Financimi i sistemit shëndetësor nën optikën e një auditimi performance të KLSH-së

1391
Kujdesi shëndetësor është një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të vendit. Një popullatë e shëndetshme, është parakushti i një shoqërie që funksionon e zhvillohet në mënyrë harmonike. Por prej vitesh perceptimi i qytetarëve shqiptarë është që cilësia e shërbimeve shëndetësore është e ulët. Kjo ndjesi e përgjithshme ka ndikuar në pakënaqësinë e tyre ndaj këtyre shërbimeve, të ofruara kryesisht nga institucionet shëndetësore publike. Shëndetësia shqiptare ka pasur dhe ka një numër jo të vogël sfidash, të cilat prekin drejtpërdrejt standardin dhe nivelin e produkteve që ajo ofron për pacientët. Procedurat e zgjatura dhe me shumë hallka në sistemin e referimit për pacientët, pakënaqësia e pacientëve për cilësinë e dobët të shërbimeve shëndetësore, financimi i ulët i sistemit shëndetësor, rritja e kostove të shërbimeve në mungesë të protokolleve të miratuara, etj., përbëjnë problemet kryesore dhe tregojnë performancën e ulët të sistemit shëndetësor.

KLSH në përfundim të auditimit të performancës mbi kostimin e shërbimeve spitalore, në raportin përfundimtar të auditimit të miratuar me Vendimin e Nr. 204 datë 29/12/2017, të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka evidentuar parregullsi dhe problematika të ndryshme në sistemin e ofrimit të kujdesit shëndetësor. Në mënyrë të përmbledhur ato kanë qenë pjesë e konstatimeve dhe rekomandimeve për Ministrin e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, Fondin e Sigurimit te Kujdesit Shëndetësor dhe spitalet universitare dhe rajonale ne vend duke evidentuar probleme, mes te cilave, domosdoshmërinë mbi;

a. Hartimin dhe miratimin e Protokolleve Klinike, sipas praktikave më të mira.
b. Implementimin e modelit DRG.
c. Rritjen e autonomisë së spitaleve
d. Rritjen e transparencës së shpenzimeve.
e. Optimizimin e përdorimit të burimeve te ndryshme.
f. Zhvillimin dhe shtrirjen e projektite-healthmbi shëndetësinë elektronike.
g. Zvogëlimin e procedurave të panevojshme dhe të shumëfishta për përfitimin e kujdesit shëndetësor etj.

Gjatë këtij auditimi nga departamenti i performancës se KLSH janë adresuar përgjegjësitë dhe rekomandime të ndryshme të cilat, të vlerësuar drejt, potencialisht mund të sjellin përmirësime në të ardhmen nga institucionet e kujdesit shëndetësor.Sistemi aktual shëndetësor përdor protokolle dhe udhërrëfyes klinikë, mbi bazën e klasifikimit ICD9-CM, një standard i kufizuar deri ne 300 sëmundje. Shumica e vendeve të tjera e përdorin në mënyrë standarde klasifikimin ICD-10. Megjithëse Ministria e Shëndetësisë ka hartuar disa protokolle dhe udhërrëfyes klinikë, ato kanë nevojë të rinovohen, pasi kanë një kohë të gjatë që janë hartuar dhe nuk i përgjigjen zhvillimeve të fundit të shëndetësisë. Vlen të theksohet, për shembull, se në QSUT vetëm një shërbim përdor protokolle të miratuar nga MSHMS sipas praktikave të mira, duke u bazuar në klasifikim më të fundit ICD-10.Ekzistenca e protokolleve dhe udhëzuesve klinikë të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë do të ketë për pasojë zvogëlimin e keqpërdorimit dhe abuzimit të barnave dhe materialeve mjekësore, si dhe në evidentimin e përgjegjësive të stafit mjekësor për trajtimin e pacientëve.Sa i përket financimit të shërbimit shëndetësor përfshijnë përdorimin e sistemit DRG – (Diagnosis Related Grouping – Grupimit në bazë të Diagnozës) për përcaktimin e kostove të shërbimeve spitalore.

