Firma turke “Kurum”, rinis helmimin e Elbasanit

798
Nga Lindita MALO
Oxhaqet e çelikut “kinez” thyejnë ligjet shqiptare. Banorët “Të mos guxojë asnjë ministër të vijë për fushatë, do t’i marrim me dru”
Pas një qetësie disamujore, duket se uzina turke e çelikut “KURUM” –International, ka rinisur punën, dhe paralelisht edhe helmimin e qytetit me mbi 230 mijë banorët. E ndërsa qytetit dhe banorëve ju largua fusha e plehrave (e cila sot është kthyer në park me pemë të mbjella) pasi po ndërtohet landfilli i ri, duket se një tjetër vatër helmuese është rishfaqur në periferinë e Elbasanit. Dhjetëra banorët të fshatrave Shijon e Bradashesh, Kusarth dhe lagjeve periferike të Elbasanit i thanë dje “Telegraf” se “KURUM është rikthyer, punon natën, dhe po ndot masivisht gjithçka, banesat , tokat, ujin, lumin Shkumbin, dhe gjithçka jetësore, jemi ankuar fillimisht tek Njësia Administrative dhe na kanë thënë se “ata e kanë mirë me qeverinë, nuk kemi çfarë tu bëjmë, rrini brenda ”. Prej disa ditësh, pothuajse çdo natë oxhaqet e amortizuar të ndërtuar qysh në vitet 1965-1970, nxjerrin nga gryka e tyre tymin e zi dhe helmet e shkrirjes së çeliqeve kineze të ardhura nga Porti Durrësit dhe pastaj duke i markuar ato si “çelik shqiptar”. Uzina famëkeqe e cila prej 12 vitesh ishte kthyer në çiban për jetën e mijëra banorëve të Elbasanit, kishte deklaruar qysh në muajin gusht-shtator 2016 “falimentimin”, dhe se kishte goxha probleme dhe borxhe me bankat vendase dhe të huaja, që kanë filiale në Tiranë dhe rrethe. Por sikur të mos kishte ndodhur asgjë, prej disa ditësh ata kanë rikthyer ndotjen e madhe, kanë rindezur furrat mesjetare dhe nuk kanë rivënë në punë për asnjë minutë të vetme, sistemin e filtrave. Banorët e Bradasheshit, Shijonit, Katundit të Ri, Kusarthit, lagjes Fushë-Mbret, dhe disa zonave të tjera, po ankohen çdo ditë tek drejtuesit e KURUM-International, ata po trokasin edhe tek Njësia Administrative, ata kanë kërkuar takim edhe me deputetin e zonës të cilin nuk e kanë parë prej 4 vitesh në zonën ku mori votat dhe u premtoi “zgjidhjen e problemeve”. Por ata kanë mbetur vetëm, ata madje nuk qasen edhe tek dera e jashtme e KURUM, pasi rojet private janë urdhëruar të “mos afrohet njeri tek uzina”. Situata kaotike qeverisëse në të cilën po kalon vendi, duket se u dha rastin të abuzojnë dhe përfitojnë edhe turqve të KURUM, të cilët kanë vite që thyejnë dhe sfidojnë ligjet shqiptare, duke ndotur dhe sëmurur me qindra e qindra banorë të Elbasanit, duke futur ndoshta edhe kontrabandë çeliqe nga KINA, për ti shkrirë dhe markuar si “prodhim shqiptar”. Me ato tonelata çeliqesh që janë shitur dhe po shiten, sot po ndërtohen ura, pallate, lokale, vila dhe lloj-lloj objektesh të tjera, duke rrezikuar seriozisht jetën e shqiptarëve, pasi gjithçka duket hapur e kompromentuar ligjërisht. Deri para pak muajsh, uzina e KURUM ishte e rrethuar nga kordonët e Tatimeve dhe Task-Forcës, por si me “magji” dhe pikërisht në momentin kur vendi është me gjysmë qeveri, ndizen furrat e shkrirjes dhe gjithçka rikthehet nga e para. Bashkia e Elbasanit,Prefektura, Shëndeti Publik, Agjencia e Mjedisit etj, bëjnë sikur nuk e dinë këtë situatë, ndaj dhe u ka deklaruar banorëve fatzinj se “mbyllni dritaret natën, ja zgjidhja”. Kjo është tallja dhe përbuzja e shtetit, e një shteti të blerë që gjithçka e shikon dhe e vlerëson nga paraja , duke mos pyetur për ndotjen e mjedisit, ajrit, tokës, lumenjve, rrjeteve të ujit të pijshëm, puseve private dhe të mbjellave, dhe më skandalozi fakt, edhe i lumit të Shkumbinit. Prej 2-3 vitesh KURUM dhe të gjitha bizneset që kanë veprimtari në ish-Kombinatin Metalurgjik Elbasan, po e helmojnë edhe lumin Shkumbin, duke derdhur atje tonelata me mbetje të rrezikshme, dhe duke krijuar atje një vatër të rrezikshme, e cila do të helmojë gradualisht edhe detin. Alarmin e kanë dhënë banorët e fshatrave buzë lumit Shkumbin dhe ata që banojnë në grykëderdhjen e tij në Adriatik. Përballë kësaj situate alarmante dhe të frikshme, forca e shtetit është zero, ndërkohë që edhe zëri i “shoqërisë civile”, që ka iniciativat e veta në mbrojtjen e mjedisit, pothuajse nuk dëgjohet fare në horizont prej kohësh. Të gjendur të vetmuar dhe pa përkrahje, banorët u shprehën se “nuk do të votojmë asnjë, të mos guxojë ndonjë pushtetar të vijë për fushatë, se do ti marrim drunë”.
Sigal