Firma “Todini” duhet të penalizohet për shkatërrimin e rrugës, që u inaugurua në gusht 2012

585

Rrëshqitje  dheu, sërish në Autostradën Levan-Tepelenë

Sigal

Nuk ishte një rastësi, rrëshqitja e dheut në autostradën Levan-Tepelenë, në pjesën e Damësit, para disa muajve. Dikush, për të shfajësuar firmën përgjegjëse “Todini”, u mundua ta justifikojë me një ndodhi të rastësishme. Mirëpo, reshjet e ditëve të fundit kanë dëmtuar rëndë  edhe një segment tjetër të autostradës Levan –Tepelenë. Në vendin e quajtur Gryka e Poçemit, masive dherash dhe gurësh kanë rënë në rrugë, duke bllokuar plotësisht qarkullimin e makinave në këtë pjesë të autostradës. Rrëshqitjet e tokës nga zona kodrinore vijojnë, ndërsa për automjetet është hapur një rruge dytësore rreth 500 metra. Megjithatë për drejtuesit e mjeteve kjo zonë është kthyer në rrezik për ta dhe udhëtarët. Rreth 100 mije metër kub dhera dhe gurë kanë rënë nga reshjet e fundit në këtë pjesë të autostradës Levan –Tepelenë. Kjo dëshmon se firma “Todini” nuk ka bërë asnjë studim gjeologjik të gjithë aksit të rrugës, ku është ndërtuar autostrada Levan- Telepenë, për më tepër, në zonën më të vështirë, ku ky aks i autostradës kalon në grykën e Poçemit.  Autostrada Levan -Tepelenë u inaugurua në verë të këtij viti nga kryeministri Sali Berisha. Firma “Todini” ka krijuar edhe mjaft probleme me stafin e punëtorëve, të cilët kanë muaj të tërë pa u paguar. Organet e prokurorisë duhet të hapin dosjen e shkatërrimit të autostradës Levan-Tepelenë dhe të vënë përpara përgjegjësisë firmën italiane “Todini” për shpërdorim të fondeve dhe papërgjegjshmëri, e cila rrezikon jetën e qytetarëve shqiptarë.