Firmat turke “pushtojnë” 2 lumenjtë e Mirditës

1730
Sigal

Rebelohen mirditorët. Turqit shkatërrojnë florën dhe faunën e Fanit të Madh dhe atij të Vogël

Çdo mirditor autokton apo i ardhur ka menduar se struktura e dy lumenjve Fani i Madh dhe Fani i Vogël, që kalojnë nëpër territorin e Mirditës, do mbetej origjinale e natyrale ndër shekuj, e çdo ndryshim do të bëhej vetëm nga ndikimet atmosferike të klimës dhe jo nga forcat njerëzore, siç po ndodh realisht me dy lumenjtë më të mëdhenj të Mirditës me firmat turke.

 Kundër tyre kanë vërshuar disa firma turke të cilat janë vendosur në zonën veriore të fshatit Ndërfushas, që, me mjetet e tyre në dispozicion, kanë ndryshuar tërësisht strukturën e lumit të Fanit të Madh në zonën e Qaf-Mollës e kanë prishur pafundësisht shtratin e lumit dhe drejtimin e rrjedhjes së tij, si dhe shfrytëzimin pa kriter të inerteve të Fanit të Vogël duke sjellë dëme të konsiderueshme në deformimin e panevojshëm të këtij lumi.

 Në luginën e Fanit të Madh, aty ku firmat turke “AYDINER INSAT” bashkë me nënkontraktuesen e saj “FERMANOGLU” po punojnë për ndërtimin e digës së hidrocentralit të Qaf-Mollës, lumë që kalon në tërë gjatësinë e rrjedhjes së tij në një luginë të vështirë, me një disnivel mjaft të thellë prej 100 metrash, mes shkëmbinjve serial e me pyje të dendura e të larta, lumë që kalon larg qendrave të banuara, nuk sjell ndonjë dëm, përveç ndryshimit të klimës dhe dëmtimit të gjallesave në këtë lumë.

 Pra, më shumë se sa humbje, në luginën e këtij Fani, për çdo familje mirditore ka vetëm privilegje dhe të mira, pasi do marrë energji elektrike me një voltazh të plotë dhe pa shkëputje, si dhe punësim për ta dhe pronarët e truallit të digës do të marrin shpërblim për tokën e zënë.

 Ndryshe nga Fani i Madh, Fani i Vogël, që nga komuna e Repsit dhe deri në Rrëshen në të dy anët e lumit kalon nëpër zona të populluara dhe zbret nga lartësitë e ulëta dhe e zhveshur nga pyjet dhe mbetet më i domosdoshmi për shërbime të ndryshme në të gjithë zonën ku kalon rrjedhja e tij, deri në bashkimin e dy Faneve, prej 200 metra më poshtë Urës së Fanit në Rrëshen.

 Ka dy vjet që firma “VEGA” është shkëputur nga dy firmat e tjera “AYDINER INSAT” dhe “FERMANOGLU” dhe është vendosur në bregun e lumit Fani i Vogël në afërsi të qendrave të banuara të Bashkisë Rrëshen, vend që është jo i përshtatshëm për makineri të rënda, zhurmuese dhe sidomos kur këto makineri punojnë në tre turne.

 Firma “VEGA” punon për llogari të dy firmave të tjera turke “AYDINER INSAT” dhe “FERMANOGLU”, që po punojnë për ngritjen e digës së hidrocentralit në luginën e Fanit të Madh në periferi të fshatit Qaf-Mollë.

 Kjo firmë merret me nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit nga shtrati i lumit Fani i Vogël, transportimin e tyre në vendin e grumbullimit të larjes me lavatriçe dhe përgatitjen e betonit për digën e hidrocentralit dhe transportimin e saj për në destinacion, që është diga e hidrocentralit.

 Për këto firma punon me 3 makina të tonazhit të rëndë 25 tonëshe dhe një fadromë të kalibrit të madh që shërben për nxjerrjen dhe ngarkimin e inerteve nga lumi dhe ngarkimin e mjeteve të transportit dhe transportimin tek pika e grumbullimit.

 Puna e vazhdueshme me dy dhe tre turne në luginën e Fanit të Vogël kanë nxjerrë dhe vazhdojnë të nxjerrin sasira të mëdha rëre dhe zhavorri nga lumi duke dëmtuar rëndë shtratin e tij prej 2.5 km gjatësi dhe në tërë gjerësinë e tij prej 200 m, çka ka sjellë krijimin e gropave të thella e të shpeshta, duke deformuar tërë shtratin e këtij lumi, si dhe devijimin e rrjedhjes së tij, ku prej 2 vitesh (që kur firma “VEGA” ka filluar punë) ka mënjanuar ujitjen e të mbjellave në disa fshatra të bashkisë Rrëshen, Ndërfanë e Ndërfushaz, lagja Donaj Përtenë e Ndoja, që përshkonte ky lumë.

 Instalimi në vende të banuara të makinerisë për prodhimin e çakullit, si dhe makinerisë së çimentos dhe punimi me to me turne ka shkaktuar ndotje të ambienteve nga pluhuri për banorët, si dhe zhurma të theksuara gjatë natës.

 Në qoftë se organet kompetente si ajo e Mjedisit në Lezhë do e detyronte firmën turke që mbledhjen e rërës dhe zhavorrit ta bënte në tërë gjatësinë e lejueshme të hyrjes në lumë, të mjeteve të transportit dhe atë të ngarkesës së tyre dhe të mos përqendrohej tek 2.5 km të gjatësisë së lumit dhe gjerësisë prej 200 m, siç bëjnë realisht shoferët për të bërë rrugë të shkurtra afër pikës së grumbullimit për të bërë sa më shumë rrugë, nuk do të ndodhte kjo që ka ndodhur në deformimin e shtratit të lumit, duke e shkatërruar atë totalisht, duke krijuar gropa të mëdha e të thella si dhe devijimin e rrjedhjes së lumit ku do duhen muaj me shira të vazhdueshëm, që ta kthejnë lumin Fan i Vogël në gjendjen e mëparshme dhe që banorët e Bashkisë Rrëshen të vazhdonin plazhin si dy vjet më parë.

Elektropompat e instaluara në buzë të këtij lumi do të kryenin normalisht furnizimin me ujë të pijshëm në çezmat e familjarëve të Rrëshenit dhe gjallesat do ishin të padëmtuara, ndërsa banorët e fshatrave Ndërfushazh, Ndërfanë etj. nuk do harronin rrugën e shkurtër që bënin vazhdimisht nga shtëpia në Rrëshen dhe anasjelltas në çdo kohë e muaj të vitit.

 Gjergj MANDREJA