Fitoussi-Gjermeni: U tregojmë francezëve harmoninë tuaj fetare

538
Sigal

TIRANË – Ambasadori i Francës në Tiranë Bernard Fitoussi i është referuar tolerancës dhe harmonisë fetare shqiptare si një rast që duhet ndjekur nga francezët, gjatë një takimi që ai pati me Ministren e Turizmit Eglantina Gjermeni. Nga ana e saj Ministrja Gjermeni i shprehu ngushëllimet e saj ambasadorit, mbi ngjarjen që ka kapluar Francën këto ditë, pas vrasjes së 11 personave në revistën satirike Charlie Hendbo.
 
“Franca po kalon një çast mjaft të dhimbshëm. Edhe mund ta kishim shtyrë këtë takim që po bëjmë tani, por ka një arsye se pse nuk e shtyva. Sepse është tepër e rëndësishme që francezët ta shohin dhe ta kuptojnë se sa e rëndësishme dhe sesa e gjerë është në Shqipëri bashkëekzistenca e kulturës, harmonia fetare. Barbarët përpiqen që ta pengojnë që ne të mos takohemi dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, por ne nuk do të lejojmë askënd që të na përçajë.”- tha Fitoussi.
 
Takimi mes ambasadorit dhe ministres bëhej për të njoftuar vizitën e Gjermenit drejt Parisit për t’u njohur me disa biznese franceze të sektorit të turizmit. Ambasadori francez tha se së shpejti do të funksionojë linja direkte mes Parisit dhe Tiranës, në mënyrë që turistët francezë ta kenë më të lehtë të drejtohen drejt Shqipërisë.
 
“Doja t’ju informoja zonja minister se në vizitën tuaj më 15 janar të paktën 30 biznese franceze të turizmit ju presin në Paris. Jam i bindur që deri në fund të muajit mars do të hapim një linjë direkte Paris-Tiranë. E më pas në korrik linjën e anasjelltë Tiranë-Paris.
 
“Kjo është një mundësi shumë e mirë për tu takuar me sipërmarrës të mëdhenj duke dashur të promovojmë Shqipërinë, trashëgiminë kulturore, tolerancën fetare, mikëpritjen dhe solidaritetin që i karakterizon Shqipëtarët.” theksoi Ministrja Gjermeni.