Fituesit e raundit të dytë/ Si ndahen 8360 vendet e lira për të 12 universitetet publike

4797
Pas mbylljes së regjistrimeve për fituesit e fazës së parë, universitetet publike vijojnë të kenë edhe 8360 kuota të paplotësuara, për të cilat do të garohet në raundin e dytë të pranimeve.
Në prag të nisjes së konkurimit për fazën e dytë, autoritetet e arsimit bëjnë me dije se pjesa dërrmuese e kuotave të mbetura bosh rezultojnë të jenë në universitetet e rretheve, e veçanërisht në atë të Elbasanit dhe të Vlorës.
Referuar të dhënave të bëra publike nga portali Ualbania, nga mbyllja e regjistrimeve të fazës së parë në Universitetin e Tiranës rezultojnë të lira 1023 të drejta studimi, në Universitetin e Durrësit janë të lira 938 të drejta studimi, në Universitetin e Gjirokastrës rezultojnë 550 kuota të paplotësuara, për Universitetin Politeknik në kryeqytet mbeten të lira për fazën e dytë 415 kuota, në Universitetin e Korçës janë ende 660 kuota të lira, në Universitetin e Vlorës numri i kuotave të lira është 1224, në Universiteti Bujqësor të Tiranës raportohen 778 kuota të lira, ndërsa në Universitetin e Shkodrës janë ende 989 kuota të lira.
Niveli më i ulët i kuotave të lira rezulton të jetë në Universitetin e Arteve të Tiranës, përkatësisht me 49 të drejta studimi ende të paplotësuara, si dhe në Universitetin e Mjekësisë në kryeqytet, në të cilin rezultojnë të lira vetëm 97 të drejta studimi.
I vetmi institucion publik i arsimit të lartë që rezulton të ketë realizuar të gjitha kuotat e miratuara për pranimet e vitit të ri akademik 2017-2018, është Universiteti i Sporteve.
Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave të lira për të gjitha degët e studimeve në të 12 universitetet publike të vendit. Shpallja e kuotave të lira tregon se shumë maturantë që nuk arritën dot të regjistroheshin në 7 fazat 48-orëshe të regjistrimeve të raundit të parë, si dhe ata që nuk u shpallën fitues po gjatë atij raundi, kanë ende një mundësi të dytë aplikimi gjatë këtij viti për të fituar studimet e larta në një nga universitetet publike.
Po ashtu i lartë raportohet të jetë edhe numri i kuotave të lira në institucionet e arsimit të lartë jopublik, për të cilat gjithashtu do të mund të aplikohet sërish gjatë raundit të dytë të pranimeve. Edhe në fazën e dytë, kanë të drejtë që të aplikojnë vetëm maturantët dhe kandidatët që janë pajisur me dokumentacionin ligjor që fakton përfundimin e shkollës së mesme, që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6, si dhe që plotësojnë kriteret e tjera shtesë që kanë përcaktuar vetë universitetet për pranimet e reja në degët e tyre.
Ndërsa kandidatët që do të aplikojnë për t’u pranuar në një nga programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria. Përpara aplikimit në portalin e maturës për zgjedhjen e degëve çdo kandidat që nuk ka marrë pjesë në garën e raundit të parë të zhvilluar përgjatë muajit korrik duhet që të shlyejë edhe tarifën prej 2000 lekësh pranë Postës, apo bankave të nivelit të dytë. Kjo faturë duhet dorëzuar në shkollën ku kandidati ka bërë plotësimin e formularit A1 dhe A1Z, si kusht për hedhjen në sistem të notës mesatare të shkollës së mesme, që është edhe një ndër kriteret mbi bazën e të cilës fakultetet do të përzgjedhin fituesit e rinj të këtij viti.
Kandidatët kanë të drejtë që të përzgjedhin deri në 10 preferenca me të cilat do të konkurrojnë për të fituar studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik, qofshin këto degë të universiteteve publike, apo private. Si datë për fillimin e vitit të ri akademik është përcaktuar 16 tetori, ku deri në këtë datë pritet të ketë përfunduar i gjithë procesi i pranimeve të reja për vitin akademik 2017-2018.


Sigal