostikuar dhe mjekuar prej tij (me sindromën radikulare lumbosakrale – hernia diskale). Risia e këtij studimi qëndron në faktin se nga këto pacient vetëm 17 raste iu nënshtruan ndërhyrjes kirurgjikale ndërsa të gjithë të tjerët u rehabilituan plotësisht fal kujdesit dhe mjekimit mjekësor ekzigjent. Kjo ishte dhe puna e tij më e vlerësuar në ambientet akademike, mjekësore dhe sociale, për të cilën ju akordua titulli“Profesor”.

Artikujt shkencor
– ka qenë autor i më shumë se 150 (njëqind e pesëdhjetë) artikujve shkencor të botuar në shtypin periodik mjekësor kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e neurologjisë, psikoneurologjisë, sëmundjeve infektive dhe neuroinfektive, psikiatrike, sëmundjeve të brendshme (interniste), neurozave, depresioneve, ku veçanërisht ju përkushtua depresioneve post-partum. Ndër artikujt më në zë dhe më me vlera shkencore për risitë dhe idetë inovative shquhen ato mbi depresionet post partum (punime këto të cituar edhe sot në monografi të huaja të fushave mjekësore, kriminologji dhe sociologji), si dhe artikulli “Një rast encefaliti në një të sëmurë me tetrada fallot”. Ky artikull ka pasur vlerësimin maksimal nga qarqet akademike të kohës për metodikën e analizës mjekësore dhe karakterin inovativ të mjekimit të kësaj patologjie të rrallë. Ndër vlerësimet më të spikatura që mund të citohen lidhur me artikullin në fjalë, janë ato të Prof. Ylli Popës, i cili në rolin e recensuesit oponent të tij e ka vlerësuar si një ndër punimet më të rralla e të vyera në fushën e mjekësisë shqiptare në kuadrin e patologjive neuroinfektive. 

Aktiviteti socio-politik 
– përpos aktivitetit si mjek dhe shkencëtar në fushën e mjekësisë, Prof. Dr. Nasi Bozheku ka lënë gjurmë të thella edhe në kuadrin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, ku ka shpalosur me guxim, jo vetëm aftësitë e tij të njohura si intelektual i mprehtë por edhe si njeri koherent, liberal dhe i aftë për të lexuar problematikat e shoqërisë nën regjimin totalitar ashtu dhe në kalimin në sistemin tranzitor të demokracisë hibride (siç e quante shpesh ai). Si zë i vyer dhe i guximshëm i intelektualëve shqiptarë, ka shkruar mbi 60 artikuj me karakter social-psikologjik e politik, të cilët mbeten ende aktualë, veçanërisht në ditët tona. Në këto artikuj, mund të citohet ai më i bujshmi “Koha dhe intelektuali në zhvillimet e demokracisë,” theksonte me forcë, se ndërrimi i sistemeve kërkon një punë, jo vetëm formale në ngritjen e institucioneve demokratike, por dhe mbi të gjitha, realizimin e harmonizimit të principeve juridike të aplikueshme në mënyrë të barabartë, si dhe zgjimin e ndërgjegjes qytetare në rendin e ri. Mendimi i tij politik ishte ai i njeriut të ri të brumosur me principe demokratike, që njeh vlerat thelbësore të shoqërisë; si respekti për tjetrin, respekti për institucionet, aplikimin e drejtë të ligjit. Për më shumë se 25 vjet ka qenë Kryetar i Partisë Ambientaliste Shqiptare, ku ka mbajtur qëndrim të rreptë dhe koherent lidhur me politikën e çdo lloj kahu, duke nënvizuar gjithmonë rrezikun e degjenerimit të politikës dhe klasës drejtuese ndaj interesave personale në vend të atyre të kombit. Prof. Dr. Nasi Bozheku shuhet në Tiranë më datë 07 prill 2018, por lë pas një trashëgimi të madhe kulturore si ne fushën e mjekësisë ashtu edhe në atë të etikës socio-politike.
Prof. P. Kabo
Një humbje e madhe…na iku një njeri me vlera…një burrë që i bënte nder vendit dhe kuvendit…një mjek që dha aq shumë për njeriun dhe shkencën…një mendimtar që aq me kurajë i çirrte maskën hipokrizisë…Paqe profesor Bozheku kjo botë që Ju u gjetët të zhurmshme edhe për shumë kohë ma do mendja e tillë do të mbesë!

M. Agalliu
Prof. Nasi Bozheku, ia kushtoi jetën pasionit të tij për Mjekësinë dhe mbetet një nga figurat më të spikatura të Neurologjisë. Jo vetëm profesor i dijshëm, por mbi të gjitha njeri shumë i mirë e i thjeshtë me të gjithë. Iku dhe një thesar i Kombit. Ngushëllime Enida për këtë humbje të madhe! U preftë në paqe!
Ngushëllimet pa dallime bindjesh politike treguan vlerat humane të Prof. Nasi Bozhekut
Aktivist shoqëror shembullor, model i qytetarit të përgjegjshëm me vizion bashkëkohor për bashkëjetesën në demokraci, studiues i paepur dhe mik i librave, një humanist i respektuar
M. Xhafa ( Kryetar Partisë Komuniste ): Keqardhje! Një vdekje e hidhur! Ndahet nga jeta një prind, baba, intelektual e mjek i dëgjuar, një shok i mirë! I paharruar kujtimi i tij!

A. Alimadhi ( Kryetar i Ballit Kombëtar ): Ngushëllime më të sinqerta, të rroni dhe ta kujtoni me shumë dashuri Babain, i qoftë dheu i lehtë! 

V. Hysi ( deputete ): Ngushëllime Enida! U prehtë në paqe babi! Të rroni dhe ta kujtoni! Mjekët, ish-studentët dhe miqtë e tij humbën një koleg, mjek, profesor dhe shokë të mirë.

Z. Preci: Një mjek pasionant, prind dhe bashkëshort i denjë, aktivist shoqëror shembullor, model i qytetarit të përgjegjshëm me vizion bashkëkohor për bashkëjetesën në demokraci, studiues i paepur dhe mik i librave, një humanist i respektuar në kuptimin më të plotë të kësaj fjale u nda sot prej nesh. R.I.P. dr. Nasi Bozheku! I lehtë të qoftë dheu në pushimin e pasosun! Ngushëllime të sinqerta familjarëve, miqve dhe të afërmve! Shpirti i tij u prehtë në paqe!

B. Agalliu: Njeriu vjen e ikën në këtë jetë, por ajo që çka lë pas është vepra e tij, Prof. Nasi Bozheku la vepra dhe bamirësi që e karakterizon një doktor plus fëmijët e tij që janë shëmbëlltyra më e mirë. Ta kujtoni me krenari babain e mrekullueshëm dhe burrin e dashur Mira Bozheku!

K. Nikolla: Ngushëllime Enida. Ka qenë burrë zotëri. Të jeni krenare që jeni e bija! T’ju rrojnë njerëzit e tjerë! Shpirti i tij pushoftë në paqe!

V. Bizhga: Ngushëllime Enida! Prof. Dr. Nasi Bozheku ishte njeri i madh, ai shërbeu popullit me përkushtim dhe do të mbetet gjithmonë i paharruar në zemrat tona
Sigal