Kostimi i shërbimit shëndetësor në rrjetin tonë spitalor publik, evidenton këto nevoja primare:
1.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me FSDKSH, QKCSA-ISH dhe QSUT kërkohet të hartojë/rinovojë Protokollet dhe udhëzuesit klinikë për institucionet shëndetësore.

2.Financimi i shërbimeve spitalore duhet të bëhet mbi bazën e përcaktimit të kostove sipas modelit DRG, klasifikimit më të fundit ndërkombëtar ICD-10 të sëmundjeve dhe protokolleve/udhëzuesve klinikë të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

3.Institucionet shëndetësore duhet të garantojnë cilësinë e shërbimeve shëndetësore sipas standardeve te miratuara nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet procesit te akreditimit.

4.FSDKSH duhet të aplikojë procedurën e prokurimeve publike për përfituesit e institucioneve shëndetësore jo publik për paketat shëndetësore që ajo financon.

5.Institucionet publike përgjegjëse për kontrollin e paketave shëndetësore duhet të realizojnë vlerësimin cilësor të tyre sipas parametrave klinik të përcaktuara në protokollet klinike.

6.Përcaktimi i marzhit të fitimit për paketat shëndetësore nga Këshilli Teknik i FSDKSH të bëhet sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

7.Rritja e shkallës së autonomisë për spitalet dhe ndryshimi i formës së menaxhimit të tyre për t’ju përshtatur ndryshimeve të parashikuara në ligjin e sigurimeve të kujdesit shëndetësor dhe zhvillimeve të shëndetësisë.

8. Sistemet informatike pjesë e shëndetësisë elektronike përveç avantazheve në aspektin klinik, të ndikojnë në rritjen e transparencës, zvogëlimin e korrupsionit, zvogëlimin e barrës administrative, zvogëlimin e kostove shtesë dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor.

9.FSDKSH duhet të planifikojë një sistem informatik të unifikuar për vlerësimin e kostove spitalore për të reflektuar zhvillimet e fundit të shëndetësisë dhe mundësinë e suportimit të Protokolleve Klinike sipas klasifikimit ICD-10 dhe modelit DRG.

10.Sistemet informatike produkte të FSDKSH, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Socialedhe Institucioneve Shëndetësore duhet të jenë të unifikuar në gjenerimin e raportevesipas formatit të kërkuar të regjistrit elektronik dhe kërkesave të blerësit unik të shërbimeve FSDKSH.

Këto konkluzione, fryt i një analize të kujdesshme dhe të thelluar, të grupit të auditimit të departamentit të performancës së KLSH, shpien në disa konkluzione të rëndësishme. Ndër më kryesoret përmendim:

Sistemi aktual i vlerësimit të kostove për shërbimet spitalore është një vlerësim që mbart shpenzime të tepërta dhe nuk reflekton kostot e vërteta, duke orientuar kërkesat e institucioneve shëndetësore spitalore drejt vlerësimit të shpenzimeve dhe jo sipas kostove të tyre. Mungesa e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesa e performancës së shërbimit parësor ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare QSUT. Implementimi i paketave shëndetësore përbën një nismë të mirë për miratimin e protokolleve për këto paketa, por mënyra e vlerësimit financiar të tyre bie ndesh me ligjin e prokurimeve publike, duke rritur kostot e këtyre shërbimeve shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale së bashku me Fondin edhe QSUT duhet të angazhohen në hartimin dhe implementimin e protokolleve klinike për të gjitha shërbimet spitalore duke pasur si orientim modelin DRG dhe klasifikimin më të fundit ndërkombëtar të sëmundjeve ICD-10. Riorganizimi i hartës së spitaleve mbi bazën e treguesve të performancës së shërbimit spitalor përbën një kusht të nevojshëm dhe të domosdoshëm për uljen e kostove të tepërta për sistemin shëndetësor. Premisat e krijimit të një tregu shëndetësor do të çonte në ekuilibrin e kërkesë-ofertës duke rritur eficiencën, cilësinë e shërbimeve nga ofruesit e kujdesit shëndetësor për pacientë.

Alfred Leskaj
Auditues në departamentin e performancës
Sigal